Nuk ka shpërblim për pensionistët, por ministrat e deputetët e kanë marrë prej një jave
-Në llogaritë e ministrave e deputetëve janë hedhur 100 mijë lekë të vjetra shpërblim që javën e shkuar
Qeveria nuk do të japë as këtë vit një shpërblim modest për pensionistët, edhe pse kur e bëri këtë në vitin 2009, kryeministri Sali Berisha deklaroi se do të ishte i përvitshëm. Nga ana tjetër mësohet se qeveria ka planifikuar një shpërblim në vlerën 10 mijë lekë të reja për punonjësit e administratës, por edhe për deputetët dhe ministrat, ku përfshihet dhe vetë Kryeministri. Ministri i Financave, Ridvan Bode, ishte ai që u dha lajmin e hidhur pensionistëve duke bërë të ditur se nuk do ketë shpërblim për pensionistët, por gjithsesi do të ketë një rritje pensione vitin që vjen. Ndërkaq Bode nuk tha gjë për shpërblimin e deputetëve dhe arsyen pse duhet të vetëshpërblehen ministrat dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Ndërsa deputeti socialist Erjon Braçe, i cili e sheh të padrejtë këtë ndarje thotë se Berisha theu premtimin për shpërblimin e pensionistëve. Por ministri nuk thotë gjithë të vërtetën. Veç administratës po marrin shpërblimin deputetët, ministrat, Kryeministri, gjykatësit etj etj, po këta përse po vetëshpërblehen? shkruan Braçe në rrjetin social Facebook. Mësohet se shpërblimi prej 10 mijë lekë të vjetra është marrë nga ministrat e deputetët javën që kaloi.
Pikërisht në pragun e festave të fundvitit zoti Bode tha, se qeveria do të japë 10 mijë lekë shpërblim për punonjësit administratës, por në të njëtën kohë u dha pensionistëve një lajm jo të mirë, atë qe këtë herë të mos e presin kartolinën e urimit nga qeveria. “Deri më sot ne nuk kemi mundësi sikurse e thashë është një vit tepër i veçantë. Ne bëmë rritjen e pensioneve përgjatë vitit, ndërkohë që në një sërë vendesh të tjera kemi të bëjmë me ulje të shpërblimeve të pensioneve, të alokacioneve të ndryshme, për shkaqet e krizës dhe vështirësitë që ka në secilin prej vendeve. Ato shpërblime që kemi përdorur herë pas here, nuk do të jenë në dispozicion për këtë vit”, tha Bode. Financat publike po kalojnë një kohë të vështirë, por zoti Bode thotë se qeveria do i qëndrojë kufirit të borxhit. “Do të respektohen ato që objektiva që ne tashmë i kemi shprehur, pra një deficit prej 3 përqind, për të mos e kaluar këtë deficit dhe për të ruajtur parametrat e borxhit në ato parametra që kemi, pa çuar në ndonjë shkurtim apo ndalim shpenzimesh të tjera eksesive nga ato që u programuan në korrik të vitit në vijim”, tha Bode.