E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet me konsensus deklarata Shqipëri-BE

Deklarata mori pëlqimin e mazhorancës dhe opozitës, e cila në thelb parasheh angazhimin e përbashkët në kuadër të integrimit dhe përmbushjes së 12 kritereve.

Gjatë ditës së sotme, deputetët nga dy krahët politikë së bashku me ata të ardhur nga Parlamenti Evropian, diskutuan për më shumë se katër orë për çështje të ndryshme që lidhen me integrimin. Pas takimit, shefi i delegacionit të PE-së, Eduart Kukan, tha se deklarata e përbashkët e arritur është një hap me rëndësi për realizimin e reformave.

Sipas Kukan, kjo deklaratë është shumë e rëndësishme dhe përmban disa prioritete. "Shpresoj që në takimin tjetër pas 6 muajsh të ketë më shumë cilësi në këtë konsensus. Është e rëndësishme që prioritetet në këtë marrëveshje të jenë në interes të vendit", tha Kukan.

“Dialogu dhe konsensusi për integrimin janë prioritet dhe duhet të punojmë dhe në të ardhmn që të arrihet më shumë konsensus", tha Kukan. Deputeti i PD-së, ku Fatos Beja, theksoi edhe një herë përkushtimin e mazhorancës për përmbushjen e  reformave dhe arritjen e dialogut. Ndërsa deputetja e PS-së, Valentina Leskaj, shprehu vullnetin e PS-së për të bërë gjithçka që i takon opozitës që proceset integruese të përshpejtohen.

 Fajon: Shqipëria shumë afër Bashkimit Evropian

Tiranë (11:30) –"Shqipëria është shumë afër Bashkimit Evropian dhe anëtarësimit sa më shpejt që të jetë e mundur", theksoi sot eurodeputetja Tanja Fajon, e pranishme në takimin e katërt të Komitetit të Stabilizim-Asocimit, Shqipëri-BE.

Ajo foli për një sërë çështjesh, siç është përmbajtja e rregullave për liberalizimin e vizave e deri tek liria e medies. "Për sa i përket liberalizimit të vizave Shqipëria e meriton regjimin e heqjes së vizave dhe shpresoj se ajo do të vazhdojë me përmbushjen e kritereve dhe do të ishte katastrofike nëse vendet e BE do të vendosnin regjimin e vizave", u shpreh Fajon.

 Sipas saj, "Shqipëria po bën përpjekje të rëndësishme dhe po ecën mirë deri tani në këtë rrugë. Por, ekzistojnë disa probleme për sa i përket disa kalimeve jo të ligjshme, persona të cilët nuk respektojne rregullat e regjimit të vizave". "Vendet anëtare të BE mund të bien dakord për të pezulluar edhe regjimin e vizave. Situata është kritike dhe kërkon një angazhim shumë serioz, në mënyrë që asnjë prej këtyre vendeve të BE t'i rikthehet regjimit të vizave me Shqipërinë, pasi është në të mirë të qytetarëve që të kenë një të ardhme sa më të mirë", theksoi Fajon.

 "Kërkesat nga Brukseli janë të larta, por kur bëhet fjalë për luftën kundër krimit të organizuar kërkohet edhe më shumë. Përsa i përket artikujve 23 dhe 24 kërkohet më shumë, pasi i përkasin pikërisht luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Edhe për Kroacinë këto kanë qenë artikujt edhe më të vështirë", tha Fajon, duke shtuar se këta artikuj do të hapen të parët dhe do të monitorohen dhe më shumë.   

Boshtinario: Ligj që zgjedhjet të mos kontestohen

Tiranë (10:20)– Ka nisur sot në Tiranë takimi ndërparlamentar për stabilizim-asocimin midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Në fjalën e mbajtur nga eurodeputeti, Viktor Boshtinario, kërkoi konsensus të gjerë midis palëve, duke theksuar se Bashkimi Evropian është i shqetësuar për Shqipërinë.

Sipas tij, qëllimi kryesor është që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. “Pse disa politikanë në vendin tuaj i kanë konsideruar si armiq disa anëtarë të Parlamentit Evropian. I kam të gjitha shqetësimet e BE-së për sa i përket Shqipërisë. Qëllimi është që t’i japim Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Vendi juaj ka një rol në Ballkanin Perëndimor. Sa më shpejt që Shqipëria të jetë në Evropë aq më mirë është për të gjithë Ballkanin”, deklaroi ai. Më tej, Boshtinario tha se “ne inkurajojmë  të dyja palët që të bëjnë më të mirën për vendin. Kjo është me rëndësi për vendin”.

Ai kërkoi një ligj të mirë elektoral, duke nënvizuar se në zgjedhjet e ardhshme nuk duhet të ketë kontestime. “Për të pasur një ligj elektoral, duhet të ketë një ligj në mënyrë që në zgjedhjet e tjera të mos ketë probleme. Kam edhe një shqetësim tjetër”, vijoi ai. 

Leskaj: Ne i plotësuar kushtet tona

Tiranë (10:15) – Në këtë takim e ka marrë fjalën si përfaqësuese e Partisë Socialiste Valentina Leskaj e cila  në fjalën e saj tha ndër të tjera se opozita nga shtatori e gjer në këto ditë të para të dhjetori i ka realizuar tashmë 4 nga 12 prioritetet që kanë lidhje me të, të tjerat janë-sipas saj-përgjegjësi direkte e qeverisë.  “Në 12 prioritetet e BE 4 lidhen me opiztën të 4 janë të adresuara. Opozita ka çmuar përgjegjësitë me seriozitet. PS ka nisur një rol iniciues për ligjet me 3/5, po ashtu edhe për reformën zgjedhore dhe reformën parlamentare, si dhe ka nisur një proces për avokatin e popullin. Zgjedhjet mbeten kusht parësor për plotësimin e Kriterit të Kopenhagenit. Problemi sot qëndron me kohën sa i takon reformës zgjedhore, duhet shpejtuar që të jetë në kohë për zgjedhjet. Sa i takon reformës parlamentare ne i kemi dhënë qendrimet dhe propozimet tona, parlamenti të funksionojë sipas parimeve demokratike. Modeli i rregullores së Parlamentit Evropian është parim për ne, por s’mund të jetë e njëjtë rregullorja e një vendi me rregulloren e 27 vendeve.
 
Sequi: Shqipëria në një moment kyç

Tiranë (10:00) - Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sequi, deklaroi se bashkimi dhe dialogu politik është çelësi kryesor për integrimin e vendit. "Tashmë Shqipëria ndodhet në momentin kyç në rrugën për anëtarësimin sa më shpejt në BE”, tha Sequi, duke shtuar se "BE mirëpret dhe vlerëson atë çka kanë bërë partitë shqiptare përsa i takon dialogut politik dhe inkurajon autoritetet shqiptare mbi dialogun për përmbushjen e12 prioriteteve".  Sipas Kreut të Delegacionit të BE-së në Tiranë, "nëse Shqipëria plotëson 12 rekomandimet do të jetë më afër BE-së. Viti 2012 është i rëndësishëm dhe ju inkurajoj të përpiqeni më shumë për reformat".

Lidhur me reformën për kodin elektoral Sequi theksoi se "palët kanë treguar afrim dhe bashkëpunim me njëra-tjetrën dhe kam besim se grupi i punës për këtë reformë do të arrijë në një marrëveshje". "Ashtu siç ka thënë KE dhe OSBE/ ODIHR, Shqipëria duhet të përpiqet për këto reforma. Takimi i parë i grupit të komisionit paramentar për reformën zgjedhore ishte vërtet inkurajues", tha Sequi, duke inkurajuar anëtarët e komisionit për të vijuar punën për reformat.

"Shpresoj që Shqipëria do të ecë në rrugën e duhur drejt BE-së”, theksoi Sequi. Duke folur për prioritetet e KE-së, Sequi nëvizoi faktin se ka ende punë për t'u bërë për disa prej tyre. "Reformat dhe përmbushja e prioriteteve do të garantojnë që secili është i barabartë para ligjit", u shpreh Sequi. “Dua t’iu them se Bashkimi Evropian, Komisioni Evropian, do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me autoritetet shqiptare për t’iu mbështetur dhe inkurajuar në rrugën e integrimit. Evropa është këtu për t’iu inkurajuar”, theksoi ai.

Kukan: Me dialogun e nisur do ta kapni trenin e integrimit

Tiranë (09:30) - Kreu i delegacionit  të Parlamentit Evropian, Eduart Kukan, në fjalën e tij është shprehur se me dialogun e nisur midis klasës politike, mund të bëjë të mundur që Shqipëria ta kap trenin e integrimit. Sipas tij, ky është një moment kyç për vendin.

“Kam qenë këtu edhe në zgjedhjet lokale në maj. Më pëlqejnë ndryshimet. Është kënaqësi për të punosh me ju për të ndihmuar vendin tuaj. Përpiqemi të gjejmë disa zgjidhje për të ecur përpara drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Dua ta besoj se ka një situatë të re dhe duhet të ndërtohen opinione pozitive në lidhje me këtë. Nisja e bashkëpunimit mes palëve duhet parë si moment kyç. Janë shumë për t’u arritur dhe mendoj se kjo është e mundur. Me takimin e sotëm, besoj se Shqipëria do të arrijë ta kap trenin e integrimit. Delegacioni është këtu për t’iu ndihmuar. Prezenca jonë këtu është që të ndihmojmë”, theksoi ai.

Pas përfundimit të takimit, pritet të miratohet edhe një dokument i përbashkët, nëse të gjitha palët bien dakord.

Një ditë më parë, një delegacion i Parlamentit Evropian, mbërriti në vendin tonë, ku zhvilloi takime fillimisht me presidentin e vendit dhe kryetaren e Parlamentit, ndërsa sot zhvillohet takimi i përvitshëm, ku përveç eurodeputetëve, marrin pjesë edhe përfaqësues nga mazhoranca dhe opozita në Shqipëri.
/S,Lleshi/Start/

                                                                                             2011-12-09 12:20
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›