E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, PD-PS miratojnë ligjin e Prokurorisë

Abstenon PDK-ja e PBDNJ-ja. Abstenon edhe deputeti i PS-së, Ben Blushi. LSI-ja kundër.

“Prokurorët që do të mund të fitojnë nga gjykatat të drejtën e tyre kundrejt masës disiplinore të largimit nga detyra, do të kenë të drejtë të kthehen”

TIRANË- Të gjithë ata prokurorë që do të mund të fitojnë nga gjykatat të drejtën e tyre kundrejt masës disiplinore të largimit nga detyra, do të kenë të drejtë të kthehen në vendet e tyre të mëparshme të punës. Ky është ndryshimi i vetëm që ka pësuar dje në Kuvend drafti ligjor i qeverisë “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë”, ndërsa të gjitha nenet e tjera kanë kaluar me po të njëjtën përmbajtje, siç edhe u miratuan disa ditë më parë në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Ligji në fjalë ka marrë 116 vota pro, 2 kundër dhe 4 abstenime, duke konfirmuar edhe një herë konsensusin që është arritur për të mes dy kampeve politike në vend, përfaqësuesit e të cilave, dje, në seancë plenare, kanë përshëndetur arritjet që sjellin këto ndryshime në ligjin bazë, mbi të cilin është organizuar funksionimi i organit të akuzës.

Qëndrimet

Ashtu siç edhe pritej, seanca e djeshme plenare ka reflektuar mirëkuptimin paraprak mes dy forcave të mëdha politike, të cilat edhe pse me votën kundër të disa deputetëve të partive të vogla, kanë mundur të kalojnë dy ligje shumë të rëndësishme, siç është Kodi Zgjedhor dhe ligji për Prokurorinë, të cilat si për të treguar kompaktësinë e vendimmarrjes, kanë marrë të dyja nga 116 vota pro. Në këtë klimë, përfaqësuesit e dy grupimeve të mëdha politike, duke evidentuar risitë që sjellë ky ligj, kanë sqaruar edhe arsyet si u bë e mundur afrimi i qëndrimeve drejt konsensusit. Kështu, ndërsa ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka bërë edhe një herë një prezantim të ndryshimeve dhe qëllimeve të tyre, nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Erion Braçe, ka shpjeguar Kuvendin dhe opinionin publik për ndryshimin e qëndrimit socialist lidhur me këtë debat, duke theksuar se shkak për këtë qëndrim të ri kanë qenë ndryshimet që ka pësuar drafti gjatë diskutimit të gjerë dhe garancia që kanë dhënë misionet e huaja që kanë asistuar institucionet shqiptare në hartimin e këtij projektligji. “Përfshirja e një sërë faktorësh e ka bërë projektligjin apo ndryshimet që i bëhen ligjit bazë, ndryshime të pranueshme për grupe të gjera, duke përfshirë dhe grupet e interesit. Ndryshimet që vijnë sot kanë dhe një element garancie të dytë, kanë garancinë që dy misionet e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, që asistojnë të gjithë procesin ligjbërës në vendin tonë”, - tha Braçe. Ndërkohë, përfaqësuesit e LSI-së dhe PDK-së, ashtu siç kanë bërë edhe me Kodin Zgjedhor, kanë kundërshtuar ndryshimet që i bëhen ligjit të Prokurorisë, pasi dyshojnë se me anë të tyre cenohet pavarësia e veprimit të këtij organi.

Votimi

Në vijim të procesit të diskutimit, edhe votimi i këtij projektligji nuk ka sjellë ndonjë surprizë të madhe, me përjashtim të votës abstenuese që mbajti deputeti socialist, Ben Blushi, si gjatë votimit në parim, ashtu edhe në tërësi. Ndërkohë që kanë abstenuar edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, Frrok Gjini dhe Ndue Shpani, ndërsa deputetët Gilman Bakalli dhe Petro Koçi kanë votuar kundër. Ndërkohë që, gjatë votimit është marrë parasysh edhe amendamenti i paraqitur nga deputeti demokrat, Pal Dajçi, sipas të cilit në nenin 17 të këtij ligji sanksionohet se, në rastet kur prokurori i larguar nga detyra, përveçse i garantohet një shpërblim i drejtë, i jepet dhe mundësia për t’u rikthyer në detyrë në prokurorinë pranë gjykatës ku ka qenë në momentin e fillimit të procedimit disiplinor. Drafti i miratuar dje në Kuvend konstaton dhe në një sërë ndryshimesh të tjera, ku më të debatuarat kanë qenë ato që kanë të bëjnë me shfuqizimin e nenit 36 dhe ndryshimin e nenit 56 të ligjit bazë të Prokurorisë, nëpërmjet të cilave prokurorit i hiqet imuniteti, ndërsa ministrit të Drejtësisë i jepet e drejta për të bërë raport për punën e organit të akuzës, si dhe të marrë nisma për procedim disiplinor ndaj prokurorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›