Berisha: S’ndaj pushtet me mafien, Rama do Presidentin
ADI SHKEMBI
Rama më ka çuar mesazherët e tij, për ta propozuar ai zgje-dhjen e Presidentit në vitin 2012.Këtë e bëri të ditur mbrëmë Kryeministri, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp ku denoncoi shkeljen e ligjit me lejet e ndërtimit nga disa deputetë të selisë rozë. Në rreth 50 minuta komunikim me mediat, kreu i ekzekutivit tha se ka marrë propozime të vazhdueshme nga kundërshtari i tij politik, për të ndarë së bashku pushtetin pas 28 qershorit dhe për të përjashtuar nga koalicioni kreun e LSI-së, Ilir Meta. “Mesazhet e Ramës janë të pafundme, për të bërë koalicion, për të përjashtuar Ilir Metën, më pas për t’u bashkëngjitur, më pas për Presidentin, por nuk është hera e parë që e deklaroj këtë. Unë nuk e pranoj të ndaj pushtetin me të sepse kam një koalicion i cili funksionon. Ajo çka pranoj unë, t’i krijoj të gjitha hapësirat opozitës dhe frymën e mirëkuptimit. Këtë unë e pranoj dhe do ta bëj pa asnjë lloj hezitimi”, u shpreh kreu i qeverisë. “Ta dijë mirë opozita se ajo është e mirëpritur, oferta është e bërë, por s’ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj kompromisi për vendimin e gjykatave, nuk ka dhe s’do të ketë asnjë lloj kompromisi për ndarje pushteti siç kërkon ai. Këto të dyja t’i harrojë. Të përtypë, të vazhdojë, të gjithë përpjekjet me Kokëdhitë, Tontollakët e të tjerë. Unë do vazhdoj qeverisjen time dhe betejën me zero tolerancë për mafien shqiptare”, theksoi më tej Berisha. Në daljen para mediave, kreu i maxhorancës bëri publike disa dosje të lejeve të ndërtimit, të marra nga biznesmenë afër Ramës dhe deputetë të PS, të cilat sipas Kryeministrit bien ndesh me ligjin. Sipas Berishës, në Tiranë janë dhënë në kundërshtim me ligjin rreth 500 mijë m2 leje ndërtimi, me një pasuri që shkon rreth 750 milionë euro. “Ky grup punistësh nuk udhëheq PS-në, por klanet e mafies më të rrezikshme në Ballkan, që ka shndërruar Tiranën në një lavatriçe gjigande parash të pista, krimi monstruoz ekonomik udhëheq kupolën e mafies shqiptare Tan Dollakun, Kokëdhinë, Besnik Sulën, Tom Doshin, yllin e partisë apo Fidel Yllin, Dash Pezën apo Leskajn”, theksoi më tej Berisha. Në të njëjtën kohë, ai akuzoi edhe deputetin e Partisë Socialiste, Tom Doshi, i cili ka kërcënuar disa deputetë të selisë rozë, për të mos u futur në Parlament. “Tom Doshi i kërcënon me plumb pas veshit. I është çuar mesazhi, guxo prek njeri, ose u paguan shuma të mëdha mujore, merri këto lekë dhe mos u ndje për Parlamentin. Nuk është vetëm Toma, është edhe një tjetër që bën këtë kërcënim, sepse unë kam bindjen që ata nuk ndajnë të njëjtin mendim. Nuk janë ata anëtarë të kupolës, por të qytetarëve shqiptarë. Kupola nuk i lejon”, theksoi Berisha.
Replikat e djeshme ps-pd
Namik Dokle
“Sot është dita e fundit që opozita ka pritur reflektimin serioz të maxhorancës dhe kryeministrit të saj, lidhur me kërkesat tona për hapjen e kutive dhe një sërë elementesh të tjerë që do të garantonin, jo vetëm transparencën e procesit zgjedhor, por edhe vazhdimin e reformave integruese!”
Jemin Gjana:
“Ramës iu duk vetja se është i fortë, iu rritën kthetrat dhe mendoi se mund të zaptonte gjithë vendin siç ka zaptuar Tiranën dhe PS-në. Ne se kemi ngacmuar Edi Ramën për numrin e divorceve të tij, dhe numrin e grave me të cilat ai shkon në shtratin martesor, jo”.
Ditmir Bushati
“Sali Berisha ka hapur librat e shtëpive tona për të mbajtur mbyllur kutitë e krimit të tij elektoral. Liberalizimi i vizave nuk është e nuk mund të jetë më një meritë e qeverisë që e la Shqipërinë të fundit, por një vullnet i BE-së për t’u dhënë edhe shqiptarëve lirinë e munguar.”
Suzana Turku
“Do t’i drejtohesha bashkatdhetarëve të mi të mos gënjehen dhe të mos ndjekin një njeri i cili prodhon vetëm konflikte. Dhe e gjithë kjo jo për keqardhjen e kryetarit për fatet e popullit dhe votës së tij, por për hir të egoizmit të shfrenuar”.
Armela Imeraj
“Ne i bëjmë edhe njëherë thirrje Sali Berishës, të gjejë kurajën për të dëgjuar dhe respektuar vullnetin e një populli të tërë, që sot kërkon hapjen e kutive. Berishës sot i ka mbetur vetëm një zgjidhje, të hapë kutitë, ose të largohet bashkë me to”.
Erla Mëhilli
“Njeriu që i ka mohuar atësinë fëmijës së vet së bashku me kafshatën e gojës, e që sot e përdor edhe për qëllime elektorale, nuk ka se si të mos i mohojë shqiptarëve votën e lirë, lëvizjen e lirë, të ardhmen e tyre evropiane. Ky njëri që mohon fëmijën e vet, nuk mund të ndërtojë të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve!”