Berisha: Sot Elbasani është kryeqyteti i shqiptarëve
Kryeministri Berisha ka zgjedhur Elbasanin për të festuar Ditën e Verës. I shoqëruar nga bashkëshortja dhe dy mbesat e tij, kryeministri Berisha ka vizituar panairin e Ditës së Verës.
"Kjo festë festohet sot në mbarë Shqipërinë por e shpall Elbasanin kryeqytet të shqiptarëve. Ju keni meritën e jashtëzakonshme ta keni ruajtur këtë traditë dhe në çdo kohë festuat së bashku me miqtë tuaj nga mbarë Shqipëria, Ditën e Verës, ditën e gëzimit, ditën që fillon stina e bukur e pranverës plot ëndrra dhe besim" ka theksuar kryeministri Berisha ndërsa premtoi se qeveria do t`i ofrojë mbështjetje të fuqishme biznesit shqiptar
Sipas kryeministrit, pjesmarrja e shumë firmave në panair është dëshmi e qartë e rritjes ekonomike në vend. “Shpreh kënaqësinë për nivelin e ri që gjej sot këtu në prodhimet e qytetit të Elbasanit. Besoj se jemi dakort se ne e festojmë këtë festë më mirë se kurrë në historinë tonë sepse arritëm 100 vjet shtet i pavarur. Festojmë më mirë se kurrë sepse ne lëvizim të lirë në mbarë Europën. Në një krizë të thellë që ka pllakosur ekonomitë e botës ekonomia shqiptare ishte e qëndrueshme, ekonomi që rritet që krijon vende pune, që rrit gjithnjë e më shumë prodhimin” ka theksuar më tej Berisha.
Gjithashtu shefi i qeverisë ka marrë pjesë edhe në parakalimin tradicional të Karnavaleve, në sheshin e qytetit.