Berisha: Sot shqiptarët janë të paktën 20-30% më të varfër se në 2013-ën

Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim me qytetarë të Gramshit, ku ka theksuar se varfëria nuk po pakësohet, por po vjen gjithnjë duke u rritur. Sipas tij, sot shqiptarët janë të paktën 20-30% më të varfër se në 2013-ën.
“Qytetarët e Gramshit, dhe të mbarë Shqipërisë, pavarësisht bindjeve partiake, ndjekin me dhimbje dhe keqardhje shkretimin e shoqërisë së tyre, të kombit të tyre, të vendit të tyre në kuptimin e shpopullimit të shpejtë dhe marramendës. Në kuptimin e një varfërie që nuk pakësohet, por vjen gjithnjë duke u rritur. Sot shqiptarët janë të paktën 20-30% më të varfër, se në 2013-ën. Jua them me vërtetësinë më të madhe. Ata sot duhet të ishin dy herë më të mëkëmbur se në 2013. Koha matet me zhvillimet që ndodhin gjatë saj. Po të pyesim së bashku veten, çfarë zhvillimesh kanë ndodhur këto 8 vite në rrethin e Gramshit, përveç projektit të Devollit, që nuk është i këtyre viteve? Është i qeverisë së mëparshme. Kam qenë në inaugurimin e Kaskadës së Devollit. Disa orë pas meje këtu erdhi Rama dhe tha se kjo është gënjeshtra e radhës e Berishës. Ai është realiteti i çmuar.”, tha Berisha.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ndjek dy standarde, duke dënuar qytetarët dhe favorizuar oligarkët.
“Qytetarët janë arrestuar për kate, për gardhe, kotece. Po oligarku Salillari çfarë pësoi për pallatin? Mori dje 8 mln euro të tjera tender nga Rama si shpërblim për pallatin pa leje që ndërtoi. Pra, jo dy standard. Ky është një diskriminim jashtë çdo standardi qytetar. Njërin e fut në burg për një kotec, tjetri ndërton pallat 10 katësh pa leje dhe të nesërmen shpërbehet. Po pse? Se ai i çon baulet me euro atje, fitimet e pallateve me të. I’u kërkon fëmijëve që të japin lekë që të mbledhin një fond për transportin. Ndërkohë që vetë për oborrin e brendshëm të Kryeministrisë blen 4 mln instilacion arka druri dhe vazo, për të kënaqur xhepat dhe sytë e tij se zotëria po lodhet shumë, po lodhet duke vjedhur nga mëngjesi deri në darkë.”, tha Berisha.
/rtsh.al/