Berisha: Shqiptarët janë fatlumë që Rama nuk mi bllokon dot reformat ekonomike
Kryeministri Sali Berisha foli në mbledhjen e qeverisë për gjendjen ekonomike në vend. ai tha se ka dy të dhëna që dëshmojnë për vitalitetin e ekonomisë. Berisha tha se janë rritur investimet e huaja. Investimet e huaja për katër muajt e parë u rritën me mbi 20 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo është një arritje shumë pozitive dhe dëshmi se punësimi i shqiptarëve do të vijë në rritje, tha Berisha.
Ndërkohë e dhëna e dytë sipas Berishës është shtimi i bizneseve të reja në vend. Sipas QKL, katërmujori i parë i vitit pati një shtim prej 420 biznesesh të reja të licencuara, nga vendi dhe të huaja. Analistët preferojnë ta lidhin këtë me kthimin e emigrantëve. Nuk përjashtohet mundësia që biznese të vendeve fqinje të transferohen në Shqipëri, por e rëndësishme është se kjo po ndodh pasi ka klimë miqësore ndaj biznesit, ndaj janë edhe të mirëpritur dhe të sigurt se do të bëjmë gjithçka për suksesin biznesit të tyre, theksoi kryeministri.
Berisha tha se çdo javë po hyn në funksion një HEC i ri. Ai shtoi se shqiptarët i paguanin më parë impulset në telefon sa frëngu pulën, kurse tani çmimet janë ulur me pesë herë. Berisha përmendi sërish faktin që do hapen 1200 qendra interneti falas në vend.
Berisha tha se shqiptarët duhet të jenë fatlumë që Edi Rama nuk i bllokon reformat ekonomike.
Shqiptarët janë fatlumë që këto reforma nuk mund të bllokohen se nuk janë me 3/5, sepse siç është bërë e qartë për gjithë shqiptarët, zoti Rama përdor 3/5 për të bllokuar gjithë vendin, pasi në konceptin e tij konsensus do të thotë bllokim. Por këto janë jashtë asaj rreze të ngushtë që kërkojnë 3/5 ndaj dhe ecin. Sulmohen, por prapë ecin. Janë në memorien e medias sulmet ndaj koncesioneve, por çdo ditë ato shkëlqejnë gjithnjë e më shumë, tha Berisha.