Berisha: TAP, ndikim të fuqishëm në zhvillimin ekonomik

Qeveria miraton marrëveshjen ndërmjet Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë, për gazsjellësin TAP
Këshilli i Ministrave miratoi dje projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes trepalëshe ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Greqisë dhe Republikës së Italisë për projektin për gazsjellësin Trans Adriatik (Projekti TAP). Projektligji u prezantua në mbledhjen e qeverisë nga kryeministri Sali Berisha, për të cilën u shpreh se zbatimi i këtij projekti përbën për Shqipërinë, zbatimin e projektit më madhor në historinë e saj dhe me ndikim më të fuqishëm në zhvillimin ekonomik të vendit. “Zbatimi i këtij projekti përbën për Shqipërinë, zbatimin e projektit më madhor në historinë e saj dhe me ndikim më të fuqishëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Përbën për qytetarët shqiptarë, për çdo familje shqiptare një ulje të qartë të kostos së jetesë, apo të shpenzimeve që ato bëjnë sot, për ngrohje dhe gatim. Përbën një mundësi tjetër të re të madhe, për Shqipërinë superfuqi energjetike në Rajon. Një burim tjetër të fuqishëm energjie për Shqipërinë vend me zhvillim të shpejtë dhe me rritje të madhe të kërkesave për energji. Projekti TAP përbën gjithashtu në vetvete një nivel të ri marrëdhëniesh ekonomike, por jo vetëm ekonomike dhe më shumë. Nuk duhet të harrojë askush se kjo materie është materia më politike sot”- u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë u shpreh se marrëveshja përbën edhe një zhvillim të madh në marrëdhëniet me vendet dhe kompanitë që janë aksionere në Shah Deniz 2. Në këtë sens, Berisha solli në vëmendje se, TAP është një projekt transformues dhe ky projekt, që është në krye të listës për vendimin historik që do të merret në muajt që vijnë.
“Kjo marrëveshje, sposton shkallën e bashkëpunimit mes tre vendeve tona, në një nivel të ri të panjohur më parë, shumë më të madh. Marrëveshja është një kuadër i shkëlqyer ligjor, i cili i jep epërsi të padiskutueshme projektit TAP, ndaj projekteve të tjera në diskutim, nga konsorciumi i Shah Deniz 2. Përbën një zhvillim të madh në marrëdhëniet me vendet dhe kompanitë, që janë aksionere në Shah Deniz 2. Azerbajxhani një vend mik, por dhe kompanitë e mëdha të Britanisë së Madh, Francës, Norvegjisë dhe vendeve të tjera, përben një nivel të ri marrëdhëniesh me vendet, kompanitë e të cilave ndërtojnë gazsjellësin Trans- Adriatik. Përbën një marrëdhënie të re , të shkëlqyer me Republikën e Turqisë, me Zvicrën, me Norvegjinë me Gjermaninë. TAP është një projekt transformues dhe ky projekt që është në krye të listës për vendimin historik që do të merret në muajt që vijnë”- deklaroi Berisha.
Gjithashtu kryeministri garantoi të gjithë aktorët e mëdhenj të këtij projekti të madh, që Shqipëria si kundër deri më sot do të përmbushë me përpikmëri të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje dhe zbatimi i këtij projekti, transformues për vendin tonë. “Dhe njëherë dua të garantoj të gjithë aktorët e mëdhenj të këtij projekti të madh, që Shqipëria si kundër deri më sot do të përmbushë me përpikmëri të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje dhe zbatimi i këtij projekti, transformues për vendin tonë”- vuri në dukje kryeministri.