Mbledhja sekrete: Shpërthimi i Fierzës, cunam
Autori i Lajmit: Denisa Kona
Mbledhja urgjente e Komitetit Kombëtar të Digave në Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit ditën e djeshme, me përfaqësues edhe nga Ministria e Energjetikës, Ministria e Bujqësisë dhe KESH, u zhvillua ditën e djeshme jashtë syrit të medies. Të painformuar në rrugë zyrtare për këtë takim, pasi morëm dijeni për të, nga specialistë të vjetër të hidro-teknikës, kërkuam që të ishim prezent aty. Por, “takimi ishte për tu zhvilluar me dyer të mbyllura, jo për medien”, sikurse u shpreh nëpunësja e Ministrisë së Punëve Publike, e cila na dërgoi rojën për të na nxjerrë jashtë. Meqenëse debatet nuk duhet të dilnin në dritë të diellit, (z. Farudin Hoxha, kryetari i komitetit të Digave na tha se në takim specialistët do ti jepnin informacion njëri-tjetrit dhe se ky informacion nuk kishte ndonjë vlerë për medien (!) informacionet mbi këtë takim i siguruam përmes pjesëmarrësve të tij. Çfarë u tha në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Digave?
Burimet tona brenda takimit sekret bëjnë të ditur se shkaku i përmbytjes ka qenë shkelja e rregullores së shfrytëzimit të digave. “Nëse do të ishte zbatuar rregullorja, jo rregullorja e pas 90-s, por rregullorja me firma që ka nxjerrë Instituti i Projektimeve, pra, nëse do të ishte zbatuar, kjo situatë nuk do të kishte ndodhur, pavarësisht edhe nga ndërtimet informale. Ministria e Energjetikës ka pranuar se është shkelur rregullorja, dhe në mënyrën se si gjërat bëhen, kuptohen pasojat. Fakti që ne ndodhemi sot në një situatë të tillë prag katastrofe, është se KESH ka keqpërdorur burimet hidrike dhe hidrocentralet”, pohon Kristo Goga, një prej specialistëve të digave të mëdha. Drejtori i digave i KESH, Erion Kalaja, i ri në këtë detyrë, nuk mundi të jepte shpjegime për periudhën e kaluar, por pavarësisht nga zbutja e përgjegjësisë, një gjë është e qartë: Po të ishte zbatuar rregullorja që është bërë qëkur ka mbaruar kaskada e Drinit para 90-s, sot nuk do të kishte asnjë lloj problemi. Mirëpo, kjo rregullore është ndryshuar pa praninë e një konsulte shkencore. Interesa të caktuara kanë devijuar rregulloren e mëparshme me një tjetër pa baza shkencore. Në takimin e Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha u qëndrua tek problemi i portave të shkarkimit që Fierzës nuk i punojnë të tëra. “Ka porta që edhe sot e kësaj dite nuk është hapur akoma, Njëra prej tyre ka 20 vjet që nuk hapet. Se kur duhet të hapet, është në rregullore. Ndërsa ajo portë do të tentohet të hapet pa u provuar më parë, në një situatë të jashtëzakonshme. “Këtë anomali e kemi shtruar edhe në mbledhje të mëparshme, por nuk ka pasur asnjë veprim, nuk janë marrë masat nga KESH dhe Ministria e Energjetikës. Dhe nuk është vetëm kjo portë e pa provuar”, shprehet një prej anëtarëve të Komitetit Kombëtar të Digave.
Shkaqet
Konkluzioni i mbledhjes së djeshme të Komitetit të Digave ishte që sipas rregullores, duhet të vazhdojë shkarkimi që të mos prishen digat, por duke mbajtur nën kontroll gjendjen e përmbytjes në zonat e banuara. “Euforia, etja për të prodhuar sa më shumë energji, për të pasur sa më shumë fitim, e ka çuar në pikë kritike nivelin e ujit në digë dhe tashmë ka vënë në rrezik popullatën dhe digat”, bëjnë të ditur burime nga Komiteti. Komiteti i Digave ka dhënë sinjal me kohë, por nuk është dëgjuar, ndërkohë që vendimet e tij janë të detyrueshme për zbatim, duke u shndërruar në vendime të Këshillit të Ministrave. Të gjitha ministritë janë të detyruara ti zbatojnë, por nuk i kanë zbatuar. Komiteti deri dje vetëm sa është dëgjuar formalisht, por nuk është marrë në konsideratë, madje ndonjëherë reagimi ka qenë injorues. “U desh kjo situatë kritike, që institucionet të kujtohen se kanë nevojë për mendimin e këtyre njerëzve”.
Nuk u pyetën specialistët
Çarja e digës, katastrofë kombëtare
“Kryeministri thotë që jemi në prag katastrofe, por këtu nuk është fjala thjesht për mbytje të disa fshatrave. Nëse do të çahet diga, do të jetë katastrofë kombëtare. Nivelet e ujit do të shkojnë deri në Mal të Zi, Shkodra, Lezha, Fusha e Lezhës do të zhduken nën ujë. Vetëm njëra digë po të çahet, uji shkon deri afër Tiranës në Thumanë. Kjo do të ishte katastrofë kombëtare. Po të çahet një digë, uji vërshon si një cunam, me një fuqi të madhe shkatërruese. Ngjan me provat e bombave bërthamore,- thotë një prej specialistëve të digave të mëdha, pjesëmarrës në mbledhjen e Komitetit. Diga e Fierzës është një nga më të larta në Evropë dhe në botë, 169 metra e lartë. Këto diga janë projektuar nga njerëzit, specialistët tanë, edhe pse diga e Fierzës dhe e Vaut të Dejës është realizuar me investime kineze, ndërsa ajo e Ulzës me investime sovjetike. Këta njerëz që i kanë projektuar janë këtu dhe duhet të ishin pyetur, por për fat të keq, kanë qenë shumicën e kohës jashtë loje.
E keqja më e vogël
Nëse porta nr.4 nuk hapet,
shpërthim me eksploziv
Specialistët e mbledhur dje në takimin e fshehtë të Ministrisë së Energjetikës shtruan të dyja alternativat e mundshme për të zgjedhur të keqen më të vogël: Nëse portat e shkarkimit do të hapen, do të humbasë ujë dhe energji, ndërsa nëse portat nuk do të hapen, rrezikon të shkatërrohet diga, që është një pasuri e madhe kombëtare. Specialistët, anëtarë të bordit të Komitetit Kombëtar të Digave rekomanduan si të keqen më të vogël hapjen e portave. Njëra nga portat e Fierzës që është më problematike, mund të çahet me eksploziv dhe të ribëhet më vonë.
Ky lajm është publikuar: 08/01/2010