Paloka përgënjeshtron Ramën: S’kemi marrë asnjë kopje të programit të qeverisë

Mazhoranca e re fillon punën me arrogancë, sulm opozitës: “Nuk ju pyesim ju”
Edi Rama njoftoi sot se ka shpërndarë programin e qeverisë, e cila do të udhëheqë vendin për 4 vitet e ardhshme. Programi i qeverisë, i është dhënë çdo deputeti në Kuvend bashkë me një letër personale nga kryeministri për çdo ligjvënës që ulet në karriget e Kuvendit të Shqipërisë. Por, kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka deklaroi se PS s’ka shpërndarë asnjë kopje të programit, madje ka zbardhur edhe detaje gjatë mbledhjes së konferencës së kryetarëve, teksa tha se Gramoz Ruçi i është drejtuar me fjalët “Nuk iu pyesim ju për programin”. Sipas Palokës ky është veprim arrogant, pasi opozita nuk mund të injorohet në këtë mënyrë teksa ka hedhur poshtë lajmin e shpërndarë nga selia rozë se kryeministri Rama i ka vënë në dispozicion programin qeverisës çdo deputeti bashkë me një letër. “Në Kuvendin e Shqipërisë nuk është dorëzuar asnjë program. Seanca plenare është mbyllur pas votimit për kryetar. Deri në orën 15:55 nuk ka vajtur asnjë program në kryesinë e Kuvendit që dhe po të shkojë nuk ka deputet. Unë nuk kam marrë as program dhe as letër. Ne e lamë të komunikojmë me zotin Meta. Bisedova në telefon dhe më tha se kishte procedura që do më njihte. Por, nuk është kjo kryesorja. Më vjen keq për atë që tha zoti Vasili se ishte i pranishëm, dhe nëse nuk është arrogancë ajo që tha Ruçi, me gjithë përpjekjet e Metës për të zbutur situatën ai tha prerë “se nuk jemi këtu për të diskutuar se kur do paraqitet programi, pasi nuk do ju pyesim juve” tha ai copë dhe prerë. Unë i thashë nëse nuk jam këtu për t’ju pyetur po shkojmë të marrim vendimet tona të grupit. Nuk ka gjë më të rëndësishme në Parlament se programi i qeverisë. Gjë më të rëndësishme nuk mund të ketë pas buxhetit. Ne kërkuam 1 ditë kohë. Pasi minimumi duhet të lexojmë”, tha Paloka.
Paloka ka kërkuar 24 orë kohë për shqyrtimin e programit në të kundërt nuk ka përjashtuar bojkotin si masë ekstreme. “Ti opozitën e injoron dhe poshtëron, pasi i thua ne do bëjmë punën tonë. Ne do marrim vendimi tonë. Sot informova grupin në atë ç’ka ndodh në konferencë. Të gjithë ishin dakord se ishte e papranueshme dhe i bëmë të qartë palës tjetër se nëse vijon me këtë këmbëngulje do marrim vendime tona ekstreme. Nuk përjashtohet bojkoti, situata janë ndryshe, pasi ne nuk duam të biem në hullinë e tyre, pasi nëse duan të na shtynë ata kanë gjetur mënyrën e keqe”, paralajmëroi Paloka.
PD në proces zgjedhjesh, opozita jonë, opozitë e argumenteve dhe e fakteve/Kreu i ri i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka deklaron se PD-ja është në proces zgjedhjesh brenda saj pas humbjes së 23 qershorit dhe se ai vetë është i komanduar nga kryetari Basha për të drejtuar grupin e PD-së. Paloka pranoi se kishte kundërshtime brenda grupit për mënyrën e zgjedhjes së tij, por që morën sqarimet e duhura, për shkak të situatës jonormale pas 23 qershorit. Paloka pranoi se ka ambiciet e tij në politikë, ndërsa tha se në opozitë ndihet mirë, pasi natyra e tij është më tepër opozitare. “Nuk ka pse të habiten njerëzit kur ka debate. Dje zgjidhëm ngërçin e krijuar me statusin. Nuk u zgjodh kryetari, edhe mund të ishte zgjedhur. Por Këshilli Kombëtar do të vendosë për zgjedhjen e kryetarit. Mund të kemi ndryshime në statut. Do fillojnë të gjithë procedurat për zgjedhjet në PD. Do të ndodhin të gjitha ato që kanë ndodhur përherë, do zgjidhen kryetarët e seksioneve, kryesitë e seksioneve. Degët, kryetarët e degëve. Të gjitha janë siç kanë qenë. Në statut nuk ka ndryshuar asgjë, u gjet vetëm kjo zgjidhje që të mos shkelet statuti”- u shpreh Paloka. Ai e quan vlerësim dhe përgjegjësi të madhe emërimin e tij në postin e kryetarit të grupit parlamentar të PD. “Ndjehem i vlerësuar, falënderoj të gjithë ata që ma dhanë këtë mundësi. Eshtë përgjegjësi e madhe dhe unë e kam ndjere peshën e kësaj përgjegjësie edhe këto ditë. Më tepër kam menduar a do t’ja dal dot, dhe të mos zhgënjej militantët e PD-së. Më tepër kam ndjerë peshën e kësaj përgjegjësie, sesa marrjen e një posti në PD. Unë jam themelues i PD-së kam 20 vjet, kam edhe unë ambiciet e mija politike. Kush hyn në politikë hyn për ideale, sidomos në kohën kur ne hymë, në ’90, por e përsëris kushdo që hyn në politikë ka dhe ambiciet e tij. Ambiciet duhet të përshtaten pastaj. Gjithmonë mbetet në dorë të atyre që përzgjedhin. I vetmi institucion legjitim në PD është kryetari Basha. I vetmi institucion legjitim që mund të ma bënte këtë propozim ishte zoti Basha, i cili është konsultuar. Nuk ekzistojnë forumet sot. Kur ka dhënë dorëheqjen zoti Berisha ka dhënë dorëheqjen edhe kryesia. Pas zgjedhjeve ne jemi detyruar të bëjmë një analizë për humbjen e zgjedhjeve. Në bazë të kësaj analize do zgjidhen dhe funksionarët e PD-së”- tha ai.
Opozita e Partisë Demokratike, deklaroi Paloka, do jetë opozitë e argumenteve dhe e fakteve dhe jo opozitë e dhunës siç ajo e Partisë Socialiste. “Politikën e partisë kryesisht e përcakton kryetari i partisë bashkë me forumet. Por edhe personalisht, duke ditur që do të përballesha me mediat, për fat të mirë çdo fjalë që kisha menduar u tha nga zoti Basha. Ne do të jemi një opozitë ndryshe, luajale, që nuk do ta bazojë luftën e saj tek shpifjet. Ata që bënë opozitën dje sot janë nëpër gjyqe për shpifje. Një pjesë të dënuar apo që priten të dënohen. Do të jemi opozitë e argumenteve dhe fakteve. Nuk do të jemi opozitë që në rastet kur nuk ka argumente dhe fakte përdor dhunën. Kjo nuk do të thotë që do të jemi një opozitë e heshtur dhe e mbyllur që do të thotë vetëm po. Do të jemi bashkëpunues në rast se iniciativat e mazhorancës do të jenë në interes të shqiptarëve. Do të jemi ashpërsisht kundër çdo veprimi tjetër që do të sjellë pasoja për shtetin shqiptar. Të gjitha gjasat janë që të ndodhë kjo e dyta. Pa hipur mirë në karrigen e kryeministrit zoti Rama ka shpalosur vizionin e tij, e ka nisur me spastrimin e ndërtimeve të bregdetit, ai ka inat të ndërtojnë pa leje de me leje ata që nuk janë klientët e tij. Rama kur u bë ministër kulture pati një luftë të vogël me pronarët e ish kinema Republikës. Bëri një luftë të madhe që kjo kinema të mos prishej, në momentin që u bë kryetar bashkie kjo kinema u prish dhe u ndërtua një pallat. Koço duhet të ketë vend ku të ndërtojë dhe Rama po i pastron vendin”.
Në përfundim, kreu i grupit të PD, Edi Paloka akuzoi Edi Ramën për blerjen e votave dhe mashtrimin e shqiptarëve përmes premtimeve utopike. “Edi Rama nuk ka marrë më shumë deputetë seç ka marrë më përpara. Ajo që i ndryshoi gjërat ishte LSI. Rama nuk është votuar për kryeministër, duhet të merrte të paktën 70 deputetë që shqiptarët ta kishin votuar për kryeministër. Jam i bindur që shpejt të gjithë ata që për një arsye apo një tjetër u mërzitën me PD, dhe vendosën të flenë me mullixhiun, për më tepër me një si Rama, shpejt do ta kuptojnë gabimin. Ata që e shitën votën besoj i kanë mbaruar ato lekë dhe do fillojnë të reflektojnë. Rama ka bërë mjaft premtime ndaj fushatës, nëse do ti mbajë është punë e tij, jam skeptik sepse janë premtime utopike. Premtimi që 95% të shqiptarëve do tu hiqen taksat, legalizimet do bëhen pa pagesë, të persekutuarve brenda dy viteve do tu lajnë të gjitha detyrimet, duke u llogaritur ditën nga 25 euro, do ulen çmimet e ushqimeve energjisë etj, etj. Shëndetësinë do ta bëjë falas, pa kontribute. Do paguajë shoqëria, do të thotë se nuk qenka falas. Ligjërisht sot askush nuk paguan në spital, shëndetësia është pa pagesë, por paguhen kontribute shëndetësore”.
Fjalën e fundit e ka për Sajmir Tahirin, ministër të Brendshëm. “Përveç premtimet që ne përmendem që nuk do të mbahen, nuk besoj se zoti Tahiri do t’i mbajë premtimet që u beri hajdutëve të xhepave se do ta bënte shef komisariati”.