Rama: Amnistia dështoi sepse u bë për bizneset e pushtetit
Pasi ministri i Financave, Ridvan Bode, pranoi se amnistia e trumbetuar me të madhe nga qeveria, dështoi, ka reaguar edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Ai tha se amnistia dështoi për shkak se nuk u bë për bizneset shqiptare, por për bizneset e pushtetit. Amnistia fiskale dështoi sepse nuk u bë për biznesin shqiptar, po për bizneset e pushtetit. Vetëm programi ynë e garanton sipërmarrjen, shkruan Rama në Twitter.
Pak më herët ministri i Financave kishte deklaruar se amnistia dështoi edhe për faj të opozitës. Nisur nga situata në të cilën u zhvillua nga mungesa e një konsensusi politik dhe debati të fortë politik dhe nga kundërshtitë të shprehura të opozitës lidhur me këtë nismë, nuk arriti maksimalisht objektivin. Në tërësi amnistia çliroi qytetarët dhe biznesin nga një sërë detyrimesh dhe nga mënjanimi i një sërë pagesash të rritura për shkak të dinamikës që ka pasur tregu i pasurive fikse në Shqipëri, tha Bode.