“Dita e Shtetit Shqiptar”, me ligj të veçantë
E gjykova të arsyeshme të shpreh disa mendime sot për një problem që më duket shumë i rëndësishëm dhe i cili ndoshta krejt rastësisht ka mbetur jashtë vëmendjes sonë si kolegë dhe si shqiptarë. Qëllimi im kryesor është të sjell në vëmendjen e ligjvënësit idenë e vlerësimit të një dite përkujtimore simbolike, ndoshta po aq të rëndësishme, sipas mendimit tim, sa edhe 28 Nëntori, dita historike e pavarësisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve e vitit 1912 të cilën e festuam si gjithnjë me madhështi pak ditë më parë.
Shqiptarët e festojnë 28 Nëntorin për thuajse një shekull si ngjarjen më të rëndësishme të historisë së tyre moderne, por po kaq i rëndësishëm mendoj se është edhe themelimi i shtetit modern shqiptar i cili është shumë më i hershëm sesa kjo datë. Në 28 nëntor vetëm u bë i pavarur një shtet shqiptar i cili ka ekzistuar si realitet disa shekuj më parë. Natyrisht, përpara se të shkruaj për këtë kam biseduar me miq historianë dhe të tjerë, të cilët ose e kanë vlerësuar idenë ose, së paku, nuk e kanë kundërshtuar. Megjithatë, jam i vetëdijshëm se për të gjykuar rreth këtij problemi duhet zgjeruar rrethi i diskutimeve me historianë, çka u përket strukturave shtetërore që ta bëjnë nëse e gjykojnë të arsyeshme. Prandaj, mendoj se është shumë e rëndësishme që qeveria shqiptare, e cila e ka të drejtën e propozimit të festive zyrtare kombëtare, të vërë në lëvizje mekanizmat e nevojshëm për të gjykuar shkencërisht dhe përgatitur një projektligj të posaçëm për të caktuar një ditë e veçantë si “Dita e Shtetit Shqiptar” i cili të parashikojë veprimtari festive kombëtare përkatëse në përputhje me rëndësinë e kësaj ngjarjeje. Ky problem lidhet me idenë e përfshirjes në protokollin zyrtar të shtetit tonë të një dite të veçantë festive e cila të ketë ceremonialin e vet. Ekzistenca dhe festimi i ngjarjeve të tilla të lidhura me themelimin e shteteve janë të njohur për shumë vende të Evropës e të botës. Kështu, në vitin 1991, Konfederata Zvicerane festoi 700-vjetorin e themelimit të saj, kurse në vitin 2001, Hungaria festoi 1000-vjetorin e themelimit të shtetit hungarez. Natyrisht, nuk më përket mua as politikës në përgjithësi të përcaktojnë se cila mund të ishte kjo datë apo se mbi cilën ngjarje shtetformuese duhet të mbështetemi, por historianëve. Unë mund vetëm të them, pa këmbëngulur aspak përpara historianëve tanë, se ndoshta themelimi i shtetit shqiptar mund të ishte një ngjarje që lidhet me ditën e Kuvendit të Lezhës të 2 marsit të vitit 1444, me themelimin e Shtetit të Arbrit në fundin e shekullit 12 apo me ndonjë periudhë tjetër më të hershme.
Vendosja e një dite të tillë në protokollin e festave zyrtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve do të plotësonte ndoshta një boshllëk në respektimin zyrtar ndaj historisë sonë shumëshekullore, figurave të shquara të saj dhe kulturës shtetformuese të shqiptarëve. Kjo ditë do të kishte ndikimin e saj të rëndësishëm në vetëdijen historike e kombëtare të brezave njerëzorë të sotëm e të nesërm. Dëshiroj të theksoj se ndoshta ka ardhur koha që të heqim një kundërshti që ekziston për një kohë të gjatë ndërmjet studimeve të bollshme vlerësuese mbi historinë shtetformuese të shqiptarëve dhe mospasqyrimit të tyre në vlerësimin zyrtar të shtetit shqiptar.
Jam i vetëdijshëm se edhe unë në mënyrë vetjake mund të ndërmarr një nismë për këtë qëllim, por meqenëse kjo kërkon një këshillim më të gjerë sesa mund të bëj vetëm unë si deputet, vendosa që sot vetëm ta sjell në vëmendjen e Kuvendit dhe të qeverisë.
*Deputet, kryetar i PLD-së