Berisha: Shqiptarët nuk kanë hobi për skafet

MORATORIUMI/ Kryeministri u shpreh i vendosur për mosheqjen e moratoriumit duke thënë se skafet përdoren vetëm për "udhëtime kriminale"
DURRËS - Moratoriumi i skafeve nuk do të hiqet për aq kohë sa shqiptarët nuk i përdorin ato për hobi, por për udhëtime kriminale. Këto kanë qenë fjalët e kryeministrit Sali Berisha dje në qytetin e Durrësit ndërkohë që mori pjesë në përurimin e Qendrës së Përbashkët të Kontrollit të Hapësirës Detare.
"Sistemi i radarëve të detit u plotësua, por sërish ne do të mbajmë moratoriumin për skafet, sepse e vërteta është se ato janë faktuar industri kriminale e mafies dhe nuk ka pse të dobësojmë qëndrimin tonë ndaj tyre.
As nuk janë përdorur dhe as nuk përdoren për hobi. Janë përdorur dhe synojnë që të përdoren vetëm për trafiqe kriminale",- u shpreh kreu i qeverisë shqiptare. Duke iu drejtuar oficerëve të kufirit ai theksoi përballjen e tyre "me udhëtime kriminale nga brigje të tjera për në Shqipëri".
Sipas kryeministrit, Adriatiku pas bashkëpunimit me rojën bregdetare italiane dhe greke, është kthyer në një prej detrave më të sigurta dhe se vendet fqinje kanë propozuar që qendra e përuruar të shërbejë si një qendër model rajoni. Për krijimin e kësaj qendre janë bërë investime serioze.
Sistemi i radarëve të saj ka kushtuar rreth 2,4 miliardë lekë dhe bazohet në teknologjinë më moderne. Kontrolli i hapësirës detare me radarë rrit në shkallë maksimale mundësinë e operacioneve të shpëtim-kërkimit.
Kryeministri: Rreziku vjen nga Lindja
Duke folur lidhur me qendrën e kontrollit të hapësirës detare, Berisha tha se qeveria do të bënte çdo investim të nevojshëm që ajo të ishte vërtet një qendër shembullore dhe Adriatiku të ishte një nga detet më të sigurta e të qeta.
"Janë brigjet e tij që përballen me një presion të jashtëzakonshëm të kriminalitetit që vjen nga Lindja. Me ketë unë nuk dua të them se nuk ka kriminalitet në Perëndim. Kriminalitetit është patotenik.
Por e vërteta është se plantacionet e opiumit dhe zonat e nxehta janë aktualisht në Lindje. Ndaj dhe ne duhet të bashkëpunojmë me të gjitha vendet, me Malin e zi, Slloveninë, Kroacinë, Greqinë, në mënyrë që të bëjmë hapësirën tonë detare një hapësirë të sigurt për të gjitha vendet e rajonit",- theksoi kreu i qeverisë. Sipas Berishës, deti është burim pasurish të mëdha, burim kënaqësish të mëdha, por jo rrallë është edhe burim fatkeqësish të thella njerëzore, që shqiptarët i kanë përjetuar jo pak.
"Kontrolli i hapësirës detare të vendit ka një rëndësi të jashtëzakonshme edhe për parandalimin e trafiqeve dhe krimit të organizuar; luftës kundër kontrabandës, trafiqeve kriminale etj" përmbylli kryeministri, duke theksuar edhe një herë mbajtjen e moratoriumit të skafeve.