Ndryshime epokale në qëndrimin ndaj urbanistikës
“Ok” ligjit për zhvillimin e territorit
Këshilli i Ministrave vendosi dje edhe “Për miratimin e rregullores uniforme të kontrollit të zhvillimit të territorit”. Duke u ndalur në këtë vendim të rëndësishëm, kryeministri Berisha theksoi se këto ndryshime ligjore, përcaktojnë ndryshime epokale në qëndrimin ndaj urbanistikës. Sipas kryeministrit Berisha, këto ndryshime i japin pushtetit vendor, autoritetin dhe kompetencën për zhvillimin e territorit në përputhje me planin rregullues, për çështje që nuk kanë të bëjnë me pronat dhe që i trajton qytetarët e komunave dhe bashkive të vendit, si qytetarë të barabartë para ligjit. Gjithashtu kryeministri ka bërë të ditur faktin se me këto ndryshime në ligj, hapet një epokë të re, një qëndrim i ri ndaj zhvillimeve urbanistike në qytete, duke i dhënë fund humbjes së kohës për regjistrimin e një biznesi nga 399 ditë që ishte më parë në vetëm 45 ditë.
Në fjalën e tij kryeministri Berisha u shpreh se “Kushtetuta e administrimit të territorit të vendit, e rregullimit të territorit mund të them se për herë të parë në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore, bëhet një kushtetutë vërtet demokratike, një kushtetutë, e cila i jep autoritetin dhe kompetencën për zhvillimin e territorit në përputhje me planin rregullues, qytetarit të parë, qytetarëve të qytetit apo komunës dhe këshillit teknik të saj, për çështje që nuk kanë të bëjnë me pronat, Kushtetutë, e cila i trajton qytetarët e komunave dhe bashkive të vendit, si qytetarë të barabartë para ligjit”.
Kryeministri tha se është e domosdoshme që “në përputhje me këto dy përcaktime madhore të ndryshojë edhe rregullorja e planifikimit e instrumenteve të planifikimit”. “Pra është e vërtet që ndryshimet ligjore kërkojnë dhe mund të hyjnë në fuqi, vetëm pasi rregulloja e instrumenteve të planifikimit të ketë pësuar ndryshimet e veta në përputhje me ligjin. Ndaj dhe ne po e miratojmë sot dhe jemi në kohë, ndërkohë kemi dërguar ligjin me procedurë të përshpejtuar në parlament. Kështu që hapim një epokë të re, një qëndrim të ri ndaj zhvillime urbanistike në qytete, theksoj edhe njëherë të dashur qytetarë dhe qytetare, se është e një rëndësie të jashtëzakonshme, sepse nga 399 ditë që rëndonin mbi supet tuaja për të marrë një lejë ndërtimi kalojmë tani në një standard të shkëlqyer 45 ditë, me sanksionimin e parimit heshtja është miratim”.