Berisha: Shqipëria përfiton 1 miliardë euro, projekti më i rëndësishëm në Europë

Këshilli Kombëtar i Territorit miraton planin për Gazsjellësin TransAdriatik (TAP)
Kreu i qeverisë, Berisha e cilësoi projektin të një rëndësie të veçantë për ekonominë e vendit, ndërsa theksoi se përfitimet nga gazsjellësi arrijnë në 1 miliardë euro investime dhe mijëra vende të reja pune
Krahas lobimit të fuqishëm dhe shndërrimit në faktor përcaktues për ndërtimin e gazsjellësit TransAdriatik, i cili transporton gazin nga Kaspiku drejt Europës, Shqipëria është përsëri pararojë e konkretizimit të këtij projekti. Kësisoj, me miratimin e projektit në Këshillin Kombëtar të Territorit, vendi ynë mbyll të gjitha detyrimet ndaj Konsorciumit. Këshilli Kombëtar i Territorit zhvilloi dje mbledhjen e radhës nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha dhe kryefjalë ishte pikërisht gazsjellësi TAP. Kreu i qeverisë, Berisha e cilësoi projektin të një rëndësie të veçantë për ekonominë e vendit, ndërsa theksoi se përfitimet nga gazsjellësi arrijnë në 1 miliardë euro. Kryeministri tha se dokumenti përfundimtar, i cili është miratuar konkretizon gazifikimin në vend dhe është parë si një nga projektet që do i japë zgjidhje problemeve energjetike të vendit. Berisha e quajti si projektin e “2 Albanive”, ku gjatësia e tij në territorin shqiptar në mbi 200 km, zonë kjo e cila do të marrë një zhvillim të madh nga shpronësimet dhe vendet e punës që do të krijohen. “Është një rast për të falënderuar të gjithë ata që kontribuuan në përzgjedhjen e këtij projekti në të cilin Shqipëria ka një rol kyç. TAP kalon në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe ky territor i jep këtij projekti avantazhe të paktën me 200 km më të shkurtër se të gjithë të tjerët. Projekti është një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv për Shqipërinë dhe shqiptarët. E vendos Shqipërinë në një pozicion të rëndësishëm, në problemet energjetike evropiane, pasi ky është dhe projekti më i madh që ndërtohet në Evropë, ndofta ndonjëherë. Projekti ka meritën e madhe për shqiptarët sepse i furnizon ata me gaz nga një vend mik me një miqësi tradicionale me lidhje të hershme. Historianët do ta gjejnë koincidencën se si Kaukazian Albania po e sjell gazin në Ballkan Albania, pra ky projekt i lidh dy Albanitë, Albaninë e dikurshme të Kaukazeve me Albaninë e përjetshme në Ballkan. Dhe kjo ka një vlerë, ka një rendësi. Projekti i jep zgjidhje përfundimtare problemeve energjetike të Shqipërisë, sepse burimi i gazit nga ky gazsjellës do të mund të mbështesë totalisht si industritë e vendit ashtu dhe përdorimin shtëpiak, familjar, për ngrohje dhe gatim dhe me një kosto shumë më të ulet sesa shpenzohet sot me energji elektrike. Projekti gjeneron të ardhura për buxhetin e shtetit. Sipas një studimi të Oksfordit ai gjeneron për Shqipërinë rreth 150 milionë dollarë të ardhura në vit. Por në ndërtimin e tij, duke filluar nga shpronësimet deri tek punësimet janë dhjetëra, mijëra familje shqiptare që përfitojnë në të gjitha aspektet. Në trajektoren e tij do të ndërtohen shume biznese mbështetje. Projekti TAP është një ogur i bardhë për rezervat e mëdha të gazit që mesa duket ka Shqipëria, rezerva që janë në eksplorim e sipër, kështu që në rast se nesër fusha thelbësore të gazit do të zbulohet në Shqipëri, gazi i këtyre fushave do të mund të bashkohet ose do të mund të përdoret nga TAP për tu shpërndarë drejt Evropës. Dhe së fundi, Shqipëria ka një rol kyç sepse është një nga epiqendrat e shpërndarjes së tij”- u shpreh Berisha. Kryeministri theksoi se TAP fitoi mbi presionet dhe tendencat përjashtuese të projekteve të tjera më të madhë. Berisha falënderoi presidentin azer, Alyev për vendimin e marrë i cili i çel rrugë ndërtimit të projektit me vlerë fillestare investimi 40 miliardë dollarë. “Gazsjellësi TransAdriatik u përzgjodh nga konsorciumi si më i leverdishmi për këtë kosorcium për të sjellë gazin e fushave kaspike në Evropë. Ai kishte konkurrentë të tjerë shumë të fortë dhe vetë nuk ishte më i madhi. Në historikun e tij projekti njohu periudha vështirësish të mëdha, nga konkurrenca por dhe faktorë të tjerë. Është në vendimin vizionar të presidentit Alyev dhe të konsorciumit, të cilët për shumë arsye do të përzgjidhnin projektin më fizibël dhe do të shmangnin një nga një, gjigantë të tjerë dhe presionin e tyre politik. Të gjithë gazsjellësit e tjerë që kalonin në territorin e Evropës Juglindore përjashtonin Shqipërinë në mënyrë të pandershme, pasi territori i saj ishte briri më perëndimor i Gadishullit të Ballkanit dhe për rrjedhojë Otranto ishte gjithnjë ngushtica më e madhe në detin që ndante Gadishullin e Apenineve nga gadishulli Ballkanik. Le t’ja lëmë historisë ato përpëlitjet e tij të mëdha dhe presionet e mëdha, por sot ky është projekti më gjigant. Për herë të parë në histori peshku i madh nuk ha të voglin dhe TAP fillon me 40 miliard dollarë investim fillestar dhe ky është vetëm fillestar sepse fusha të tjera të mëdha gazi, nga Tukmenistani dhe zona të tjera do ti bashkohen në të ardhmen. Kjo është rruga më natyrale që lidh Azinë, Evropën, kufijtë ekstremë të saj dhe Azinë Qendrore me kontinentin Evropian” - theksoi më tej kryeministri Berisha.
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt rajonal i gazit natyror, i cili do të transportojë gaz natyror nga rezerva e fushës Shah Deniz II në Azerbajxhan, duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë, detit Adriatik dhe do të dalë në breg në Italinë e Jugut dhe më tej në tregjet europiane. Projekti TAP është projekti i parë, i cili do të mundësojë kalimin tranzit të gazit natyror përmes territorit shqiptar dhe do të krijojë mundësinë e furnizimit me gaz natyror të tregut shqiptar. Projekti TAP do të jetë një nga investimet e huaja të drejtpërdrejta më të mëdha në Shqipëri dhe si i tillë do të gjenerojë përfitime të konsiderueshme dhe perspektiva për industrinë shqiptare dhe komunitetet lokale.