Berisha: “Standardi i Piktorit dhe i neobllokmenëve, tmerr nga debati me opozitën për megamashtrimet”
Lideri historik i demokratëve reagon në Facebook
Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha komenton polemikat e para mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, lidhur me zhvillimin e seancës së sotme plenare, për diskutimin e programit qeverisës. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama se ka frikë të bëjë transparencën e programit qeverisës, pasi ka frikë nga mashtrimet që sipas tij ai i bëri shqiptarëve më 23 qershor. “Standardi i Piktorit dhe neobllokmeneve, tmerr nga debati me opozitën, pra, program pa debat! Frike deri në palcë nga megamashtrimet e tyre. Te dashur miq, sot kreu i mazhorancës së premtimeve antiglobaliste, drogës dhe parave të krimit, tregoi se ka tmerr nga debati. Ndaj dhe kërkon të paraqesë në Parlament, fshehtas, programin e qeverisë së tij pa jua dorëzuar për ta lexuar paraprakisht, deri në këtë moment, deputetëve të opozitës. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë e një Parlamenti të lirë. Nuk po përmend vitin 2009, se PS nuk hyri ne Parlament fare, por në vitin 2005 ne e dorëzuam programin e qeverise deputetëve me datë 6 shtator. Opozita pasi u njoh me të bëri 700 pyetje. Debati u zhvillua me dt 9 -10 shtator. Neobllokmenët mbajnë sekret nga deputetët e opozitës programin sepse ata kanë tmerr nga megamashtrimet e tyre programore”, shkruan Berisha. Premtimet e Edi Ramës në fushatën zgjedhore të 23 qershorit u harruan gradualisht ditë pas dite nga kreu i PS, ndonëse ishte zotuar para shqiptarëve për “rilindjen”. Kësisoj, në mënyrë të paprecedentë, në ditën e dytë të zhvillimit të seancës plenare të sesionit të ri kuvendor, forca qeverisëse, PS, nuk guxon të dorëzojë në Kuvend, programin e saj. Me të drejtë, demokratët logjikojnë se kjo është frikë dhe panik i socialistëve, për tu përballur me opozitën dhe shqiptarët, lidhur me megamashtrimet e 23 qershorit.