E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma e pensioneve, jo para zgjedhjeve të 2013-ës

Kryeministri Berisha dhe ministri i Financave, Ritvan Bode

Emirjon Senja

Ekonomia shqiptare ka një potencial të madh për të zhvilluar gjatë viteve të ardhshme, por e gjithë kjo do të varet nga politikat fiskale dhe reformat që do të marrin qeveritë që do të jenë në pushtet. Kjo është ajo që paraqitet në raportin e Agjencisë e Vlerësimit Standard and Poors mbi ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë viteve të fundit si edhe perspektivën e saj në vijim. Agjencia e vlerëson ekonominë shqiptare si stabël duke parashikuar një rritje prej 1.5 për qind për këtë vit, ndërsa paraqet në raportin e saj një serë reformash që duhet të përmbushë vendi për të përballuar efektet e krizës globale me qëllimin final stabilizimin e treguesve fiskal, të cilët kanë pësuar luhatje të forta kryesisht gjatë dy viteve të fundit. Kriza financiare paraqet një ambient sfidues për autoritetet qeveritare shqiptare dhe ato monetare, të cilat duhet të ruajnë stabilitetin financiar. Sipas mendimit tonë, marrja e masave paraprake me rregulla të qarta dhe rigorozë do të parandalonin zhbalancimet fiskale, të cilat pengojnë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Masa të tilla duhet të përfshijnë një rishikim të sistemit të sigurimeve shoqërore por edhe reduktimin ekonomisë informale në vend duke çuar në një përmirësim të ndjeshëm në drejtim të mbledhjes së të ardhurave në buxhet, – theksohet në raport në të cilin përmendet edhe rënia e ritmit të realizimit të të ardhurave në buxhet gjatë muajve të fundit.

Në raportin e saj, agjencia ndalet edhe në skemën e pensioneve, për të cilët shprehet se nuk pret që reforma e nisur tashmë nga qeveria të përfundojë apo të implementohet para zgjedhjeve të 2013-ës. Vërejmë se rënia e masës së kontributeve për sigurimet shoqërore nuk ka ndikuar në rritjen e të ardhurave, ndërsa raporti kontribuues/përfitues është përkeqësuar. Ndryshimet në skemën e pensioneve kanë mospërputhje të ndërmjet shpenzimeve dhe kontributeve. Ne nuk presim që reforma në pensione të miratohet apo implementohet para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013, – shpjegon raporti. Një vlerësim i tillë vjen për faktin se reformat në skemat e pensioneve shoqërohen zakonisht me kosto elektorale, të cilat qeveritë do të preferonte ti shmangin në zgjedhje.

Për sa i përket kreditimit, agjencia vlerëson se sistemi bankar do të vazhdojë të mbetet i kujdesshëm në këtë drejtim. Kjo sipas raportit vjen për shkak të rritjes së kredive me probleme. Një situatë e tillë mund të pengojë rritjen ekonomike të vendit, -vijon raporti.

Agjencia e sheh si tepër të rëndësishme ecurinë e vendit në drejtim të përmbushjes së detyrimeve për tu integruar në BE, duke theksuar madje se edhe vlerësimi mbi ekonominë do të varet pjesërisht edhe nga performanca e vendit në këtë drejtim. Ne mund të ulim vlerësimin nëse qeveritarët braktisin reformat për integrimin në BE apo nëse ka goditje të forta fiskale duke marrë parasysh pasigurinë që shkaktohet nga situate në eurozonë. Por ne, mund të rrisim vlerësimin nëse qeveria i trajton me sukses sfidat për integrimin në BE duke konsoliduar njëkohësisht treguesit fiskal. Zhvillimet politike dhe institucionale do të ndikojnë në vlerësimet e ardhshme, – thekson raporti.

Çfarë do të thotë vlerësimi B+ për Shqipërinë?

Standard and Poors vlerëson cilësinë e borxhit të shteteve bazuar në një serë treguesish duke filluar nga ato financiar e deri tek situata politike dhe gjeopolitike e një vendi. Por çfarë do të thotë vlerësimi B+ për Shqipërinë? Pavarësisht se agjencia shprehet për një situatë stabël për vendin, kategoria B+ në tabelën e vlerësimeve të kompanisë nuk është dhe aq pozitive. Vlerësimi për shtetet fillon nga AAA, e cila përkon me shtete me kapacitete ekstremisht të fuqishme për të përballuar detyrimet financiare, vijon me AA; kapacitete të forta për të përballuar detyrimet financiare etj., duke përfunduar me kategorinë D, e cila përkon me vendet që kanë falimentuar. Kategoria B+, në të cilën është Shqipëria vlen për vendet me rrezikshmëri të lartë për investime. Nuk këshillohet të blihen borxhe nga këto shtete kurse ato të blera cilësohen në gjuhen teknike si junk apo plehra.

Mungojnë 8.7 mld lekë, ja pse qeveria po ndryshon buxhetin

Treguesit mbi ecurinë e të ardhurave gjatë muajit të pestë të vitit pritej të ishin ata që do të krijonin një ide më të qartë mbi qëndrimin e qeverisë në lidhje me ndryshimet në buxhetin e shtetit të miratuar në fund të vitit të shkuar. Ministria e Financave publikoi dje treguesit fiskal për muajin maj në të cilin paraqitet ecuria e të ardhurave dhe shpenzimeve gjatë këtij muaji.

Nga të dhënat e publikuara, pasqyrohet një situatë e përkeqësuar në drejtim të realizimit të të ardhurave ne buxhetin e shtetit, ku vlen për tu theksuar ulja drastike e të ardhurave nga Tatimi mbi Fitimin, Tatimi mbi të Ardhurat Personale apo ato nga Akciza. Sipas të dhënave, buxheti i shtetit përballet aktualisht me një mosrealizim prej 8.77 miliardë lekësh në drejtim të të ardhurave ku pjesa më e madhe e gropës është shkaktuar nga ulja e të ardhurave nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe Tatimi mbi Fitimin. Të dy treguesit në fjalë, paraqesin atë çka është duke ndodhur aktualisht në ekonomi, ku konsumatorët kanë ulur shpenzimet dhe për rrjedhojë, bizneset parashikojnë më pak fitim nga muaji në muaj. Të ardhurat nga TVSH-ja paraqiten rreth 3.2 miliardë lekë më pak nga sa ishte parashikuar fillimisht nga qeveria, ndërsa të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë rreth 2.8 miliardë lekë më pak.

Vlen për tu theksuar fakti se të ardhurat nga vjelja e tatimit mbi fitimin paraqiten me një mosrealizim prej 27 për qind në raport me planin por edhe një rënie me 23 për qind të njëjtën periudhë të një viti më parë. Më rënie gjithashtu paraqiten edhe të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale. Mosrealizimi në këtë zë është rreth 620 milionë lekë në raport me planin si edhe rreth 200 milionë lekë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për sa i përket shpenzimeve, qeveria duket se ka liruar dorën gjatë muajve të fundit ndryshe nga janari dhe shkurti. Të dhënat tregojnë se ekzekutivi ka shpenzuar rreth 47 milionë dollar më shumë se plani deri në fund të majit. Qeveria ka ulur me rreth 1.6 miliardë dollar shpenzimet për interesa, ndërsa ka rritur me nga tre miliardë lekë shpenzimet korrente si edhe ato për investime. Rritja e këtyre të fundit është një tregues pozitiv, megjithatë gjasat janë që qeveria të mos vazhdojë të njëjtin ritëm shpenzimesh në këtë drejtim pas shkurtimeve në buxhet.

27

për qind ranë të ardhurat nga tatim-fitimi deri në fund të muajit maj sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave. Treguesit pasqyrojnë krizën që po përjeton biznesi në vend

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›