Berisha: Shqiptarët, të barabartë me evropianët

Berisha: Fund izolimit; në ‘90-n, 52 të vrarë në kufijtë shqiptarë. 15 dhjetori, CNN: Ndryshimi i madh për Shqipërinë
Për Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, liberalizimi i vizave me datën 15 dhjetor bën që shqiptarët pas izolimit të gjatë të kenë të drejta të pakufizuara në Evropë. Në një prononcim për CNN, kreu i qeverisë shqiptare deklaron se ky moment i rëndësishëm për shqiptarët i dha fund bunkerizimit të vërtetë ku e kishte mbyllur diktatura komuniste për dekada me radhë. CNN raporton më tej se në Shqipëri javën e kaluar ndodhën ndryshime të mëdha. Që prej 15 dhjetorit, qytetarëve shqiptarë nuk u nevojitet më një vizë për të udhëtuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian, pas dekadash të tëra të regjimit të vizave. Sipas raportit të organizatës “Open Society”, numri i qytetarëve që udhëtojnë drejt vendeve të Bashkimit Evropian, do të dyfishohet.
Sipas Kryeministrit Sali Berisha, ky është shpërblimi më i madh për reformat dhe për ekonominë, që Bashkimi Evropian i ka dhënë ndonjëherë Shqipërisë. “Liberalizimi i vizave është një vendim i rëndësishëm për çdo vend, veçanërisht për ata që 20 vjet jetonin në një bunker të vërtetë, e që u përballën me izolimin më të thellë në histori, si shqiptarët. Më duhet të kujtoj se nga janari deri në dhjetorin e vitit 1990, 52 të rinj u vranë në kufijtë shqiptarë në përpjekje për t’u larguar nga vendi”, - u shpreh z. Berisha.
Ndërsa ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, bën të ditur se liberalizimi I vizave erdhi menjëherë pas kryerjes së reformave të gjera në Shqipëri. Ajo vuri në dukje se liberalizimi i vizave vjen si rezultat i luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe riorganizimi i të gjitha pikave kufitare. “Tani, qytetarët shqiptarë që duan të udhëtojnë për në Bashkimin Evropian, duhet të kenë pasaportën biometrike, e cila është pasaporta më e mirë e prodhuar në vendet e Bashkimit Evropian vitet e fundit", - deklaroi znj. Majlinda Bregu.
CNN bën të ditur se në nëntor 2010, Bashkimi Evropian aprovon liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Gjatë këtyre 20 vjetëve demokraci, shqiptarët kanë pasur të drejta të kufizuara për të udhëtuar drejt Italisë, Gjermanisë, Francës dhe vendeve të tjera të Bashkimit Evropian. Ata ishin të detyruar të merrnin viza dhe të prisnin gjatë para dyerve të ambasadave. Por tani kjo ka marrë fund dhe sipas CNN nismëtar i kësaj kauze është Kryeministri i Shqipërisë, zoti Sali Berisha.