Nishani nuk shkon dot të përshëndesë nxënësit, u dërgon mesazh. Presidenti uron fëmijët e rikthyer të emigrantëve
Ndërkohë që çdo drejtues i lartë i shtetit ka piketuar një shkollë dhe është drejtuar aty për të mbajtur fjalimin patetik të radhës, presidenti Bujar Nishani ka dërguar një mesazh urimi për fëmijët.
Në mesazhin e tij presidenti u bën thirrje prindërve dhe fëmijëve që kanë braktisur shkollën, që ti rikthehen asaj.
Po ashtu presidenti ka uruar edhe fëmijët e emigrantëve të kthyer në Shqipëri.
Sot është dita kur ju bëj thirrje të gjithë familjarëve dhe fëmijëve, të cilët me apo pa arsye kanë braktisur shkollën, ti rikthehen sa më parë asaj.
Gjithashtu ju uroj mirëseardhjen të gjithëve ju, fëmijëve të emigrantëve që jeni rikthyer në Shqipëri, duke besuar se do tju krijohen të gjitha mundësitë për përmirësimin e njohurive në gjuhën amtare si dhe në lëndët e tjera ku ju keni nevojë.
Sot është edhe dita juaj, të dashur mësues. Kam kënaqësinë që me anë të këtij mesazhi të shpreh vlerësimin tim dhe mirënjohjen për të gjithë përkushtimin, profesionalizmin, vlerat dhe virtytet njerëzore që ju dini të dëshmoni dhe transmetoni gjatë punës suaj në edukimin e brezave të ardhshëm. Këtu desha të përgëzoj Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, për nismën e saj në futjen e shërbimit psikologjik shkollor, që do të synojë në angazhimin e trajtimit të problemeve, që kanë të bëjnë me sigurimin e të drejtës për arsim, me fokus fëmijët me aftësi të kufizuar, fëmijët romë, egjiptianë dhe të gjithë fëmijët në nevojë.
Në këtë 100vjetor të Pavarësisë ky mision i juaji, të dashur mësues, merr një domethënie dhe rëndësi të jashtëzakonshme në ruajtjen e traditës dhe zhvillimit të mëtejshëm cilësor të arsimit shqiptar, sepse mendja e një kombi është arsimimi i tij, thuhet në mesazhin e Nishanit.