Artistë në avangardë
Të martën në mbrëmje, në teatrin Team të Barit u dha spektakli i Corrado Guzzantit, një artist italian satirik, që me krijimtarinë e tij vë në shënjestër personazhe politikë dhe aktualitetin italian. Të 2056 vendet në plate dhe galeri të shitura. Teatri i mbushur plot me spektatorë, edhe pse fillimjavë, për të ndjekur një artist që nuk kishte plotësuar dot të gjitha kërkesat për bileta në një spektakël të mëparshëm në tetor. Spektakli nisi me një imitim satirik të ministrit aktual të ekonomisë Giulio Tremonti e më pas me ish-kreun e Partisë Komuniste italiane Fausto Bertinottin (pas një dështimi total në zgjedhjet më të fundit, i zhdukur nga skena politike dhe mediatike). Nuk do të sjell në rubrikën e sotme detaje të spektaklit, që logjikshëm lexuesit shqiptar nuk i interesojnë; dua të nënvizoj pozicionin avangardë, në pararojë, të artistëve në një vend fqinj siç është Italia. Mes personazheve që u ironizuan në sallë ishte dhe ministrja aktuale e Arsimit Mariastella Gelmini, për të cilën u tha hapur se e mbante atë post pasi ka pasur marrëdhënie intime me premierin aktual. Për një tjetër ministre, atë të barazisë gjinore, Mara Carfagna, një tjetër artiste, motra e Corrado Guzzantit, Sabina, pat deklaruar në mes të Romës, në një protestë anti-berluskoniane se mbante postin e Ministres edhe ajo si fryt i marrëdhënieve intime me Premierin. Në Itali shpifja dënohet me gjobë shumë të kripur (ndaj dhe artistët dokumentohen mirë para se të bëjnë spektaklin apo prononcimin satirik të radhës) dhe artistja në fjalë është paditur; ende nuk ka një prononcim të gjykatës për këtë rast. Nuk është gjë e re që të vërtetat e mëdha italiane të jenë thënë fillimisht në skena teatri apo sheshe, e më pas në gazeta, televizione e me radhë. Artistët italianë janë në avangardë të ndërgjegjes sociale, siç mendohet që artistët përgjithësisht janë: Beppe Grillo, Roberto Benigni, Dario Fo, por dhe më parë shkrimtarë si Shasha, Pirandello, Buzzati, por edhe më larg Macchiavelli, Dante. Një mendje e ndriçuar sheh më mirë, më shpejt e më saktë atë që masa e përhumbur në rutinën e përditshme nuk arrin ta dallojë. Po tek ne? Sa na ndriçojnë artistët tanë? Personalisht mendoj se koha e artistit të impenjuar është ndalur të Migjeni. Pas ndriçimit të Rilindësve, artistët e sotëm rendin më shumë të gjejnë fonde dyerve të fondacioneve e ministrive, bëjnë lëvdatën apo sulmin e radhës e pak kohë iu mbetet për art.
(BalkanWeb)
(BalkanWeb)