Opozita e majtë ka axhendë tjetër
Po shkruaj në lidhje me zgjedhjet e 23 qershorit të cilat kanë të bëjnë me prosperitetin e vendit tim, Shqipërinë. Siç është thënë me dhjetëra herë dhe siç e dimë të gjithë këto zgjedhje Parlamentare të radhës janë tejet të rëndësishme për perspektivën e integrimit europian të vendit tonë. Unë besoj dhe shumë të vërteta flasin qartë se përparimi i Shqipërisë në këto 8 vitet e fundit si demokraci e re është në rrugë të drejtë. Por për fat të keq, që prej zgjedhjeve të pranverës së vitit 1996, opozita e majtë e vendit tim, nuk ka patur një histori të mirë suksesi në lidhje me zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Megjithë përkushtimin dhe angazhimin serioz të qeverisë së zotit Berisha për të mbajtur zgjedhje të rregullta, të lira dhe të ndershme kundrejt standardeve të kërkuara, opozita e majtë shqiptare ka cënuar rregullisht parimet me themelore të demokracisë, duke mos u pajtuar asnjëherë me vullnetin e lirë të votuesve shqiptarë. Opozita ka abuzuar në vazhdimësi me procesin e zgjedhjeve demokratike, duke i kontestuar rezultatet e votimit me forma nga më të ndryshmet përfshirë: dërgimin në mënyrë të organizuar nëpër qendra votimi të votuesve të paligjshëm, mbushjen me dhunë të kutive të votimit nga strukturat e saj paramilitare (të gatshme për të vepruar edhe në zgjedhjet e 23 qershorit 2013)… marrjen e vulave të qendrave të numërimit nga komisionerët militantë të opozitës, manipulim të listave të regjistrimit me votues të tyre (ka ndodhur aktualisht në disa Njësi Administrative, madje brenda në Tiranës), përdorimi i “të fortëve “ në rajone të konsideruara bastione për të frikësuar votuesit gjatë ditës së votimit dhe më pas. Këto fenomene negative, përgatiten të ndodhin kryesisht në të gjitha komunat dhe bashkitë ku pushtetin lokal e drejton opozita e majtë. Zyrtarët e Departamentit të Shtetit që mbikëqyrin Shqipërinë si dhe vëzhguesit e shumtë të OSBE, ODIR, duhet të jenë të vetëdijshëm për këto rrethana. Ka kohë që opozita e majtë shqiptare nuk është e interesuar për integrimin europian të Shqipërisë. Ajo këtë qëndrim e ka shprehur gjatë gjithë legjislaturës që po lëmë pas, me shumë veprime bllokuese në Parlament dhe jashtë tij. Jonathan Moore, Drejtor i Departamentit të Shtetit për Marrëdhëniet me Evropën e Jugut dhe Qendrore, nuk mundi ta bindë opozitën për nevojën e domosdoshme të plotësimit të vendeve në KQZ. Me një KQZ gjysmake, procesi zgjedhor nuk do të mund të certifikohej natyrshëm dhe pa kontestim nga cilado palë. Ky qëndrim i ri i opozitës është një goditje e rëndë e demokracisë të brishtë shqiptare dhe me pasoja serioze për ardhmërinë e vendit tonë. Opozita beson se mund t’ia hedhë me sjelljen e saj të neveritshme ndaj KQZ sepse edhe në të kaluarën sjellja e opozitës pas zgjedhjeve ka qenë destruktive. Bllokime, protesta, mosnjohje rezultati të fituesit etj,etj. Këto janë të freskëta në memorien e çdo shqiptari të ndershëm dhe patriot. Duke komentuar në lidhje me zhvillimet në KQZ, ambasadorët e huaj dhe vëzhguesit ndërkombëtarë me dhjetëra herë po përsërisin deri me lutje, nevojën e plotësimit të institucionit themelor të zgjedhjeve Parlamentare të 23 qershorit 2013. Veprimi i opozitës është kundër ligjit, kodit zgjedhor dhe përtej kompetencave të institucioneve përgjegjëse. Opozita e majtë nuk duhet lejuar të ndryshojë rregullat e lojës në mes të betejës elektorale. Asaj i duhet thënë qartë dhe prerë duke i vënë pikat mbi “i”. Unë nuk jam i vetëm, por janë mijëra si unë që besojnë se ky veprim i opozitës është i paligjshëm dhe i padëgjuar askund në botë.
Praktikisht të gjithë anëtarët e komunitetit ndërkombëtar që kanë analizuar se çfarë ka ndodhur me KQZ-në, kanë të njëjtin mendim. Nëse opozita do të kishte realizuar detyrimet e saj, në mënyrë etike dhe ligjore që KQZ-ja të formatohej e plotë, situata do të kishte qenë ndryshe.
Por dorëheqjet me urdhër politik të anëtarëve të saj nga KQZ, pavarësisht qëndrimit të palës tjetër që shkon në zgjedhje, nuk janë gjë tjetër veçse tregojnë qartë se opozita e majtë e vendit tim, ka një axhendë tjetër. Asaj nuk i intereson mesa shihet, një proces zgjedhor i lire, i ndershëm dhe mbi të gjitha i qetë deri në fund.
Këto ditë sondazhet më serioze paraprake tregojnë se Aleanca e Djathtë është drejt fitores së mandatit të tretë, nëse zgjedhjet do të jenë të lira, të qeta dhe nuk do të kontestohen përsëri nga opozita. Por ekziston frika reale se pavarësisht se çfarë dhe kë do të votojnë shqiptarët, çfarë do të tregojnë numrat, opozita e Edvin Ramës do të keqpërdorë simpatizantët dhe militantët fanatikë (paramilitarët) duke rrethuar KQZ-në dhe zhurmuar ashtu si herë të tjera se qeveria na ka vjedhur votat. Dhe është pikërisht kjo arsyeja e vetme, se përse opozita nuk plotëson vendet e saj në KQZ. Është gjetur alibia e humbjes së madhe për Edvin Ramën dhe aleancën e tij të 1 Prillit. Ky veprim duhet të shihet si një sinjal i qartë se nëse opozita e majtë humb zgjedhjet (dhe kjo është e sigurtë), Edi Rama dhe Partia e tij e vjetër nuk do t’i njohin ato.
Dhe në qoftë se opozita do të marrë rrugët, kjo në fakt është axhenda e vetme e saj, shpresat për progresin e Shqipërisë si demokraci do të tronditen dhe do të zgjatet edhe më, koha drejt integrimit të plotë në familjen e madhe europiane. Meqë siguria rajonale ka udhëhequr politikën e Departamentit të Shtetit për Shqipërinë në të kaluarën, nuk duhet të ketë asnjë dyshim se prioriteti strategjik në rajon për amerikanët sot është që të sigurohemi që Shqipëria mban zgjedhje të lira dhe të ndershme më 23 qershor, ashtu siç i ka hije një vendi anëtar të NATO-s. Ç’është më e rëndësishme duke qenë ndër popujt më pro-amerikanë (dhe kjo shihet si krenari kombëtare) shqiptarët besojnë dhe e shohin SHBA-në si një partner i rëndësishëm strategjik. Për këtë arsye, shqiptarët kërkojnë që të ndërhyhet me tone të qarta dhe të drejtpërdrejta të mundshme për të mbrojtur të drejtat demokratike të popullit tonë, duke i komunikuar opozitës së majtë dhe duke i kërkuar prerazi që të tërhiqen nga axhenda e destabilizimit të vendit me mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve dhe pranimin e humbjes. Opozita duhet të tërhiqet nga grushti institucional shumë i rrezikshëm që ka orkestruar me qendrimin ndaj KQZ-së. Dhe nëse Edvin Rama dhe Aleanca e Një Prillit nuk tërhiqen nga axhenda e tyre për mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve dhe për rrjedhojë destabilzimin e vendit, atëhere ambasadorët e vendeve mike të Shqipërisë, duhet të qendrojë ashpër ndaj natyrës destruktive të opozitës së majtë,në mënyrë që votuesit shqiptarë të shkojnë të qetë para kutive të votimit dhe se do të jenë ata, që do të vendosin për fituesin ose humbësin e këtyre zgjedhje nga më të rëndësishmet për ardhmërinë e Shqipërisë Europiane.