Topi: Përfshirja në NATO na bën më të përgjegjshëm
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, përshëndeti dje njëvjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO
TIRANË - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u shpreh dje se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO e bën vendin tonë më të përgjegjshëm ndaj sfidave të brendshme dhe të jashtme. Përmes një njoftimi zyrtar, Topi përshëndeti dje njëvjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. "Kombi shqiptar, një vit më parë, përjetoi ngjarjen më të madhe në historinë e tij, anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Sigurisë dhe të Paqes, në NATO. Sot ne festojmë njëvjetorin e kësaj ngjarje duke shprehur mirënjohjen për të gjitha vendet anëtare të Aleancës, që besuan në forcën tonë, në angazhimin tonë, në vendosmërinë tonë, në seriozitetin tonë, në ëndrrën tonë dhe në aspiratën tonë për të lënë përfundimisht mbrapa të kaluarën historike dhe për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët të kombeve të lira të botës së qytetëruar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet e tjera, mike dhe aleate diskutojnë me ne sot çështje të rëndësishme të karakterit global dhe ndajnë me ne përgjegjësi të karakterit rajonal dhe të sigurisë nga pikëpamja politike dhe ushtarake, formulojnë së bashku me ne qëndrime për të ndërtuar strategjitë e sigurisë për të sotmen dhe të ardhmen e Aleancës", - thuhet në deklaratën përshëndetëse të Topit. Presidenti i Republikës theksoi gjithashtu se forcat shqiptare të Armatosura së bashku me trupat e tjera të Aleancës po përballojnë me kurajë dhe profesionalizëm një nga sfidat më të mëdha të saj për të vendosur paqen, sigurinë dhe rendin demokratik në Afganistan.