Berisha: “Ska vend për panik, digat të sigurta”
Autori i Lajmit: Redaksia
Kryeministri Sali Berisha thirri një mbledhje qeverie në lidhje me situatën e krijuar nga përmbytjet në veri të vendit në Shkodër dhe në Lezhë. Ai ka përshëndetur banorët e Dajçit dhe të Bushatit, të cilët në tërësi u janë përgjigjur thirrjeve dhe kanë vendosur të evakuohen, ndërkohë që u bëri thirrje edhe banorëve që qëndrojnë në zonën e Obotit, në Dajç, në zonën e Bushatit, e cila është më e rrezikuara nga përmbytjet, që të evakuohen nga shtëpitë e tyre, duke ndihmuar që një situatë realisht shqetësuese të zgjidhet me sukses. Berisha ka pohuar më tej se Komiteti Ndërministror i emergjencës është i ftuar të hapë një llogari bankare në të cilën Kryeministri tha se do të vendosë rrogën e tij si një ndihmë simbolike për banorët e zonave të prekura nga përmbytjet. Më tej ai pohoi se situata është e menaxhueshme.
Deklarata
“Situata e krijuar nga përmbytjet është e menaxhueshme, por u kërkoj edhe një herë banorëve të rrezikuar që të evakuohen nga shtëpitë e tyre”, - tha dje Berisha, gjatë mbledhjes së Qeverisë. Shefi i Ekzekutivit garantoi qytetarët se sistemi i digave të vendit është në sigurinë më të plotë dhe se çdo shpifje bëhet për qëllime të ulëta politike. “Në tërësi qytetarët kanë pranuar evakuimin. Por krahas kësaj ka pasur dhe deklarata të pamoralshme që janë përpjekur të shqetësojnë qytetin dhe, sipas të gjitha të dhënave, për qëllime të ulëta politike”, - tha ai. Lidhur me sigurinë e digave, ai shtoi se në shkarkimet e deritanishme të digave edhe ato më kulmoret nuk janë as gjysma e më kulmoreve të vitit 2004. “Më 26 mars të vitit 2004 janë shkarkuar 7017 m3/sek nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, më 27 mars 2003 janë shkarkuar 6210 m3/sek. Më 27 mars 2004, atyre që duhet ta paraqesin këtë situatë si precedent, u kujtoj se janë shkarkuar 4620 m3 dhe as është përmbytur qyteti dhe as nuk ka lëvizur vendi”, - tha Kryeministri, ndërsa shtoi se sistemi i zbrazjes është i sigurt. Sipas tij, përrallat se hapen apo nuk hapen digat janë tërësisht imagjinatë e sëmurë. Berisha theksoi se tepër i rëndësishëm është sistemimi i njerëzve të evakuuar e me këtë rast ka vlerësuar traditën shqiptare, të hapjes së dyerve të shtëpive në ditë të vështira. Në mbledhjen e Qeverisë, Berisha ftoi Komitetin Ndërministror të Emergjencës Civile që të çelë një numër llogarie, duke shtuar se aty do të jetë edhe një rrogë e Kryeministrit, një ndihmë modeste për të prekurit. Ai informoi se ky komitet, gjatë gjithë kohës, do ta ketë rezidencën në Shkodër për të ndjekur nga afër problematikën e krijuar. Berisha siguroi të dëmtuarit se do të kompensohen deri në qindarkën e fundit dhe nuk do të kenë të njëjtin fat si qytetarët e Tiranës, të cilët u dëmtuan nga hapja e digës së Liqenit Artificial disa vite më parë. “Përshëndesim banorët e Obotit, Anës së Malit, Dajçit, Bushatit, të cilët i janë përgjigjur thirrjes për evakuim dhe kanë vendosur me përgjegjësi të lartë qytetare të evakuohen. U bëj thirrje edhe të tjerëve që të largohen drejt një vendi më të sigurt, duke ndihmuar aktivisht edhe ekipet e emergjencës”, - theksoi kryeministri. Ai pohoi më tej se duhet ti kushtohet rëndësi dhe postevakuimit, pra ndihma për familjet që kanë mirëpritur të shpërngulurit, duke dhënë ndihmat e duhura në ushqime apo ilaçe.
Meta diskuton me Fratinin mbi situatën emergjente në Veri
Përmbytjet në veri të vendit kanë qenë në qendër të bisedës telefonike të zhvilluar dje mes zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, Franko Fratini. Gjatë bisedës mes dy homologëve, u diskutua mbi situatën e rënduar në veri të vendit, mbi problematikat e shkaktuara si pasojë e reshjeve të dendura të shiut si dhe mbi asistencën e nevojshme në terren për familjet e prekura nga përmbytjet. Fratini shprehu solidaritetin e Qeverisë italiane duke theksuar se ajo gjendet pranë Qeverisë dhe popullit shqiptar në këto momente të vështira. Gjithashtu, Fratini shprehu gatishmërinë e Qeverisë së tij për të ofruar çdo ndihmë të nevojshme për kapërcimin sa më të shpejtë të kësaj situate. Meta, pasi e informoi Fratinin për masat e marra nga Qeveria shqiptare për përballimin e situatës së krijuar, e falënderoi atë për solidaritetin dhe mbështetjen që Qeveria italiane po ofron në këto momente.
Zëvendëskryeministri mbledh trupin diplomatik për tu këshilluar
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u takua dje me përfaqësuesit e Trupit Diplomatik për të diskutuar mbi situatën e emergjencës në zonat e përmbytura. Së bashku me ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, dhe zëvendësministrin e Brendshëm, Ferdinand Poni, Meta zhvilloi një takim informativ dhe konsultativ me përfaqësues të Trupit Diplomatik në lidhje me gjendjen e rënduar në zonat e përmbytura në veri të vendit si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut dhe prurjeve të mëdha të ujit. Meta, së bashku me ministrin Prifti dhe zëvendësministrin Poni, informuan ambasadorët e pranishëm mbi situatën në terren dhe mbi masat e marra nga Qeveria për përballimin dhe kapërcimin me dëme sa më minimale të situatës së krijuar, të cilën ai e cilësoi si kritike, por jo dramatike. Gjithashtu, në emër të Qeverisë shqiptare, Meta u kërkoi ambasadorëve kontributin e vendeve të tyre për menaxhimin sa më efikas të emergjencës si dhe u garantoi atyre një komunikim të vazhdueshëm dhe transparent, duke i siguruar njëkohësisht për koordinimin e asistencës që pritet të vihet në dispozicion.
Gjendja e jashtëzakonshme, Berisha: “Është njoftuar dhe NATO”
Bushati u është shtuar zonave të rrezikuara nga përmbytjet dhe për këtë kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje dhe banorëve të kësaj zone që së bashku me ata të Dajçit dhe Anës së Malit të evakuohen sa më parë. Berisha deklaroi paraditen e djeshme se jemi në buzë të gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa bëri të ditur se për situatën është njoftuar dhe NATO. “Të jem i sinqertë, gjendja e jashtëzakonshme nënkupton largimin e detyrueshëm të njerëzve nga zona e përmbytur. Po ashtu, nënkupton mobilizimin me ligj të të gjitha resurseve që nevojiten. Për shembull, tani po i mobilizojmë peshkatarët, por kundrejt një pagese të përshtatshme. Të gjitha ato që po i kërkojmë tani po i kërkojmë në kushtet e tregut dhe duke e njohur atë, ndërsa në gjendje të jashtëzakonshme ndërhyjnë rregulla të tjera, do ti përgjigjesh thirrjes dhe ka ligje të veçanta”, - tha kryeministri. Më tej ai deklaroi se prurjet në Fierzë janë mbidyfishuar. Rrjedhimisht, tha kryeministri, janë imponuar edhe shkarkime nga liqenet. “Ndodhemi në një situatë në të cilën, me sa duket, sipas të gjitha stacioneve sinoptike, reshjet do të vazhdojnë. Asgjë nuk kemi më të çmuar sesa jetën e këtyre qytetarëve. Vendimi më i guximshëm është largimi nga zona e përmbytjes. Edhe një herë dua të garantoj se Qeveria do të jetë në mbështetje të tyre, por bashkëpunimi në kapërcimin e kësaj situatë natyrore tejet të veçantë është i domosdoshëm. Nuk mund të shmangim shkarkimet e liqeneve, autoriteti i mbikëqyrjes së digave është i detyruar të zbatojë me përpikëri rregulloren dhe ai vepron mbi këto rregullore. Thirrja ime për qytetarët e komunës Dajç, Ana e Malit dhe tani edhe të Bushatit, është që të dalin nga rreziku”, - u shpreh Berisha. Komiteti ndërministrial, tha ai, ka shkuar në Shkodër. “Komiteti ka bërë të gjitha kërkesat, po dyfishohet prania e ushtrisë, policisë dhe të gjitha mjeteve në mbështetje të popullatës”, - theksoi Berisha. Kryeministri shtoi se spekulimi në një kohë të tillë dëshmon një amoralitet të madh. “Çdo qytetar, gazetar, politikan është i thirrur që të shkojë e të kontrollojë të gjithë regjistrin elektronik të të gjithë treguesve të kaskadës së Drinit, të prurjeve, niveleve dhe shkarkimeve. Ti krahasojë ato me rregulloren e vitit 1998 që ndodhet në shumë kopje”,- tha Berisha. Hapja e portave, shtoi ai, është një urdhër që po e jep KESH-i, por për shkak të interesit kombëtar dhe të sigurisë kombëtare. "Më parë janë mbytur dhe nuk janë kompensuar. Ne do ti kompensojmë çdo qindarkë. Po lekët? - do të thoni. Qeveria ka buxhetin e saj, por edhe nëse nuk do të kishte lekë, gjithë të ardhurat nga shitja e energjisë do të kalonin tek banorët",- u shpreh Berisha. Lidhur me llogaritjen e dëmeve, Kryeministri tha se në këtë moment ka vetëm një llogari, shpëtimi i jetës së njerëzve. “E gjithë fatura do të llogaritet pasi të zbresin ujërat dhe dëmet janë të pamohueshme. Ajo është një zonë me një pjellori të jashtëzakonshme, është një zonë e mrekullueshme. Çdo gjë do të llogaritet, por tani jemi të përqendruar te jetët e njerëzve. Ne do të shpëtojmë çdo qytetar në atë zonë, pastaj i bëjmë të tjerat”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 08/01/2010