E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Si e shpëtova Nanon nga ligji i dosjeve

Berisha tha se Gjykata Kushtetuese mund të ribëhet, në rast se ka anëtarë që i kap ligji

TIRANË- Edhe pse konferenca për shtyp e këtij fundviti e Kryeministrit Berisha ka qenë ndryshe nga 3 vitet paraardhëse, vetëm 3 pyetje në dispozicion të gazetarëve, bisedat informale të tij me përfaqësuesit e medias, gjatë koktejit të organizuar me rastin e fundvitit, duket se ishin më interesante se ajo çka u transmetua LIVE. Interesit të gazetarëve nuk i shpëtoi edhe pyetja për ish-Kryeministrin Fatos Nano, gjatë koktejit të organizuar në hollin e selisë së qeverisë, teksa në një bisedë informale me Kryeministrin Berisha po trajtohej përmbajtja e ligjit “Për pastërtinë e Figurës”.“Nanon nuk e përfshiva tek ligji për hapjen e dosjeve”,- tha Berisha me një buzëqeshje, që, në këto vite i ka ardhur sa herë përmendet emri i paraardhësit të tij në kolltukun e Kryeministrit. Dhe nuk ka qenë e pamenduar kjo lëvizje, sipas shefit të qeverisë. “Nuk e përfshiva Nanon, pasi i mora pushtetin në 2005-n”,- vijoi ai batutën. Nëse ish-Kryetari i PS-së do të prekej nga procesi i hapjes së dosjeve, kjo për Berishën “nuk do të shkonte”. Dhe batuta e tij e zbutur se “nuk do të shkonte”, kishte edhe nëntekstin për marrëdhëniet mes tyre të rregulluara që para zgjedhjes së Bamir Topit në postin e Presidentit të Republikës. Ligji do të kontrollojë pastërtinë e figurës së çdo funksionari që kanë qenë pjesëmarrës në strukturat politikëbërëse gjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri në 8 dhjetor 1990. Ndërkohë që Nano mori votëbesimin e parë si Kryetar i Këshillit të Ministrave në vitin 1991, në periudhën prill-qershor. Interesi i gazetarëve padyshim ishte edhe për ato institucione që pritet të preken nga procesi i verifikimit të pastërtisë së figurës së individëve. Për Kryeministrin Berisha duket se kjo nuk përbën problem. I pyetur pikërisht për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, (ku PS-ja ka deklaruar se do të depozitojë ankimimin për ligjin e miratuar), Kryeministri Berisha, ndër të tjera, ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese mund të ribëhet, në rast se preket nga ligji i lustracionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›