Rekuiem filozofiko-sociologjik për rëndësinë e një ditë në shoqëritë moderne
Rëndësia e një dite në shoqëritë moderne është shumë e madhe, sepse dinamika e zhvillimit të ngjarjeve, e përcaktimit të fatit të njeriut dhe të shoqërisë, si dhe i proceseve të ndryshme shoqërore, ekonomike, industriale dhe politike, është bërë tepër e shpejtë dhe marramendëse. Edhe filozofi freng, Anri Lëfevrë, gjatë shqyrtimit të shoqërive moderne, ka folur tepër shumë për rëndësinë që ka një ditë për njerëzimin. Ai kujton se ishte një ditë kur njeriu vendosi të përdorte armët bërthamore, ishte një ditë që mbahet mend për fillimin apo përfundimin e luftës, e kështu me radhë. Kështu është edhe në jetën individuale të individëve si pjesë e shoqërive moderne, sepse secili individ e ka një ditë kur ka pasur kontaktin e parë fizik me këtë botë, ashtu siç kujton edhe ditën kur ka filluar të shkojë në kopsht, në klasë të parë, apo edhe kur mund të ketë diplomuar, kur mund të ketë pasur ditën e parë të punës, etj. Me fjalë të tjera, si për shoqërinë, ashtu edhe për individin një ditë e caktuar ka rëndësi shumë të madhe, e pse jo edhe përcaktuese për fatet dhe rrjedhat e tyre. Në këtë kuptim, sikurse shoqëritë, ashtu edhe individët si pjesë e saj, vazhdimisht kanë pasur kujdes që të mos jetë ajo një ditë e trishtueshme, të mos jetë një ditë e keqe, të mos jetë një ditë ters për ta. Prandaj, si shoqëritë, ashtu edhe individët janë kujdesur që të masin mirë veprimet e veta, pasojat që do kenë ato në një ditë, apo në jetën e tyre. Dhe shoqëria njerëzore, sikurse individi si pjesë e saj, janë munduar të mos marrin aso vendimesh që mund t’u kushtojnë shtrenjtë dhe që mund t’u japin jetës së tyre një drejtim të gabuar.
Megjithatë, jo çdo herë shoqëria njerëzore ka mundur të shpëtojë nga ato vendimet e gabuara dhe të rënda, duke e shndërruar ditën e caktuar në ditë tragjike dhe të rëndë. Totalitarizmat e ndryshëm, në Evropë kanë ardhur edhe si pasojë e vendimeve që shoqëri të ndryshme kanë marrë në një ditë të caktuar, dhe që më vonë kanë pasur pasoja të rënda jo vetëm për ato, por në përgjithësi për shoqërinë njerëzore. Në studimet e ndryshme mbi totalitarizmat e shekullit XX, siç është edhe ai Leon Poliakov, kur bëhet fjalë për totalitarizmin italian të Benito Musolinit, thuhet qartësisht se ky totalitarizëm ka ardhur nëpërmjet një vendimi të gabuar të qytetarëve italianë. Dihet pastaj se çfarë ndodhi me shoqërinë italiane dhe jo vetëm me të. Është e qartë se për shkak të vendimit të gabuar që është marrë gjatë një dite, shoqëria italiane vazhdon të ketë edhe më tej pasoja të ndryshme, ndër të cilat edhe jostabiliteti i vazhdueshëm politik. Po ashtu, edhe despotizmi dhe totalitarizmi serb në krye me Milosheviqin, është pasojë e një vendimi të gabuar të shoqërisë serbe në një ditë të caktuar. Ka aq shumë fakte që dëshmojnë për pasojat që ka pasur njerëzimi nga vendime të gabuara në një ditë të caktuar, sa që mund të bëhet një kolanë alfabetike, apo një leksikon i pasojave të dëmshme që ka pasur njerëzimi për shkak të vendimeve të gabuara që kanë marrë individë, apo edhe shoqëri të tëra njerëzore. Lufta e Trojës është një nga pasojat e një vendimi të gabuar që kanë marrë Paridi dhe Helena për t’u bërë bashkë, ani që në këtë mënyrë shkaktonin armiqësi dhe luftë, apo edhe dita kur Epimeteu, vëllai i Prometeut, u martua me Pandorën, e cila kishte sjellë të gjitha të këqijat në këtë botë. Edhe pse këto dy raste tragjike shpjegohen si raste që kanë ardhur për shkak të konflikteve të zotave ndërmjet vete (rasti i Paridit dhe Helenës), dhe për shkak të hakmarrjes që Zeusi kishte dashur të realizonte kundër Prometeut për shkak se ky kishte guxuar të vidhte flakën (dijen) nga maja e Olimpit dhe t’ua jepte njerëzve, megjithatë dëshmojnë se sa rëndësi ka një ditë në fatet dhe në jetët e individëve dhe të shoqërive të ndryshme. Në anën tjetër, nuk duhet harruar as vendimi i marrë një ditë të caktuar nga ana e Neronit për të djegur Romën, nga dashuria e sëmurë për të. Dihet se ai e kishte djegur Romën pasi që e donte aq shumë, sa që nuk mund të duronte që edhe dikush tjetër ta donte atë. Është për t’u theksuar se në të tri rastet e përmendura, motivi për vendimet e gabuara të marra në një ditë të caktuar ka qenë dashuria: dashuria e Paridit me Helenën, dashuria për dijen që u pasua me dashurinë ndërmjet Epimeteut dhe Pandorës, si dhe dashuria e Neronit për Romën. Kjo do të thotë se shumë ngjarje tragjike, shumë vendime të gabuara janë marrë të nxitura nga ndjenja tepër njerëzore dhe fisnike. Prandaj është e njohur thënia: Asnjë e keqe nuk do të ishte aq hidhur, sikur të mos bëhej në emër të ndonjë të mire, e cila sintetizon pikërisht peshën e së keqes e bërë në emër të ndjenjave fisnike të njeriut. Kur jemi këtu, duhet thënë se shumica e të këqijave që i kanë ndodhur njerëzimit, kanë ndodhur pas vendimeve të gabuara të marrë në emër të së mirës së tij. Shumica e luftërave kanë ndodhur pas vendimeve të marra në një ditë të caktuar në emër të interesave të qytetarëve dhe të njerëzimit në veçanti. Është për të theksuar se të gjithë ata që e kanë pasur mendjen e keqe, dhe që kanë dashur të marrin vendime të këqija për të realizuar veprime të këqija, këtë e kanë bërë pas një propagande dhe fushate bindjeje të njerëzve qoftë në senate, qoftë në kongrese, qoftë në sinagoga apo edhe në tempuj të ndryshëm fetarë. Historia e oratorisë botërore, si dhe e asaj politike, është e mbushur tepër shumë me fjalime të zjarrta dhe tepër bindëse nga oratorë të ndryshëm dhe nga personalitete të tjera në përpjekje për të bindur njerëzit, apo thënë më drejtë, për të mashtruar qoftë senatorët, qoftë popullin për veprimet që kanë pasur pasoja të rënda për popuj të ndryshëm.
Prandaj, mund të thuhet se veçori kryesore e secilit orator, përkatësisht i fjalimeve të tyre ka qenë përdorimi i fjalëve të bukura, i intonacionit emocional dhe herë-herë kumbues, për të prekur ndjenjat e njerëzve si mënyra më e mirë për t’i përvetësuar njerëzit, për t’i indoktrinuar ata, si mënyrat më të mira për t’i shtyrë të mbështesin, dhe edhe më keq, për t’iu bindur verbërisht oratorëve dhe politikanëve të caktuar. Kush nuk e kujton faktin se ishin fjalimet në Klubin e Jakobinëve kundër mbretit ato që nxitën turmat dhe e bënë revolucionin? Por, po ashtu, është shumë i njohur fakti se ata që bënë revolucionin francez, filluan t’ia hanë kokën njëri-tjetrit, për ç’asye doli edhe ajo shprehja e famshme: revolucioni i ha fëmijët e vet. Dhe të gjitha këto kanë ndodhur pas fjalimeve të bukura që kanë mbajtur oratorë, politikanë dhe personalitete të tjerë të njohur shumë, të njohur pak, apo edhe të panjohur, para se të kryhen veprime të ndryshme. Dhe po t’u bëhet një vështrim i përciptë, në të gjitha ato fjalime, ka emocion me bollëk, ka figura letrare sa të duash, por ka pak, ose aspak realizëm, seriozitet dhe konkretësi. Në ato fjalime, edhe ndër ato më të njohurat në histori, më shumë është pasur kujdes që të aktrohet, të shtiret, të mashtrohen njerëzit, të keqpërdoren emocionet e njerëzve, sesa atyre t’u flitet qartë për çështje konkrete. Është shumë e qartë se të paktë do të ishin ata që do të ndiqnin jakobinët, sikur ta dinin që më parë, se cilat ishin qëllimet e vërteta të tyre, të kamufluara me fjalime të bukura, emocionale dhe prekëse. Mirëpo, ishte vonë: revolucioni kishte ndodhur dhe kishte filluar gijotina që hante koka njerëzish. Revolucioni hante bijtë e vet. A nuk kishte ndodhur kështu për rreth gjysëmshekulli edhe në shtetet e ashtuquajtura komuniste? A nuk kishte ndodhur kështu edhe në shtetin shqiptar, gjatë gjysëmshekulli të sundimit despotik, totalitar dhe revolucionar komunist të Enver Hoxhës, kohë kur revolucioni hante kokat e bijve të saj? Sa bij të revolucionit u vranë, sa të tjerë u dënuan me burg të përjetshëm, sa të tjerë u internuan, e që u bënë në emër të popullit, në emër të revolucionit komunist? Dhe një nga konstatimet e rëndësishme të Nikola M. Nikolov, është se “Të gjitha revolucionet janë nisur në emër të popullit, por asnjë revolucion nuk e ka nisur populli.”. Prandaj, edhe populli duhet të mos lejojë kurrë që të këqija të mëdha, apo edhe të vogla t’i vijnë në emrin e tij, ashtu siç nuk duhet të lejojë që me vendimet e tij të marra në një ditë të caktuar, të prodhojë situata që do të kenë pasoja shumë të rënda për të. Është koha që populli dhe individët si pjesë e tij, të kujtojnë gjithë të këqijat që gjatë historisë i kanë ndodhur njerëzimit si pasojë edhe e vendimeve të gabuara që janë marrë në një ditë të caktuar, pas fjalimeve të bukura, shpeshherë poetike dhe emocionale të mbajtura nga ata që mashtrimin, rrenën, dhe pabesitë e ndryshme i kanë veçori të amoralitetit, të djallëzive dhe intrigave të paskrupullta e obskurantiste.