E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqipëria, së shpejti superfuqi energjetike në rajon

Para takimit me homologun e tij francez Fransua Fillon, shefi i qeverisë shqiptare ka vlerësuar se marrëdhëniet politike mes dy vendeve janë të shkëlqyera, ndërsa ato ekonomike po rriten gjithnjë e më shumë.

Duke vënë në dukje se Shqipëria është një vend me mundësi dhe potenciale shumë të mëdha  për investitorët e mëdhenj  francezë dhe botërorë, Berisha deklaroi se “ambicia ime kryesore është qe vendi im të bëhet një superfuqi e vogël e energjisë së rinovueshme në rajon. Shqipëria ka rezerva shumë të mëdha hidrike që do të shndërrohen në hidrocentrale”.

Kryeministri bëri të ditur se janë për t’u ndërtuar 443 hidrocentrale, ndërkohë që qeveria ka nënshkruar me sektorin privat 110 kontrata për të ndërtuar afërsisht 300 hidrocentrale. “Nga e gjithë bota, nga  Norvegjia në Izrael, nga Evropa në Shtetet e Bashkuara e Kanadaja, kompani të ndryshme kanë treguar interes për të investuar në Shqipëri”, theksoi Berisha, duke shtuar se burimet tona në fushën e energjisë së rinovueshme janë të mëdha. Sipas tij, qeveria ka licensuar deri tani 1 600 megavat dhe është edhe një paketë tjetër që përbëhet nga 3 200 megavat.

Lidhur me integrimin e vendit në BE, kreu i ekzekutivit tha: “Franca e ka mbështetur gjithnjë ambicien e Shqipërisë për integrimin evropian dhe për anëtarësimin në NATO. Ne jemi të angazhuar në realizimin e reformave në një shkallë shumë të gjerë, reforma të cilat në realitet po avancojnë shumë”.

I pyetur nëse beson  në mundësinë e zgjerimit të Evropës, ndërkohë që është në krizë, Berisha shprehu besimin se edhe pse ka pësuar një ngadalësim në situatën e tanishme, procesi i zgjerimit është i pakthyeshëm. “Vendimi i të 17-ëve është ndërqeveritar, por duhen ftuar të tjerët të pranojnë kriteret strikte buxhetore për të evituar një krizë të ngjashme në vitet që vijnë”, deklaroi kryeministri shqiptar.

Në intervistën e tij, Sali Berisha i është përgjigjur edhe pyetjes nëse do të përfaqësohet përsëri për të qenë kryeministër edhe në zgjedhjet e ardhshme. “Unë do të vazhdoj deri kur shqiptarët nuk do të më votojnë më, dhe atëherë do ta respektoj vullnetin e tyre. Unë bëj gjithçka për të avancuar reformat, për të avancuar projektin kryesor të kombit tim, atë të integrimit evropian. Nga ana tjetër opozita tani është kthyer në Parlament. Unë kisha premtuar çdo ditë gjatë këtyre viteve që ata ta hartonin vetë ligjin elektoral  duke marrë edhe mendimin e Komisionit të Venecias dhe të OSBE-se, dhe se unë do ta votoja pa asnjë kusht dhe ata pranuan”, deklaroi shefi i qeverisë shqiptare. Sipas tij, tashmë ka një dialog konstant dhe situata është plotësisht normale.

Gjithashtu, kryeministri iu përgjigj interesit të gazetarit edhe për çështjen e turizmit në Shqipëri. Duke vënë në dukje se turizmi ka njohur bumin më të madh që vendi ka pasur ndonjëherë, Berisha deklaroi se “vitin që vjen ndoshta do të jenë 4 milionë turistë, pasi udhëtimi në Shqipëri është duke u bërë një udhëtim ëndrrash”. “Shqipëria i ofron turistëve të të gjithë botës një nga bregdetet më të mahnitshme,  peizazhe  fantastike, mikpritje  të jashtëzakonshme, klimë të mrekullueshme dhe  një ushqim të shijshëm. Askush nuk është zhgënjyer nga pushimet në Shqipëri dhe nuk ka pësuar sindromën shqiptare. Pra ftesa ime është që të vini në Shqipëri”, tha kreu i qeverisë shqiptare në përfundim të intervistës për “TV5 Monde”.
/Start/E.B/

                                                                                             2011-12-09 22:22
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›