E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmet e Gërdecit, tre vlerësues në gjyq

Të akuzuarit në 24 raste, rritën në mënyrë fiktive dëmet e shkaktuara nga shpërthimi i fabrikës së municioneve


Abuzimi u denoncua nga bashkia e Vorës, ndërsa ekspertimi i kryer nga prokuroria zbuloi mbivlerësimin e kryer


TIRANË- Tre ish- vlerësues të dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi i Gërdecit me 15 mars 2008, u dërguan në Gjykatë, në cilësinë e të pandehurve për abuzime në vlerësimet në banesa të ndryshme.


Këta ish- vlerësues dëmesh janë marrë të pandehur, për shpërdorim detyre, pasi gjatë vlerësimit të dëmeve të ardhur nga shpërthimi, dyshohet se i kanë dyfishuar ato.


Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të institucionit të akuzës në kryeqytet, të cilët shtuan se tre të pandehurit janë punonjës të bashkisë së Vorës dhe të Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit të Intergimit të Zonave dhe të Ndërtimeve Informale, (ALUIZNI).


Gëzim Aliu, punonjës i bashkisë së Vorës, Mirela Mazari dhe Lamion Deçka, punonjës të ALUIZNI-t, sipas prokurorisë, akuzohen se kanë konsumuar veprën penale të "shpërdorimit të detyrës" me një dëm në buxhetin e shtetit që kap shifrën e 8 milionë lekëve të reja.


Për të njëjtën vepër penale, prokuroria me 13 prill 2009 ka dërguar për gjykim si të pandehur edhe pesë ekspertë të tjerë, punonjës të Bashkisë së Vorës dhe ALUIZNI-t. Në lidhje me dosjen e fundit, të tre të pandehurve, nga riekspertimet e specialistëve të ngarkuar nga prokuroria, ka rezultuar se tre vlerësuesit e dëmeve kanë abuzuar, duke rritur vlerën e dëmtimeve fiktivisht.


"Dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit nga vlerësimi i gabuar i tre ekspertëve Gëzim Aliu, Mirela Mazari dhe Lamion Deçka, arrin në rreth 8 milionë lekë të reja, që i përket vlerësimit të dëmeve në 24 banesa të fshatit Gërdec e Marqinet.


Hetimi ka nisur pas një kallëzimi që është kryer nga bashkia e Vorës si dhe një materiali të referuar prokurorisë nga policia. Kjo e fundit kishte marrë disa kallëzime nga persona të ndryshëm të dëmtuar, të cilëve nuk iu ishte vlerësuar realisht dëmi.


Me datë 8 prill 2009 një grup ekspertësh i përbërë prej pesë personash, dorëzoi aktin e ekspertimit të kryer në zonën e prekur nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec. Në bazë të këtij akti, rezulton se janë 24 banesa që krahasim me ekspertimin e parë dhe ekspertimin e dytë kanë diferenca të mëdha në shumën e përcaktuar të dëmeve të ardhura nga shpërthimi i fabrikës së municioneve.


Në fillim vihet re se në ekspertimet e kryera kanë marrë pjesë tre të pandehurit Gëzim Aliu, Mirela Mazari dhe Lamion Deçka. "Qeveria, në bashkëpunim me bashkinë e Vorës, menjëherë pas ngjarjes së 15 marsit 2008, ngritën grupe pune për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi i rreth 700 tonëve barut që ndodhej brenda punishtes së çmontimit të municioneve në Gërdec.


Nga këto vlerësime, shumë banorë të zonës shprehën pakënaqësi, duke akuzuar grupet e vlerësimit të dëmeve për mbajtjen e dy standardeve gjatë vlerësimit",- thanë burime të hetimit.

Duke marrë shkas nga ankesat e shumta, prokuroria nisi hetimin kryesisht për dy grupe pune prej 10 personash. Ndërkaq, 58 familje të dëmtuara depozituan me shkrim në Bashkinë e Vorës ankimimin ndaj vlerësimeve të grupeve përkatëse dhe prokuroria, nga këto pakënaqësi filloi hetimin. Çështja u nda në dy dosje dhe u rikrijua një grup për rivlerësimin e dëmeve.


"Pas rivlerësimit, në prill 2009 u dërguan të pandehur pesë ekspertë, për vlerësime abuzive. Një vit pas tyre, u dëguan edhe tre të tjerë, që kanë vlerësuar dëmet në 24 banesa, duke rritur artificialisht dëmin, që arrin në rreth rreth 8 milionë lekë të reja",-thuhet në kërkesën për gjykim.


Të akuzuarit në disa raste dyshohet se kanë vlerësuar më pak dëmet, duke shkruar në procesverbalet përkatëse vlera më të ulëta nga realet.

Ne grupin e banesave që kanë vlerësuar janë përcaktuar këto shtëpi të mbivlerësuara si më poshtë:


Banesa e Sh.Gj.
Vlerësimi i parë 2.73 milionë lekë
Vlerësimi i dytë 3.6 milionë lekë
Vlerësimi i ekspertëve të prokurorisë 2.2 milionë lekë

Banesa e S.Gj.
Vlerësimi i parë 5.16 milionë lekë
Vlerësimi i dytë 10.2 milionë lekë
Vlerësimi i ekspertëve të prokurorië 5.3 milionë lekë

Banesa e H. Gj.
Vlerësimi i parë 2.7 milionë lekë
Vlerësimi i dytë 3.6 milionë lekë
Vlerësimi i ekspertëve të prokurorisë 1.9 milionë lekë

8 milionë lekë është afërsisht dëmi i shkaktuar në buxhetin shtetit nga këta persona, nëpërmjet mbivlerësimit të dëmëve në 24 banesa të ndryshme në Gërdec.


TË PANDEHUR

Gezim Aliu, punonjës i bashkisë Vorë
Mirela Mazari, punonjëse e ALUIZNI-t
Lamion Deçka, punonjës i ALUINI-t

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›