E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasjet për tregtinë minojnë ëndrrën për unitet Shqipëri- Kosovë

Share

Përplasjet për tarifat mes dy vendeve shqiptare po pengojnë qëllimin për të krijuar një treg të përbashkët. Shembulli i fundit është përplasja për çimenton.

Nga Besar Likmeta

BIRN

Që kur NATO ndihmoi Kosovën e banuar kryesisht nga shqiptarët që të shkëputej nga Serbia, më shumë se një dekadë më parë, bisedimet për krijimin e një tregu të përbashkët me Shqipërinë fqinje kanë qenë rutinë e përditshme e diskursit politik.

Por pavarësisht shumë premtimeve që janë bërë nga nivelet më të larta të pushtetit në dy vendet, shkëmbimet tregtare mbeten në nivele të ulëta dhe mosmarrëveshjet për tarifat janë shtuar.

Një vendim i kohëve të fundit nga ministrja e Tregtisë e Kosovës, Mimoza Kusari- Lila, për të vendosur një tarifë prej 35 përqind për importin e çimentos, që më së shumti dëmton një kompani shqiptare të vendosur në fushë- Krujë, ka rindezur debatin.

Sipas Dhomës së Tregtisë së Tiranës, Kosova importoi 175 mijë ton çimento nga Shqipëria në vitin 2011, me një vlerë prej 12 milion dollarë, duke përbërë kështu një pjesë të rëndësishme të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.

Shkëmbimet tregtare mes dy vendeve arrijnë në 65 milion dollarë në vit.

Në një konferencë për shtyp të martën, kreu i Dhomës së Tregtisë së Tiranës, kërkoi që qeveria shqiptare të ndërhyjë.

Një taksë e tillë penalizuese do të ketë një impakt social, tha kreu i dhomës, Nikolin Jaka, duke nënvijëzuar se tregtia e çimentos shqiptare me Kosovën përfshin rreth 200 kompani vendase dhe shumë vende pune.

Megjithatë Kusari- Lila qëndron e patundur në vendimin e saj, duke akuzuar Shqipërinë se ka dëmtuar prodhuesin vendas të çimentos, SharrCem, duke përmbytur tregun.

Qëllimi ynë nuk është të bllokojmë çimenton shqiptare, por të vendosim kontrollin në treg, tha ajo për një televizion shqiptar.

Vendimi i Kusari- Lilës është kritikuar nga Zyra Civile e BE në Kosovë, që thotë se tarifat janë në kundërshtim me marrëveshjen për tregti të lirë në rajon, që njihet me emrin CEFTA.

Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria e Kosova përplasen për tarifat. Pak muaj më parë fermerët kosovarë protestuan kundër tarifave të Shqipërisë për importin e patateve nga Kosova, duke kërkuar nga Tirana që ti ulë ato.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›