E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Shqiptarët janë të mençur dhe e dinë pse dështuam. Rama është kthyer një problem serioz për vendin

Share

Ambasadori i BE-së, Etore Sekui, i ka dorëzuar kryeministrit Berisha progres-raportin e Këshillit të Europës, i cili zyrtarizon dështimin e Shqipërisë në marrjen e statusit si vend kandidat.

Gjatë konferencës për shtyp, Berisha ka thënë se qeveria ka plotësuar disa nga detyrimet, por Shqipëria ka dështuar në marrjen e statusit, pasi opozita nuk ka votuar ligjet.

Sipas Berishës, shqiptarët janë të kthjellët dhe e kuptojnë se kush është fajtor për dështimin e Shqipërisë. Sipas kryeministrit, fajtore është pikërisht opozita dhe kryetari i saj, Edi Rama. Sipas Berishës, Rama është kthyer në një problem serioz për vendin, sepse po pengon integrimin.

“Njerëzit e thjeshtë janë të kthjellët në këtë vend dhe e shohin që roli i Ramës është bllokimi. Rama kërkon që tu hedhë hi syve shqiptarëve. Rama është një problem serioz, sepse ka vendosur interesat e veta mbi ato të vendit”, tha Berisha.

Rama ka dërguar letra dhe ka bërë telefonata të shumta që Shqipëria të mos e marrë statusin e vendit kandidat. Cili ishte rezultati? 21 janari. Shqiptarët janë njerëz të mençur dhe e kuptojnë kush e ka fajin, tha Berisha

Më poshtë një pjesë e fjalimit të tij:

“Shpreh mirënjohjen më të thellë për Komisionin Europian për ndihmën e madhe që i ka dhënë Shqipërisë. Siguroj se procesi i integrimit mbetet një proces i një rëndësie themelore, në të cilin qytetarët shqiptarë do të bëhen më të lirë dhe më të sigurtë.

Mbetem i bindjes më të thellë se ky proces nuk mund të jetë tjetër përveçse kryekëput në meritë dhe në performancë. Shqiptarët nuk do ta mund ta gëzonin ndryshe një proces tjetër. Ndaj dhe jam i bindur se kjo është rruga më e sigurtë.

Nuk e kam lexuar raportin, por unë e garantoj ambasadorin se raporti përbën një program të vërtetë pune përsa u përket reformave të qeverisë sime.

Për Shqipërinë, mendimi vjen negativ përsa i përket statusit. Pse? Një vit më parë, KE ka renditur 12 kërkesa, që të gjitha të drejta. Disa nga këto kërkesa janë avancuar dhe kanë ndryshuar për mirë gjërat. Një pjesë e tyre kanë mbetur në vendnumëro, sepse kanë kërkuar një votim me 3/5.

Por, i dashur ambasador, është një traditë e keqe në Shqipëri, që i shohim problemet tek të tjerat, jo tek vetja. Unë i shoh problemet tek vetja jonë. Në Shqipëri nuk votohet dhe ky është një fakt.

Unë jam i gatshëm që të plotësoj reformën zgjedhore, por rivali im më propozon një platformë qesharake.

Unë mbetem tërësisht i hapur për dialog, por nuk mund të shkelmoj disa parime bazë të kushtetutës. Dialogu kërkon dy palë, nuk është vetëm në dorën time”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›