E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësimi në shkollën që u tkurr nga ndërtimet pa leje

Në shkollën "Hamit Mullisi", fizkultura bëhet në oborrin rreth 3 metra gjerësi ndërsa kopshti ngjan me një kasolle. Dëshmitë e mësuesve dhe nxënësve: Sa e vështirë për të bërë mësim!


ELBASAN - Në periferi të qytetit, në zonën më të populluar nga ndërtimet pa leje ndodhet shkolla 9-vjeçare "Hamit Mullisi". Në fillim është e vështirë për ta gjetur mes kthesave përgjatë përroit të Manasderes, por më në fund kur arrin, kupton se shkollat vazhdojnë të jenë një problem më vete në këto ditë dhe shpesh shkak për këtë është mungesa e hapësirës.


Kjo shkollë para viteve '90 megjithëse në një godinë të vjetër, dikur kishte fushat e sportit dhe të gjitha hapësirat për zhvillimin normal të aktiviteteve jashtë klasave. Por tani ajo është rrethuar nga të gjitha anët me ndërtime pa leje.


Dhe ato i janë afruar aq shumë, saqë shkolla në pjesën e përparme ka gjithsej vetëm 3 metra gjerësi për të mbledhur nxënësit, për fizkulturën, pushimin e gjatë dhe të gjitha aktivitetet e tjera. Hapësira brenda është e barabartë me hapësirën jashtë.


Mjafton të hysh në derën kryesore që të kuptosh sesa ngushtë janë të gjithë. Salla e mësuesve është ky korridor i ngushtë në hyrje, ndërsa drejtoria një hapësirë e pamjaftueshme as për një person.


Ndërsa kjo zonë ka pasur një popullsi në rritje, shkolla është bërë gjithmonë e më e vogël. Kështu, laboratori i informatikës kryen dy funksione: atë të një klase normale, ku nxënësit e klasës së 6-të zhvillojnë mësimin dhe atë të laboratorit të informatikës kur mësimi mbaron për klasën tjetër dhe duhet të zhvendoset në një tjetër vend për të zhvilluar mësimin.


E ky është vetëm një nga problemet e kësaj shkolle ku mungojnë të gjitha llojet e laboratorëve dhe nxënësit vizatojnë dhe punojnë për të krijuar mjete që do t'i shërbejnë për fizikën dhe kiminë. E megjithatë, kjo gjendje nuk ka të krahasuar me formën se si organizohet lënda për të cilën ka shumë rëndësi hapësira: fizkultura.


Ora e fizkulturës


Shpresa Qoselli, mësuese e fizkulturës prej 33 vjetësh, ka mbaruar mjeshtëri sportive. Ajo e ka mjaft të vështirë të zhvillojë lëndën që e ka aq shumë pasion. "Kjo shkollë ka pasur fushën e saj sportive me fushë volejbolli dhe basketbolli, gropat e kërcimit në rërë, një pistë vrapimi dhe gjithçka tjetër që i duhet një terreni sportive.


Por pas viteve '90 duke ardhur e duke u ngushtuar shtëpitë erdhën deri tek dera e shkollës dhe ne jemi sot këtu ku jemi", tregon Shpresa. Shkolla nuk ka dhomë për zhveshjen, nuk ka palestër për zhvillimin e gjimnastikës, ndërsa sportet e vetme që mund të praktikohen, kanë si ambient hapësirën e ngushtë të oborrit.


Rrjeta lidhet në shtyllën e portës hyrëse, ndërsa të gjitha klasat janë të përfshira në "emocionet" e orës së fizkulturës për shkak se jashtë dritares topi fluturon dhe kjo ndikon edhe në vëmendjen e nxënësve që ndërkohë zhvillojnë mësim vetëm pak centimetra larg tyre. Vjollca thotë se një pjesë të mirë të sporteve e shpjegon nga ana teorike, pasi terreni është i pamjaftueshëm edhe për një lojë vbojebolli që kërkon një hapësirë 9/18.


Mësuese Shpresa zhvillon edhe planin e saj të aktiviteteve si Kupa e Pranverës dhe nxënësit respektojnë uniformën në çdo orë. Kjo shkollë shfrytëzon Parkun Rinia për shumë aktivitete për shkak se aty gjithçka zbavitëse është e pamundur të realizohet. Mësuesja thotë se situatën kanë ardhur e kanë parë edhe nga ministria, si dhe janë bërë shkresat për këtë situate, por deri tani nuk ka ndonjë masë.


Nëndrejtoresha e shkollës: Hapësirat na mungojnë, duhet shkollë e re


Anila Çota, nëndrejtoreshë e shkollës "Hamit Mullisi", nisur nga kjo situatë thotë se janë gjetur zgjidhje emergjente për të sistemuar disi punën e mungesës së hapësirave. Kështu, kampi veror me fëmijët që zhvillohet nën mbështetjen e "Save the children" spostohet në parkun "Rinia" e kështu gjenden mundësi të tjera.


"Ne kemi dërguar shkresat tona pranë Bashkisë dhe Drejtorisë Arsimore për mungesën e ambienteve, por jemi të vetëdijshëm që duhet një shkollë e re dhe fonde të mëdha gjë që deri tani nuk na është konfirmuar.


Problemi më i madh këtu janë shtëpitë që ia kanë zënë frymën shkollës, e cila është këtu prej 40 vjetësh. Hapësirat rreth saj kanë ardhur duke u ngushtuar deri në këtë gjendje që e shihni.


Rrethimi pas shkollës nuk ekziston, ndërsa ky përpara nuk kryen funksionin e tij dhe sigurisht që rrethon një oborr të pamjaftueshëm. Çota ngre edhe shqetësimin e mungesës së sallës për mësuesit, si dhe për kopshtin dhe për laboratorët e munguar.


Informatika, nxënësit alergji nga tymi


Kompjuterat e kësaj shkolle megjithëse pa internet, janë të kohës dhe mjaft të mirë. Por, kur në të njëjtin vend zhvillohet edhe mësimi normal, edhe lënda e informatikës atëherë problemet janë të mëdha. Nevoja e një laboratori ka bërë që mësuesit të pranojnë këtë zgjidhje, ndërsa nxënësit të binden.


Sapo mbarojnë orën e informatikës, nxënësit rregullojnë bangat për klasën tjetër që do të vijë më pas dhe kjo bëhet një rutinë e përditshme. Të shqetësuar janë edhe mësuesit që do të duhet të presin orën, të zhvishen e të qëndrojnë 5 minuta në korridor.


Ndërkohë që mësuesit thonë se aparaturat mbledhin edhe shumë pluhur, ndërsa lëvizja e herëpashershme e bangave bën që nxënësit të kenë probleme edhe me alergjitë, për shkak të pluhurit që ngrihet.


Kjo situatë është në lagjen "5 Maj", brenda qytetit të Elbasanit, ku jeton një komunitet i madh të ardhurish por që duket se është harruar nga institucionet dhe vetë bashkia.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›