E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklarata e Ramës “Jo luftë politike, bashkë për të shpëtuar jetën e njerëzve”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama akuzon Qeverinë si përgjegjësen e vetme për gjendjen e krijuar në qarkun e Shkodrës. Sipas tij kjo situatë është pasojë e keqqeverisjes, ndërkohë theksoi se sot nuk është ora e luftës politike, por e bashkimit për shpëtimin e jetës së njerëzve. Rama kërkoi largim sa më të shpejtë të njerëzve nga zonat e rrezikut, ndërsa kërkoi nga Qeveria transparencë dhe vendimmarrje për lëvrimin e shumave të parave për banorët e prekur. Rama pohoi madje se Presidenti duhet të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar për çfarë ka ndodhur si pasojë e keqqeverisjes dhe jo nga fatkeqësia natyrore.
Jo luftë politike
“Në këto orë dramatike për vendin, e posaçërisht për zonën veriore ka vetëm një fjalë kyçe: Të gjithë të bashkuar për të shpëtuar çdo jetë njeriu. Nuk është ora e luftës politike për nxjerrjen e përgjegjësive për këtë dramë të jashtëzakonshme, e cila ska të bëjë as me ngrohjen globale as me zemërimin e Zotit, po fatkeqësisht thjesht dhe drejtpërdrejt me keqqeverisjen”, - tha ai. Rama vijoi se është ora kur politika duhet të verë në rendin e ditës ndihmën për njerëzit që janë ende në një rrezik. “Është ora e marrjes së përgjegjësisë qytetare e patriotike, nga çdo parti, nga çdo përfaqësues i popullit, në nivelin vendor apo qendror, nga veriu në jug, nga çdo qytetar kudo ku jeton, në Shqipëri apo jashtë, për të ndihmuar motra e vëllezër në rrezik, që duhet të lënë shtëpitë e pronat në mëshirën e fatit për të shpëtuar gjënë më të rëndësishme, jetën e tyre”, - pohoi kryesocialisti.
Ndihmat
Rama informoi se Partia Socialiste ka hapur në mesditë dy konto bankare përkatësisht Banka Credins me numër llogarie – AL37 2121 1016 0000 0000 0020 4700 dhe BKT me numër llogarie- 401 328 520, për të mbledhur ndihma financiare. Ai u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të PS-së në Shqipëri apo emigracion, të derdhin në këto konto kontributin e tyre. Rama tha se sistemi i lëvrimit të shumës së mbledhur drejtpërdrejt tek familjet në nevojë do të jetë 100% transparent dhe do të bëhet në kohën e duhur nga bankat me kritere shumë rigoroze. Sipas tij duhet të ndërtohet një lëvizje kombëtare solidariteti. Rama duke përsëritur thirrjen për banorët që të largohen nga zona e rrezikut pohoi se është ora që Qeveria ti lerë justifikimet e kota përpara realitetit sa të dhimbshëm aq edhe të qartë të asaj që po ndodh dhe të garantojë transparencë të plotë, për gjithçka.
Masat
“Është ora që Qeveria të lëvizë konkretisht me kalkulimin e dëmeve, përcaktimin e kritereve të kompensimit financiar të çdo dëmi, bërjen transparente të tyre një orë e më parë dhe madje vendimmarrjen për lëvrimin e shumave të para në mënyrë që të inkurajohen për tu larguar nga zona e rrezikut të gjithë ata që i friken, me të drejtën e Zotit, gënjeshtrës së radhës së këtij kryeministri”, - tha ai. Rama pohoi se Presidenti i Republikës duhet të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Kjo katastrofë nuk është për shkak të zemërimit të natyrës, po për shkak të keqqeverisjes dhe njerëzit e vendi nuk duhet të paguajnë asnjë kosto shtesë po për këtë shkak. “Është ora që Prokurorja e Përgjithshme të mos lejojë humbjen apo tjetërsimin e asnjë prove për përgjegjësinë e pashmangshme të kujtdo qoftë që paguhet nga shqiptarët për tiu siguruar jetën, pronën, të ardhmen, jo për ti përmbytur për shkaqe që duhet të bëhen transparente fije për fije dhe duhet të ndëshkohen një për një”, - tha ai ndërsa shtoi se hetimet duhet të fillojnë urgjentisht, ndërkohë që politika duhet të mos ngatërrojë radhën e punëve. “Në fillim jetët e njerëzve. Pastaj përgjegjësitë e pushtetarëve. Një për një. Deri në fund”, - përfundoi Rama.

Deputetët e PS në Dajç: Shteti nuk është

Deputetët e Partisë Socialiste kanë qenë që në orët e para të mëngjesit të së enjtes në zonat e përmbytura të Shkodrës. Deputeti i Shkodrës, Ilir Beqja i gjendur në komunën Dajç ka deklaruar se Qeveria nuk ishte prezent në këtë zonë. “Në kthesën e Dajçit në orën 9 të mëngjesit, vihet re se shteti shqiptar ka mbaruar. Nuk ka as polici, as ushtri dhe asnjë shenjë të ekzistencës së shtetit. Kanë mbetur njerëz të bllokuar për të cilët nuk ka asnjë informacion se çdo të ndodhë me jetën e tyre”, - tha deputeti i Shkodrës. Burimet zyrtare pranë selisë rozë bëjnë me dijeni se të gjithë deputetët e këtij qarku kanë shkuar në të gjitha komunat e përmbytura, ndërsa niveli i ujit në këto zona vazhdon të rritet.

Mëhilli: Veglat e Ramës përhapin panik në Shkodër

Partia Demokratike akuzon socialistët se po përhapin panik në Shkodër. “Edvin Kristaq Rama, po përdor veglat e tij duke i ndërsyer për të marrë në telefon qytetarë të ndryshëm në Shkodër për ti thënë se digat janë në rrezik çarje. Partia Demokratike i thotë këtij paranojaku se digat janë në siguri të plotë, se nivelet e tyre janë tërësisht të kontrollueshme dhe se paniku që përpiqesh të hapësh në Shkodër tregon vetëm urrejtjen tënde ndaj këtij qyteti që ka ditur tët përgjigjet gjithmonë siç ti meriton”, - tha dje zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli.

Përmbytjet, Leskaj: Ministri Prifti të japë dorëheqjen

Partia Socialiste ka ritheksuar fort kërkesën për dorëheqjen e ministrit të Energjitikës, Dritan Prifti. “Në këto momente të vështira për Shqipërinë dhe shqiptarët, ne shprehim mbështetjen dhe solidaritetin tonë për të gjithë ato gra burra, fëmijë e të moshuar që janë të detyruar të lënë shtëpi e pasuri, të mbjella, bagëti e çdo gjë që kanë vënë me mund e djersë, për të shpëtuar jetën, por edhe me të gjithë ata shqiptarë të tjerë, që jetojnë pasigurinë e këtyre orëve dhe në të njëjtën kohë ankthin se situata mund të përkeqësohet nga momenti në moment”, - tha deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj. Ajo ka shtuar se PS i bën thirrje atyre që ende nuk janë evakuuar, ta bëjnë sa më parë. “PS kërkon edhe njëherë marrjen e çdo mase në ruajtje të jetës së njerëzve dhe lehtësimin e pasojave të situatës tejet të rëndë në zonat e përmbytura, pasi orë pas ore rreziku shtohet.
Njëherësh Partia Socialiste vlerëson, se shqiptarëve duhet tu thuhet e vërteta e asaj që po ndodh sot në Veri të vendit”, - tha më tej Leskaj. Sipas saj arsyeja që situata degradoi deri në këtë pikë nuk është paaftësia e ministrit dhe vartësve të tij, por rezultati i një plani të mirëfilltë korruptim. “Tentativa për të shpëtuar qeverinë jo legjitime, rrezikoi zona të tëra të përmbytura, duke vënë në rrezik jetët e mijëra njerëzve e duke krijuar një kosto shumë të madhe për banorët e asaj zone dhe për gjithë ekonominë e vendit. E vërteta tashmë ka dalë në shesh. Përpos teatrit që Sali Berisha dhe oborri, po tentojnë të luajnë këto ditë, shqiptarët e kanë të qartë, se situata në të cilën ndodhemi dhe katastrofa që rrezikon mund të ishin shmangur nëse do ishte vepruar në kohë e me përgjegjësi dhe jo në shkelje të plotë të rregullores”, - deklaroi ajo. Partia Socialiste vlerëson se gjithë situata e krijuar ka një shkaktar, ministrin e Ekonomisë dhe këtë Qeveri pa legjitimitet. “Në këto kushte Partia Socialiste kërkon me vendosmëri, largimin e Dritan Priftit si Ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës, si përgjegjës i drejtpërdrejtë i kësaj katastrofe, plotësisht e shmangshme. Dritan Prifti duhet të largohet, që kjo tragjedi të tilla të mos përsëriten më. Në harkun kohor të dy javëve, u solli shqiptarëve dy ngjarje ogurzeza: rritjen e çmimit të energjisë dhe përmbytjet e ditëve të fundit”, - tha Leskaj.

Përmbytjet, PS gati strukturat paralele

Partia Socialiste ka zbritur në bazë për tu ardhur në ndihmë banorëve të qarkut të Shkodrës dhe Lezhës të cilët janë rrezikuar nga përmbytja. Deputeti socialist i qarkut të Lezhës, Gjovalin Kadeli ka sqaruar për Ballkan se tashmë janë ngritur dy grupe pune njëri për qarkun e tij dhe një tjetër për qarkun e Shkodrës. Në krye të këtyre grupeve janë deputetet e zonës ndërkohë që pjesë e tyre janë bërë dhe shumë vullnetarë por dhe anëtarë të Forumit Rinor Eurosocialist të cilët po përpiqen për tu ardhur në ndihmë banorëve. Një tjetër mënyrë që PS ka zgjedhur për tu ardhur në ndihmë këtyre banorëve është dhe kontaktimi me biznese të ndryshme jo vetëm të zonave përkatëse por dhe më gjerë për të krijuar dhe mundësitë financiare që ndihmesa e dhënë të jetë sa më eficente. “Ne po e ndjekim në vazhdimësi gjithë situatën dhe po përdorim mënyra të ndryshme për tu ardhur në ndihmë banorëve. Unë kam kontaktuar me biznese të ndryshme por ashtu dhe deputetët e tjerë për të ndihmuar këta banorë”, - tha Kadeli. Ndërkohë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama informoi dje se do të ngrihet një shtab emergjence. “Është ora që çdo kryebashkiak e kryekomunar i PS-së të organizojë mbledhjen e ndihmave dhe të vendoset në kontakt me shtabin e koordinimit të ndihmës së PS-së që do të funksionojë 24 orë edhe në Tiranë edhe në Shkodër”, - tha Rama dje. Gjatë gjithë këtyre ditëve deputetët socialistë kanë informuar vazhdimisht në lidhje me situatën por dhe kanë akuzuar Qeverinë si përgjegjësen kryesore për këtë situatë. Kadeli ka kërkuar dje që Berisha të nisë menjëherë dëmshpërblimin e familjeve të dëmtuara. “Nëse nuk janë përgjegjësi e Berishës reshjet e shumta, përgjegjësia e tij është mos mbajtja nën kontroll e argjinaturave të mbrojtjes nga baticat detare dhe mbrojtja e hidrovoreve nga këto batica, sidomos hidrovori i Tales, i cili është i pambrojtur. Ata nuk mund të presin një tjetër premtim të pambajtur të njeriut që kemi për kryeministër. Nuk mund dhe nuk do të ndodhe dy herë në Lezhë që të premtohen dëmshpërblime dhe më pas të dëmtuarit të harrohen”, - është shprehur deputeti i PS-së. Sipas tij, Sali Berisha duhet ta lerë teatrin, bashkë me Jozefinën, por të dëmshpërblejnë shqiptarët dhe të çojnë para drejtësisë përgjegjësit e kësaj katastrofe. “Dëmshpërblimi të mos gjendet nga paratë e shqiptarëve, të cilët po e paguajnë shumë shtrenjtë nga xhepat e tyre paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e Berishës, por nga xhepat e majmur të oborrit. Partia Socialiste është me deputetët e saj në çdo fshat ku ka emergjencë. Thirrja jonë për solidaritet të të gjithë shqiptarëve me gjendjen e krijuar është e përditshme. Kjo situatë kërkon përgjegjshmëri, të cilën qeveria aktuale nuk e ka. Kemi ngritur grupet e vullnetarëve, edhe nga biznesi, për tu ardhur në ndihmë banorëve që sot iu kërcënohet jeta dhe investimi i shumë viteve”,- tha Kadeli.

Ky lajm është publikuar: 08/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›