E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varrezat masive ishin urdhër i Djordjevic

Dëshmitari i mbrojtur, K-87, deklaroi të hënën në Hagë se në pranverë të vitit 1999 gjenerali i Policisë, Vlastimir Djordjevic, i kishte urdhëruar që kufomat nga Kosova t’i varroste në bazën e MPB të Serbisë, në Batajnicë.

K-87 është njëri nga tre dëshmitarët e fundit në gjykimin e gjeneralit serb të Resorit të Sigurisë Publik të MPB të Serbisë, Vlastimir Djordjevic, i cili akuzohet për transferim të dhunshëm, deportim, vrasje dhe dëbim të shqiptarëve nga Kosova, në gjysmën e parë të vitit 1999.

Dëshmitari, nga fjalët e të cilit del se ishte shef i shërbimit teknik në bazën e Njësitit Special Antiterrorist (SAJ) të MPB të Serbisë në Batajnicë, deklaroi se në fund të muajit prill 1999 gjenerali Djordjevic e kishte thirrur me telefon që të shkonte në zyrën e tij.

Paraprakisht, në bazë kishin arritur disa kamionë.
"Hyra në zyrën e gjeneralit Djordjevic. Ishim vetëm unë dhe ai. Më tregoi se ku do të duhej të ishte lokacioni... Ai e caktoi lokacionin ku duhej të varroseshin trupat – prapa poligonit të gjuajtjes, në qendrën 13 Maji, në Batajnicë”, tha K-87.

Sipas dëshmitarit, gjatë dhënies së urdhrit Djordjevic u thirr në emër “të shefit”.
I pyetur nga prokurori se kush sipas mendimit të tij ishte “shefi”, dëshmitari u përgjigj se ai mund të ketë qenë vetëm ish-ministri i Brendshëm, Vlajko Stoiljkovic, e jo kryetari i RFJ, Slobodan Milosevic.

K-87 deklaroi se ai pastaj “vetëm e zbatoi urdhrin” dhe i urdhëroi vartësit e tij që me ekskavator të hapnin varrezën në vendin ku kishte urdhëruar Djordjevic.

Pas kësaj, kufomat që ishin sjellë me kamionë në bazën në Batajnicë ishin varrosur në varrezën masive.

Në të njëjtën mënyrë, Djordjevic e kishte kontaktuar dëshmitarin edhe tri katër herë me telefon edhe gjatë ditëve të ardhshme, duke e paralajmëruar kështu për ardhjen e kamionëve. K-87 ndërkaq e organizonte varrimin e kufomave.

Sipas aktakuzës, kufomat e civilëve të vrarë shqiptarë, me urdhër të kryetarit të asokohshëm të RFJ, Slobodan Milosevic, policia serbe i transferonte në Serbi për të fshehur kështu gjurmët e krimeve në Kosovë.

Vetëm nga disa lokacione brenda bazës së MPB në Batajnicë deri më tani janë ekshumuar mbi 800 persona. (Beta)

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›