E Diel, 1 Nëntor 2026

Sistem i ri kompjuterik në Gjykatën e Tiranës, nis trajnimi i sekretareve

Hedhja e të dhënave në sistemin e ri nis në janar 2011, akses të plotë KLD, MD dhe gjykatat e tjera në vend. Pjesë e trajnimeve, edhe togat e zeza

Një sistem i ri kompjuterik do të bëjë më të lehtë kontrollin e punës së gjykatave nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Ministria e Drejtësisë. Por jo vetëm, pasi vendimet e hedhura në sistemin dixhital, do të përdoren edhe nga kolege të gjykatave më të vogla. Një fakt i tillë konfirmohet për gazetën nga burime pranë gjykatës më të madhe në vend. Ky është qëllimi i vendosjes së sistemit të ri, i cili u pa si domosdoshmëri për shkak se sistemi i mëparshëm u rëndua mjaft për shkak të ngarkesës së madhe të punës që ka kjo gjykatë. Në fillim të vitit të ardhshëm, kur gjykatat në vend të fillojnë nga puna, Gjykata e Tiranës do të përdorë një tjetër sistem kompjuterik më të avancuar për të administruar punët në këtë institucion. Sekretaret e togave të zeza, gjatë fundjavës janë dërguar në kurse trajnimi për të mësuar përdorimin e sistemit të ri, i cili do të administrohet jo vetëm nga sekretaret, siç ka funksionuar deri tani, por edhe nga gjyqtarët, të cilët do të hedhin në të sistematikisht të dhënat që do të kontrollohen nga Ministria e Drejtësisë, KLD-ja dhe Gjykata e Lartë. Në këtë sistem të ri, i cili pritet të nisë të funksionojë që nga janari i vitit 2011, do të kenë akses edhe togat e zeza të gjykatave të tjera në vend, në mënyrë që të përdorin vendimet e kolegëve për analogji në çështje të ngjashme. Sistemi aktual që përdor gjykata e kryeqytetit dhe katër gjykata të tjera në vend është vlerësuar i papërshtatshëm për shkak të ngarkesës së madhe të punës në këtë institucion, duke bërë që në mjaft raste të mos shënohen në të informacionet e fundit. Ndërkohë burime nga gjykata pohojnë se në ditët në vazhdim do të kryhet edhe trajnimi i togave të zeza rreth përdorimit të sistemit. Realisht, Gjykata e Tiranës dhe katër gjykata të tjera në vend, prej disa vitesh hedhin vendimet në rrjet, por që ky sistem e ka të pamundur të përballojë fluksin e punës në këtë gjykatë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›