E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lejet, procedurat e reja të aplikimit

Qeveria miraton ligjin e ri për planifikimin e territorit. Përfiton leje, nëse nuk merr përgjigje për 45 ditë

Personat që aplikojnë për leje me qëllime biznesi, do të marrin përgjigje brenda 55 ditëve

Lejet e ndërtimit do t’u nënshtrohen procedurave të reja. Qeveria miratoi dje ligjin “Për planifikimin e territorit”, në të cilin detajohen lejet e ndërtimit për banim dhe biznese. Ligji i ri parashikon një element të ri, miratimin në heshtje. Në bazë të këtij parimi, aplikuesi përfiton automatikisht leje pas 45 ditëve, nëse nuk merr përgjigje nga organet e pushtetit vendor, kompetente për dhënien e lejeve. “Por, ligji ka nevojë të specifikojë llojet e lejeve, sepse nuk kemi të njëjtin tagër për lejen e ndërtimit të një pallati, lejen e ndërtimi të një resorti turistik apo një parku industrial”, - tha Kryeministri Berisha. Sipas ligjit, parimi i pranimit të lejes në heshtje nuk do të zbatohet për punime, të përcaktuara në rregulloret e kontrollit të zhvillimit ose të ndërtimit, që kanë rrezikshmëri të lartë për mjedisin, sigurinë a shëndetin publik, ose sigurinë e jetës. Gjithashtu, përjashtohen nga kërkesa për leje ata persona që kryejnë punime të madhësive të kufizuara dhe kanë efekt të vogël të zhvillimit. Investimi i tyre ka kohëzgjatje dhe karakter të përkohshëm, konsiderohet si zhvillim për qëllime bujqësore, etj.

Lejet

Personat që përfitojnë leje ndërtimi për qëllime biznesi, duhet të nisin punimet brenda një viti nga data e marrjes së lejes së zhvillimit. Në bazë të ligjit të ri, bashkia ose komuna i kthen përgjigje me shkrim kërkuesit, së bashku me një kopje të vendimit të marrë, për pranimin apo refuzimin e kërkesës për zhvillim, jo më vonë se 55 ditë pas marrjes se kërkesës për zhvillim.Personat që përfitojnë lejen për ndërtimin e objekteve dhe parqeve për qëllime biznesi brenda 10 ditëve pasi marrin lejen, vendosin në kantierin e ndërtimit tabelën me të dhënat mbi lejen e marrë dhe punimet duhet të fillojnë vetëm pasi janë mbushur 30 ditë nga marrja e saj. Projektligji për planifikimin e territorit, i cili përfaqëson Kushtetutën e planifikimit dhe administrimit të territorit, është produkt i një diskutimi të gjerë me të gjitha grupet e interesit, projekt i cili vendos në një bazë të re tërësisht ligjore procesin e planifikimit dhe administrimit të territorit, i jep një organizim të ri trajtimit të këtij problemi dhe zgjidhje bashkëkohore për të gjitha pengesat burokratike që, deri më sot, me vonesat dhe me mospërcaktimet, kanë nxitur ilegalitetin dhe ndërtimet ilegale”, - u shpreh Kryeministri. Në ligjin e ri është parashikuar edhe krijimi i një agjencie të Planifikimit të Territorit, e cila do të koordinojë pushtetin qendror dhe atë lokal, si dhe do të merret me studimin e territorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›