E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi i Dokles, heroinë nga grupi i "Oktapodit"

Prokuroria thotë se të arrestuarit e të shtunës, shkëmbenin drogë me të arrestuarit e një viti më parë në Librazhd


Një prej të akuzuarve të operacionit të fundit dyshohet se ishte ndërlidhësi mes dy grupeve


TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, tri ditë pas arrestimit të shtatë të dyshuarve si pjesëtarë të "bandës 2" të Durrësit që trafikonin drogë nga Shqipëria në Itali nën "urdhrat" e të pandehurit Endrit Dokle, zbardh detaje të hetimit dyvjeçar në lidhje me bashkëpunëtorët e tyre.


Sipas burimeve zyrtare të organit të akuzës, mësohet se të arrestuarit e operacionit të policisë të koduar me emrin "Ura", Endrit Dokle, Isuf Buna, Shefqet Vata, Jorid Xhunga, Edmond Taullai, Vehap Biba si dhe bashkëshortja e këtij të fundit Eglantina Biba, dyshohet se bashkëpunonin me të arrestuarit e një viti më parë në Librazhd, në operacionin e policisë i koduar "Oktapodi" ku u sekuestruan 8 kg heroinë.


"Nga hetimet disa mujore me metoda speciale, siç janë përgjimet telefonike, ka rezultuar se njëri nga të arrestuarit e tre ditëve më parë, kishte kontakte të vazhdueshme me njërin nga të arrestuarit e 10 majit 2009, shtetasve Enver, Oltion dhe Ermal Gjura të cilëve iu kap dhe sekuestruan 8 kg heroinë si dhe kapitenit të marinës detare shtetasin Feliks Rusto arrestimi i të cilit u krye më 16 dhjetor 2009 si pjesë e këtij rrjeti. Mes dy grupeve, kishte shkëmbim malli (droge) që vinte nga Maqedonia dhe më pas përpunohej në Librazhd.


Pas përpunimit të heroinës me përzierës, sasia paketohej dhe më pas i jepej "korrierëve" për transport drejt Italisë, duke përdorur rrugë të ndryshme tokësore"-thuhej nga burimet.


Gjithashtu, mësohet se i arrestuari i 16 dhjetorit 2009, oficeri Feliks Rusto, me detyrë komandat i M/V 121 të Flotës Detare të Veriut kishte njohje me njërin nga të arrestuarit e operacionit "Ura" dhe në disa raste oficeri i marinës ishte përdorur si "korrier" droge me uniformën e marinës nga Durrësi në Librazhd dhe anasjelltas.


Prokuroria, konfirmon gjithashtu se edhe shtetasi nga Kosova, tashmë i shpallur në kërkim me inicialet I.K. kryente punët e ndërmjetësit, mes "bandës" së drejtuar nga Dokle dhe personave të tjerë në Kosovë, të cilët i shisnin dhe transportonin drogën drejt Shqipërisë dhe më pas drejt Italisë.


Po këto burime, saktësuan se "banda 2" e Durrësit që brenda saj ishin "anëtarësuar" disa kuksianë kishte arritur të siguronte dhe transportonte drejt Italisë gjatë periudhës shtator 2008- prill 2009 në tre episode 40 kg heroinë.


Mall ky, që është sekuestruar nga policia italiane, në Abruco, Trieste dhe Milano, duke arrestuar edhe korrierët, që ndodhen nën hetim nga autoritetet italiane. Hetimet ndaj këtij grupi kriminal, të drejtuar nga Dokle kanë nisur fillimisht nga prokuroria e Durrësit, menjëherë pas vrasjes së Shkëlqim Saliut, të vëllait të Klodian Saliut në shtator të 2008 në lokalin e tyre në Durrës.


Emrat e disa prej të arrestuarve në atë kohë u vendosen në përgjim si të dyshuar për vrasje, por, nga përgjimi rezultoi se ata nuk kishin marrë pjesë në vrasjen e Saliut, por, merreshin me "trafik droge" duke biseduar hapur për mënyrën e organizimit. Menjëherë pas këtyre bisedave mes tyre, prokuroria ka filluar hetimet për akuzën e "trafikut të drogës".


Dyshohet gjithashtu, se edhe para fillimit të hetimit për "trafik droge", të arrestuarit e tre ditëve më parë në operacionin "Ura", janë marrë me këtë aktivitet kriminal, duke dërguar në Itali sasi të mëdha heroine nëpërmjet rrugëve të ndryshme.


Këto detaje, sipas prokurorisë, janë mësuar dhe siguruar më pas nga dëshmia e të penduarit të "bandës" së Durrësit, Adriatik Alias Dritan Coli që ka "rrëfyer" për të gjitha krimet e kryera nga ai dhe "shokët" e tij nga vitit 1991997 e deri në mars të 2006 kur janë arrestuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›