E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Sistemi fiskal favorizon biznesin, ulje taksash për investimet e huaja

21-06-2012 / Gazeta 55

Zhvillohet forumi ekonomik Shqipëri-Gjermani, Kreu i Qeverisë shpalos potencialet ekonomike si dhe fton biznesin gjerman të zgjerojë investimet në Shqipëri

“Potencialet ekonomike në vendin tonë si dhe reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për investime krijojnë një klimë mjaft të favorshme për investitorët vendas dhe të huaj”. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij gjatë punimeve të formimit ekonomik Shqipëri-Gjermani. Berisha ftoi biznesin gjerman të konsiderojë shtimin dhe zgjerimin e investimeve në Shqipëri, ku potencialet janë të mëdha e tregu i punës dinamik e fleksibël, ndërsa i garantoi se qeveria është duke parë mundësi të tjera për lehtësimin e barrës fiskale e burokratike. “Në këto vite krize, Shqipëria është përballur relativisht me sukses. Ajo nuk njohu recesionin, por ruajti në pesë vite të marrë sëbashku, një rritje prej 22 përqind, rritja më e lartë në kontinent. Kjo, mendojmë ne, erdhi para së gjithash, për shkak të modelit ekonomik që kemi vendosur në këtë vend. Pak vite më parë, qeveria ime u angazhua në një përpjekje të madhe, në një betejë të madhe me burokracinë e administratës së saj, për të lehtësuar barrën e rëndë burokratike ndaj jush. Sërish ne mbetemi burokratë, por renditemi në 10 vendet me qeveri e administratë më të vogël në planet, në proporcion me popullatën, renditemi në 10 vendet me qeveri “më dorë shkurtër” ndaj biznesit. Shqipëria ka një model fiskal ndër më të favorshmit për biznesin: taksën e sheshtë prej 10 përqind, e cila mendoj se është një nga arsyet madhore të suksesit tonë; kontributet shoqërore 15 përqind për sipërmarrësit dhe vetëm 1.5 përqind të xhiros taksën për biznesin e vogël. Ne nuk kemi ndërmend të rrisim taksat, përkundrazi do t’i ulim më tej ato. Ne besojmë se paratë në kontot tuaja bankare janë më të vlefshme për qytetarët shqiptarë, sesa në kontot publike. Të udhëhequr nga ky parim, ne do të vazhdojmë të përdorim çdo stimul, për të nxitur biznesin, në mënyrë që të përballojmë këtë krizë që ka pllakosur Europën e që mesa duket nuk do të jetë afatshkurtër. Qeveria po bën përpjekje të vazhdueshme për t’ju lehtësuar nga barra burokratike. Sot, ju e regjistroni biznesin për 30 minuta, me një euro dhe do të bëjmë çdo gjë, që shumë shpejt  ta regjistroni atë online, aty ku ndodheni. Sot, në Shqipëri funksion Qendra Kombëtare e Licencave dhe Lejeve. Pasi hoqëm mbi 2/3 e lejeve dhe licencave dhe i shndërruam ato në vetëdeklarim, 1/3 e tyre i grumbulluam në Qendrën Kombëtare të Lejeve dhe Licencave. Një studim i bërë nga një agjenci e huaj mbi funksionimin e kësaj Qendre fakton se 97 përqind e atyre që kanë aplikuar për leje e licenca ndjehen të lumtur ose shumë të lumtur, me funksionimin e kësaj Qendre”- u shpreh Berisha.
Sipas tij, në rast se vitin e fundit, investimet e huaja në botë, sipas UNCTAD, ranë me 37 përqind, në Shqipëri janë rritur me 316 përqind; eksportet, nga viti 2009-2011, janë rritur me 100 përqind. “Në Shqipëri, kompanitë gjermane në tekstile e fusha të tjera kanë shënuar suksese të mëdha. Ndaj ju ftoj të konsideroni seriozisht të investoni në këtë vend, në të cilin nuk them se nuk ka pengesa e vështirësi, por ka një luftë të vendosur kundër tyre, për të krijuar për ju mjedisin më miqësor”.
Duke vlerësuar se investitorët gjermane kanë shënuar suksese të mëdha në Shqipëri, Berisha tha se ata janë shumë të mirëpritur të vendosin projektet e tyre në Shqipëri. “Rreth një vit më parë, së bashku me ministrin tuaj të Bashkëpunimit Ekonomik, zotin Niebel dhe ambasadoren Holtkemper inauguruam një ujësjellës në zonën e Kuçovës. Drejtori i ujësjellësit kishte pasur mençurinë të fotografonte të gjithë trajektoren e ujësjellësit dhe ta ekspozonte në stendat e vendit të inaugurimit. Pasi i vizituam këto stenda, ministri Niebel do të deklaronte: Në vendin tim për t’u kryer e gjithë kjo punë, në kuptimin e lejeve të ndërtimit dhe procedurave, do të ishin dashur disa vite, ndërsa këtu janë kryer me shpejtësi të madhe. Në një aspekt tjetër, një vit më parë, ne inauguruam një fazë të ndërtimit hidrocentralit Ashta. Zëvendëspresidenti i kompanisë Verbund do të më thoshte se i ishin dashur gjashtë vjet përpjekje për lejet dhe për të kompletuar të gjithë procedurat, për të ndërtuar një hidrocentral disa herë më të vogël, sesa Ashta që po ndërton në Bushat. Ndërsa këtu, tha ai, në një kohë rekord arrita të kapërcej çdo pengesë burokratike. Unë ju garantoj se ky është vetëm një stad”- theksoi kryeministri.
Berisha vlerësoi gjithashtu ndihmën e Gjermanisë në transformimin e vendit në 20 vitet e fundit. Ky forum mblidhet në një moment shumë të rëndësishëm për marrëdhëniet  midis dy vendeve dhe në një moment shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Në dy dekadat e shkuara, kombi juaj ka qenë donatori kryesor në Shqipëri. Ndihma bujare e qeverisë dhe taksapaguesve gjermanë është shtrirë në të gjitha fushat, me qindra e qindra projekte bazë nga arsimi tek infrastruktura ujore, rrugore, energjia elektrike, shëndetësia e çdo fushë tjetër. Në këtë kontekst, ju garantoj se kjo ndihmë ka qenë një faktor i rëndësishëm i transformimeve të ndjeshme që ka pësuar vendi im këto 20 vite. Ndërkohë, krahas ndihmës shumë të çmuar finance të qeverisë gjermane, një seri kompanish nga vendi juaj, të vogla, të mesme, por edhe të mëdha, kanë vendosur në Shqipëri ëndrrat e tyre më të bukura, projektet e tyre të biznesit dhe i kanë shndërruar ato në histori të vërteta suksesi. Këto kompani operojnë në fushat ndër më jetiket si financa, bankat, transporti etj.. Hochtieff, duhet të theksoj se pajisi shqiptarët me pasaportë më të bukur të viteve të fundit, aeroportin e ri dhe brenda tij, një menaxhim të shkëlqyer”- tha ai. Potencialet energjetike, tha kryeministri Berisha janë të jashtëzakonshme, ndërsa një numër i konsiderueshëm kompanish ndërkombëtare, kanë shfaqur interes për projektet energjetike siç janë Kaskada e Devollit si dhe janë firmosur kontrata koncesionesh për 443 HEC-e të vegjël. Në vijim të projekteve të energjisë së rinovueshme, sfidë tha kryeministri, është platforma e erës. “Në hartë, Shqipëria është një vend i vogël, gjithsej 28 mijë kilometra katrorë, por në potenciale është një vend me potenciale të jashtëzakonshme. Është vend me potenciale të mëdha energjetike. Kompani ndër më të mëdhatë në Europë si norvegjezja Statkraft dhe kompani të tjera kanë vendosur e po zbatojnë këtu, projekte aktualisht më të mëdhatë në Europë, siç është kaskada e Devollit. Në Shqipëri janë për t’u ndërtuar 443 hidrocentrale të vegjël, të mesëm e të mëdhenj. Qeveria ka firmosur kontrata koncesioni për ndërtimin e 327 prej tyre. 46 janë përfunduar së ndërtuari apo rindërtuari dhe 100 të tjera janë në ndërtim e sipër. Kompani gjermane lider në fushën e energjisë së rinovueshme janë shumë të mirëpritura të marrin pjesë e të angazhohen në këtë proces, me të cilin Shqipëria do të shndërrohet në një superfuqi e energjisë së rinovueshme në rajon. Po ashtu kaskada e Vjosës dhe një seri kaskadash të tjetra, të cilat do të jenë së shpejti, në treg. Dua t’ju informoj se të dhënat e deritanishme dëshmojnë se kostoja e ndërtimit të hidrocentraleve për energjinë  e rinovueshme është 50 përqind më e ulët, se në zona të tjera të Europës dhe kjo për një seri faktorësh. Shqipëria ka platforma fantastike ere. Kompani të mëdha studiuan kapacitet e saj të erës. Të dëmtuar nga kriza, kanë vështirësi në zbatimin e projekteve të tyre. Unë ju ftoj të konsideroni seriozisht investimet në fushën e erës. Ju garantoj se Shqipëria do të ketë një nga paketat më të favorshme rregullatore të energjisë së rinovueshme. Unë nuk mund të them se do të ndjekim pikë për pikë paketën gjermane, por do të bëjmë gjithçka për t’ju afruar asaj sa më shumë, në raport me energjinë e rinovueshme”- theksoi Berisha.
Kryeministri veçoi potencialet e mëdha që vendi ofron në sektorin e industrisë minerare dhe turizëm. “Shqipëria ka gjithashtu një potencial të jashtëzakonshëm turistik. Është shumë vështirë të gjeni një vend tjetër që të ketë kaq bukuri të ujërave e maleve, pasuri të jashtëzakonshme të trashëgimisë kulturore dhe mikpritje ekzemplare. Turizmi ka njohur një nga bumet më të mëdha në Europë. Nga 300 mijë turistë e vizitorë në vitin 2004, vitin e kaluar, Shqipëria priti 4 milion e 1 mijë turistë e vizitorë. Shqipëria është vend malor, por malet e saj janë të mbushura me pellgje mineralesh ndër më të rëndësishmet në botë. Gjashtë muaj më parë prita në zyrë ish presidentit e Rio Tintos, i cili kishte kaluar rreth tre muaj në zonën e Bulqizës. Ai më tha se në Bulqizë janë nxjerrë deri tani, 20 milion ton krom, por janë për t’u nxjerrë të paktën edhe 20 milion ton të tjerë. Shqipëria është  pasur në hekur, hekur nikel, bakër, baokside e minerale të tjera. Kohët e fundit është gjetur ar, platin dhe ka të dhëna edhe për elementë të rrallë. Ndaj jeni të ftuar të konsideroni seriozisht investimet në industrinë minerare në Shqipëri. Ne po përpiqemi të vendosim standardet më transparente”- tha më tej ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›