E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Standardet më të mira në zgjedhjet e 8 Majit

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha konfirmoi sot, vendosmërinë e qeverisë për të bërë të gjitha përpjekjet për arritjen e standardeve më të mira ndërkombëtare në zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 8 Majit.
Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kryeministri Berisha prit sot, në një takim Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe, Daniel Fearn.
Gjatë takimit, Berisha vlerësoi mbështetjen që Britania e Madhe i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në shumë fusha, në veçanti për sa i përket projektit madhor kombëtar, integrimin sa më të shpejtë në BE.
Nga ana e tij, Fearn rikonfirmoi se Britania e Madhe dhe qeveria britanike është mbështetëse e fuqishme e zgjerimit të Ballkanit perëndimor në BE dhe do të vijojë të mbështesë Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare në të gjitha përpjekjet e saj për integrim.
Në takim u shpreh vlerësimi i të dy qeverive për bashkëpunimin e ngushtë që dy vendet kanë zhvilluar vitet e fundit në disa fusha të rëndësishme, si luftën kundër krimit, kundër terrorizmit, në kuadër të bashkëpunimit në NATO, etj.
Në takim u vlerësua gjithashtu angazhimi i qeverisë shqiptare për të zbatuar 12 kërkesat e parashtruara nga KE, si dhe u theksua rëndësia që të gjithë faktorët të përmbushin përgjegjësitë e tyre lidhur me këtë proces.
Përfaqësuesit e ministrisë së Jashtme britanike vlerësuan në veçanti, arritjet e qeverisë në luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit, etj.
“Qeveria britanike vlerëson qëndrimin konstruktiv dhe rolin e Shqipërisë në konsolidimin e paqes stabilitetit dhe bashkëpunimin në rajon”, u shpreh Daniel Fearn.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›