E Diel, 1 Nëntor 2026

Shefi i mazhorancës akuzon Ramën se po shkel ligjin duke rënduar me taksa abuzive bizneset dhe qytetarët

Bashkia e Tiranës ka pesëfishuar taksat, njësoj si në Korenë e Veriut

Kreu i qeverisë Sali Berisha solli në vëmendje një nga abuzimet e rënda të Bashkisë së Tiranës e cila lidhet me taksat e tepërta që i imponon biznesit. Rasti konkret, tha kryeministri është taksa për tabelat e cila është disafishuar. Berisha kërkoi nga ministri i Financave të veprojë menjëherë për çështjen në fjalë dhe të ngrijë në thesar shumat e tepruar prej më shumë se 1 euro, për tabelë. “Problem madhor ekonomik është e vërtetë që ekziston në qytetin e Tiranës ku kapitalistëve të vegjël, mikroborgjezëve, Edi Rama u ka rezervuar barrën më të rëndë fiskale bashkiake. Zoti Rama ka trefishuar taksën e mjedisit; ka pesëfishuar taksën e tabelës; ka shpikur një sistem fiskal sikur Tirana të ishte Pheniani dhe jo kryeqyteti i një vendi anëtar të NATO-s. Parlamenti ka votuar një ligj në të cilin përcakton nivelet e taksave 1 euro për tabelën; përcakton diapazonin që i lejon kryetarit të Bashkisë të shkojë vetëm 10 përqind mbi nivelin e përcaktuar në ligj. Do të bllokohen të gjitha të ardhurat në thesar dhe do të studiohen rrugët që tepricat tu kthehet atyre që ky ua ka marrë mbi ligjin. Se të dalësh e të shëtisësh nëpër Shqipëri e të flasësh nga mëngjesi në darkë për krizë dhe nga ana tjetër të trefishosh taksën”- tha kryeministri.
Berisha denoncnoi gjithashtu edhe rritjen e paprecedentë të taksave në përgjithësi, për Bashkinë e Tiranës. Sipas kryeministrit, nëse kjo procedurë abuzive e Bashkisë së Tiranës do vazhdojë, atëherë qeveria është e detyruar të ndërhyjë me ligj.
“Një biznesmen njoftonte se nuk është e vërtetë se është 25 mijë taksa e mjedisit, më thoshte se është 34 mijë. E imagjinoni ju zotërinj se çfarë bën ky? Ky u lëshon urrejtje bizneseve. Ky thotë vër tabelën me 300 mijë. Po pse duhet të vësh tabelën me 300 mijë? Për emrin do ta vëri? Dikush mund t’i vendosë dyqanit vendosë emrin e tij. çfarë do t’i thonë, paguaj për emrin tënd? Kanë të drejtë të zgjedhin çdo emër. Pse u dashka të paguajnë emrin e dyqanit? Në vend t’i detyrosh që të kenë emrin e dyqanit si pikë orientimi dhe transparence, i gjobit për emrin, për tabelën. E kuptoni ju? Ajo është vetëm 1 euro, por e garantoj zotin Rama se po vazhdoi kështu s’do mund të marrë as edhe 1 euro, sepse do ta heqim fare me ligj. Taksa e emrit nuk ekziston kund në botë, përveç se tek bashkia e Tiranës. Ja i vuri dikush emrin e djalit, bashkim emrash apo të vendlindjes së tij, do të gjobitet me 300 mijë lekë? Ku i gjen ky këto koncepte dhe na flet gjithë ditën për krizë, na derdh lot krokodili për krizë. Sidoqoftë kjo çështje do një shqyrtim shumë të rëndësishëm. Thesari duhet të zbatojë ligjin”- deklaroi Berisha, duke i kërkuar ministrit Bode, që të mos u merret qytetarëve as edhe në qindarkë më shumë nga ç’përcakton ligji.
“Që të gjitha do tu kthehen, çfarë do të jetë në kundërshtim me ligjin. Ky është paradoks. Këtej flet për papunësi dhe nga ana tjetër ngarkon me taksa biznesin e vogël. Po kush punëson mor zotëri? Në Shqipëri 99 përqind të vendeve të punës i krijon biznesi i vogël dhe i mesëm. Ky është studimi. Në vend që t’ua lësh ato para që të krijojnë një vend të ri pune, ti ua merr dhe i shndërron në tabela për mitingje; i shndërron në kamionë me ujë dhe ushqime për marrëzira; i shndërron në çadra; i shndërron në pagesa për ata që të vijnë në mitingje. Ku janë këto para, se rrugë nuk shtrohen. Keni parë ju rrugë të shtruara kund? Edhe Koçua i ka hequr tabelat tani, nuk vë më tabela, s’ka më. Imagjinoni ju. Sidoqoftë këto janë probleme të cilat duhet t’i trajtojë me seriozitetin më të madh Këshilli Bashkiak dhe ministria e Financave duhet të bëjë një kontroll të hollësishëm të të gjithë të ardhurave, sipas zërave, dhe çdo gjë që do të jetë e marrë mbi ligjin duhet tu kthehet atyre që kanë paguar. Por, në gjithë këtë çështje del në plan të parë rritja më e madhe në historinë e këtij vendi e rrogave dhe pensioneve që bëhet këtë vit. Jam jashtëzakonisht i kënaqur me këtë. Të gjithë ju, me vjen mirë se ua kishit premtuar zgjedhësve tuaj, tani shkoni të qetë ti takoni”- u shpreh më tej, shefi i ekzekutivit, Sali Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›