E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Skema e PS kundër manipulimit

Bisedoi: Ilir Babaramo

Përse kaq shumë incidente z.Rama në kaq ditë fushate?

Po të shohësh hartën e këtyre incidenteve dhe natyrën e tyre, kupton se ka një panik, një panik që është paniku i pushtetit, i cili për fat të keq nuk po tregon qetësi në administrimin e një procesi, ku qeveria ka absolutisht përgjegjësinë e plotë për mbarëvajtjen dhe ku i takon qeverisë të garantojë ndarjen e qartë mes shtetit dhe pushtetit. Kjo gjë nuk ndodhi në 2009, gjë që nuk po ndodh as sot, kur shteti mbetet një mekanizëm që pushteti e vë në lëvizje edhe në proceset zgjedhore, përveçse në gjithë procesin qeverisës.

A garanton infrastruktura zgjedhore rregullat dhe paanshmërinë?

Sigurisht që ka një sërë aspektesh të kësaj infrastrukture, që do duhej të ishin trajtuar dhe një sërë elementësh që do të duheshin garantuar. Nuk ka ndodhur, dhe kjo e shumëfishon barrën e përgjegjësisë mbi Saliun për çdo gjë që mund të ndodhë.

Çfarë duhej garantuar?

Një transparencë e plotë e listave të zgjedhësve. Një transparencë e plotë, në procesin e identifikimit të zgjedhësve në qendrën e votimit dhe nuk ka ndodhur. Transparencë e plotë në procesin e administrimit të zgjedhjeve, dhe këtu kam parasysh KQZ-në, e prapë nuk ka ndodhur. Ai komision drejtohet nga një personazh që ngjan shumë më tepër me një gangster sesa funksionar publik.

Listat në fakt ju i keni marrë. A i keni verifikuar?

Dua të them se ne kemi marrë masa speciale, duke u nisur nga eksperienca e 2009 dhe duke pasur parasysh domosdoshmërinë që të gjitha këto mangësi t’i adresojmë me një organizim të sofistikuar në të gjitha nivelet, gjë që po e bëjnë dita ditës. Edhe sa i takon listave, kemi një organizim tonin të posaçëm, një strukturë verifikimi të listave dhe lëvizjeve të bëra në to. Kemi identifikuar një numër të caktuar njerëzish, të transferuar me kontrata fiktive dhe po bëjmë gati një dosje, që do t’ia çojmë prokurorisë. Po përgatitemi që nëse këta njerëz do shfaqen në procesin zgjedhor, të ballafaqohen me të vërtetën në çdo qendër votimi. Të ballafaqohen si personazhe që janë bërë pjesë e një procesi të shkeljes së ligjit, në funksion të interesave të pushtetit. Po vazhdojmë verifikimet dhe kemi një numër të caktuar individësh të identifikuar si shkelës të ligjit dhe të transferuar jo natyrshëm. Në kod përcaktohet se deri 60 ditë para datës së zgjedhjeve, lista nuk ndryshon më, por ajo ka ndryshuar. Çdo gjë që ka ndryshuar përtej këtij afati, për ne është antiligjor. Kush ka marrë guximin të bëhet pjesë e manipulimit të procesit, do të përballet me ligjin dhe askush nuk do të mund të përmbysë vullnetin e zgjedhësve më 8 maj. Masat janë marrë të plota, për t’u përballur sy për sy e dhëmb për dhëmb me pushtetin, nëse do të shfaqet vullneti i mbrapshtë i deformimit të rezultatit.

U duket qëndrim i paanshëm ai i ndërkombëtarëve?

Mbetem i mendimit tim të shprehur se ndërkombëtarët, miqtë dhe partnerët e këtij vendi, kanë rolin e tyre dhe bëjnë atë që munden në raport me këtë vend. Nuk janë këtu, as për të qeverisur dhe as për të bërë opozitën e qeverisë. Nuk janë këtu për të ndërtuar Shqipërinë evropiane, por për ta përcjellë këtë proces. Unë e shoh krejtësisht normale atë që ata bëjnë apo nuk bëjnë.

Zoti Berisha thotë se zgjedhjet janë administrative tërësisht dhe ju keni zgjedhur një profil politik...

Është shumë vonë për këtë pushtet, që t’u thotë qytetarëve ju jeni të parët. Ky pushtet u ka vjedhur votën për të vjedhur Shqipërinë dhe i ka vrarë, për të vazhduar të vjedhë. Këto zgjedhje janë thelbësisht politike, jo thjesht se ky është një stacion, ku populli është thirrur të gjykojë, por edhe sepse Shqipëria është në një udhëkryq dramatik mes dy rrugësh diametralisht të kundërta.

A mendoni se slogani i PS është reminishencë e së shkuarës, kur thoni e vetmja rrugë?

Nuk ka lidhje fare. Ne flasim për çështje konkrete. Cila është rruga për të luftuar papunësinë? E vetmja rrugë është Aleanca për të Ardhmen dhe Partia Socialiste. Cila është rruga e rritjes së fuqisë blerëse? Përmes rritjes së konkurrencës dhe e vetmja rrugë është PS. Rruga tjetër është rruga e monopoleve dhe mbylljes së shtigjeve të konkurrencës. E vetmja rrugë për të dalë nga qorrsokaku ku jemi, është rruga e PS dhe Aleancës për të Ardhmen. Është e pamundur të pranohet se dielli bie çdo ditë vetëm në oborrin e pushtetit, ndërsa në oborrin e qytetarëve ka hije të pashpresë.

Keni shtuar dozat e negativizmit. Këtë bëri Nano në 2005, kur donte të përdorte idenë e gogolit Berisha... A rrezikoni të humbni edhe juve?

Ne po flasim me qytetarët dhe po themi të vërtetën e thjeshtë e të rëndë. Atë të vrasjeve të qytetarëve të thjeshtë në bulevard. Ministri i Brendshëm po kërkon një mandat, t’ia bëjë Tiranës atë që po ja bën Berisha Shqipërisë. Më pas është e vërteta e bllokut të kusarisë, që pasuron oborrin e këtij pushteti në kurriz të vetë ekonomisë shqiptare. Është e vërteta e një padrejtësie që ne po e shprehim dhe çdo ditë po tregojmë vizionin tonë, planin dhe rrugën tonë. Po tregojmë çfarë kemi bërë në Tiranë, duke ofruar një model të ndryshëm dhe të njerëzishëm. Jemi dy botë të ndryshme: ne qeverisim me parametrat e botës së qytetëruar, ndërsa këta qeverisin si bajraktarë në një bajrak me lëmosha e shpërdorime rrënqethëse.

Përse e konsideroni z. Basha vegël të Berishës?

Ai nuk është as vegla e Saliut. Ai nuk ekziston, ai është Saliu në një përpjekje për të pushtuar Tiranën dhe për t’i bërë Tiranës atë që i ka bërë Shqipërisë, aty ku ka mundur dhe ashtu siç ka mundur. Qytetarët e Tiranës nuk e pranojnë këtë dhe ata do t’i japin mesazhin e qartë Saliut më 8 maj, por këtë mesazh do e marrë nga e gjithë Shqipëria.

Nëse në dy mandatet e para keni pasur bilance të tilla, si prishja e parkut “Rinia”, apo ndërtimet buzë Lanës, a keni një bilanc për këtë mandat të tretë?

Mund tu rendis shumë dhe nuk do mjaftonin 5 pyetje, por do duheshin 55 emisione. Kemi vazhduar, pavarësisht pengesave. Kemi ndërtuar shkolla dhe shërbime sociale, kemi transformuar parkun e liqenit, edhe pse jemi penguar për transformimin e pasqyrës ujore të liqenit.

Kemi transformuar parkun e Liqenit, edhe pse jemi bllokuar në pjesën tjetër, që ka të bëjë me transformimin e pasqyrës ujore të liqenit, të cilën do ta bëjmë tërësisht nga e para. Jemi bllokuar duke na u refuzuar një grant, që do na e jepnin miqtë tanë kuvajtian, për të bërë kthimin e gjithë ujit të liqenit në një ujë të pastër, duke e zhbërë atë gropë që është sot liqeni dhe për të ndërtuar plazhin urban, për të çuar më tej një projekt me Kopshtin Zoologjik dhe Botanik, për t’i kthyer në parqe zoologjike dhe botanike të përmasave dhe standardeve tërësisht më të përparuara dhe të kompleksit “Dinamo”, që do kthehet në një park sportiv.

Ju e keni anuluar projektin “Tirana Rock”?

Ne nuk kemi anuluar asgjë, por problemi është se ai projekt, ashtu si shumë projekte të tjera të bashkisë, ashtu si shumë punë të tjera të bashkisë, është mbuluar me një baltë të tillë shpifjesh dhe me një baltë të tillë gënjeshtrash. Aty do të ndërtohet një nga parqet më spektakolare të qytetit, ashtu si kundër mund të flasim në ndërhyrjen në shumë blloqe banimi.

Rama: Sa më shumë

drejt kutive të votimit

Në një rrugëtim derë më derë, së bashku me kandidatin për kryetar të minibashkisë nr.9 Armond Halebi, Edi Rama bëri dje apel nga Tirana për pjesëmarrje të lartë më 8 maj. Rama ka hasur në një problem kyç për tregtarët e kësaj njësie. Të gjithë janë ankuar për çmimin e kasës fiskale shumë të lartë dhe të pajustifikuar. Një grua në dyqanin e saj, teksa takohej me kreun e PS, u shpreh “Kemi problem kasën, se me 600 euro, është një çmim shumë i lartë dhe i papërballueshëm, shto dhe fuqinë blerëse në rënie. Po rrënohemi fare”. Edi Rama në të gjithë takimet me banorë të moshave të ndryshme ka bërë thirrje për të shkuar të gjithë në kutitë e votimit më 8 maj. “Të gjithë në votim atje më 8 maj. Te fleta e votimit, të gjitha llogaritë për pensionet e ulta, për ilaçet me çmime të rritura dhe hilenë e taksën e kusarisë brenda çmimit”, theksoi Rama. Ai këmbënguli se 8 maji është dita për t’i dhënë faturën e keqqeverisjes Saliut. “Biznesi i vogël i paguan qytetit mesatarisht rreth 1 milion në vit, 4 herë më shumë i paguan qeverisë në vit me TVSH, tatim-fitimi, sigurime shëndetësore, shoqërore, etj, dhe plus edhe kasa fiskale. Ndërkohë, ato që i paguani për bashkinë, ja ku i keni, në pemë, gjelbërim, ndriçim, rrugë, pastrim. Ato që i paguani qeverisë, ku shkojnë?! Ndaj më 8 maj, për të gjitha kusaritë dhe rrenat, në kutitë e votimit të jemi sa më të shumtë”, nënvizoi Rama. Po dje, Rama ishte edhe në Fushë Krujë ku prezantoi kandidatin për kreun e bashkisë, Gjon Bardhi. “Unë besoj, ne të gjithë besojmë, se më 8 maj, me votën tuaj, ne mund të hapim një rrugë të re për Fushë Krujën, Krujën, dhe të gjithë qarkun e Durrësit. Unë jam i bindur se ju të gjithë, ashtu si çdo qytetar i këtij vendi që nuk jeton në oborrin e pushtetit, jeni të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e një ndryshimi të madh”, tha Rama. Unë jam i bindur se me eksperiencën, tha ai, e njëkohësisht me përkushtimin që e karakterizon Gjon Bardhin, më 8 maj ju do të bëni një investim të sigurt për të nesërmen e qytetit tuaj. “Ne të gjithë sëbashku do të mund të ndërtojmë këtu në Fushë Krujë një model të mirë zhvillimi të qëndrueshëm, një model të mirë bashkëjetese qytetare mes të gjithë qytetarëve të Fushë Krujës, qofshin socialistë, qofshin demokratë”, vlerësoi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›