E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqtarja Fatmira Hajdari rrëzon Prokurorinë e Përgjithshme

Gjykata e Tiranës rrëzoi për të dytën herë Prokurorinë e Përgjithshme për çështjen e hetimeve të rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Pas gjysmë ore në dhomën e këshillimit, e tërhequr për kërkesën e prokurorit të çështjes për shpallje të moskompetencës së kësaj gjykate për gjykimin e kërkesës së ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, gjyqtarja Fatmira Hajdari vendosi ta rrëzojë këtë kërkesë. Pasi hyri sërish në sallën e gjyqit, gjyqtarja Hajdari u komunikoi palëve se rrëzon kërkesën dhe se do ta gjykojë vetë kërkesën e bërë nga avokati i Bashës, Zef Nikaj, për të dhënë vendimin për ndalimin e hetimeve ndaj tij. Por, në këtë moment të shpalljes së vendimit të ndërmjetëm, prokurori Arben Kraja mori sërish fjalën dhe kërkoi përjashtim të gjyqtares nga gjykimi i kësaj kërkese, duke e argumentuar me njëanshmëri gjatë këtij procesi. Gjyqtarja Hajdari i kujtoi prokurorit se gjatë këtyre tri ditëve duhet të depozitojë kërkesën me argumentime ligjore në sekretarinë e gjykatës, për t’u caktuar më pas një tjetër gjyqtar që do ta shqyrtojë atë. Në këtë moment të procesit, gjykata vendosi ndërprerjen e gjykimit derisa një trup gjykues të shqyrtojë kërkesën e organit qendror të akuzës për përjashtim për njëanshmëri të gjyqtares Hajdari.

Seanca

Dy javë pas depozitimit të kërkesës së avokatit të Lulzim Bashës, Zef Nikaj, për pezullim të hetimeve dhe pavlefshmëri të akteve procedurale, mesditën e djeshme nisi në Gjykatën e Tiranës shqyrtimi i kërkesës nga gjyqtarja Fatmira Hajdari. Fillimisht gjyqtarja u njoh me kërkesat paraprake të palëve, shtimin e objektit të padisë nga pala kërkuese edhe për pavlefshmëri të njoftimit të akuzës dhe shpalljen e moskompetencës për gjykimin nga pala e paditur. Gjatë parashtrimit të kërkesave, gjyqtarja Hajdari nuk ka lënë pa ironizuar Prokurorinë e Përgjithshme për dërgimin e kësaj shkrese zyrtare, e cila sipas saj, i ka mbërritur më parë medias sesa asaj si gjyqtare e çështjes. “Shkresa juaj më ka mbërritur në orën 15:55, vetëm pak minuta para mbylljes së orarit zyrtar të punës, ndërkohë që si fakt e kam dëgjuar në lajmet mediatike në orët e mesditës”, - u shpreh gjyqtarja Hajdari, duke u tërhequr për në dhomën e këshillimit për t’u shprehur rreth kërkesave dhe kundërshtive të palëve. Avokati Nikaj u shpreh se kërkesa e klientit të tij duhet shqyrtuar nga kjo gjykatë, pasi nuk bëhet fjalë për çështje themeli që të gjykohet në Gjykatën e Lartë, por për një kërkesë procedurale. Me këtë argument e mbrojti vendimin e saj pas 30 minutash edhe gjyqtarja Hajdari, e cila u shpreh se do ta gjykojë vetë këtë kërkesë, e cila nuk është çështje themeli. Gjyqtarja Hajdari, bashkëshorte e liderit të demokracisë, Azem Hajdari, në përfundim të seancës tha se “shqyrtimi i kësaj kërkesë-padie është kompetencë e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë”. Pra, do të jetë ajo që do të vendosë se çfarë do të bëhet me dosjen “Basha” dhe jo Gjykata e Lartë. Në këtë moment të shqyrtimit, prokurori vendosi të parashtrojë një tjetër kërkesë, atë të përjashtimit të gjyqtares Hajdari nga gjykimi i kërkesës së Bashës, duke e akuzuar për njëanshmëri.

Somario

“Shkresa juaj më ka mbërritur në orën 15:55, vetëm pak minuta para mbylljes së orarit zyrtar të punës, ndërkohë që si fakt e kam dëgjuar në lajmet mediatike në orët e mesditës”, - u shpreh gjyqtarja Hajdari

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›