Berisha: Mandatin e ardhshëm, rritje e prodhimit bujqësor dhe zhvillim i biznesit
Nxitja e punësimit, prioritet i qeverisë
Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje nga ministrat dhe agjencitë që varen prej tyre të shqyrtojnë me përparësi absolute heqjen e çdo lloj barriere të pamerituar për bizneset, zgjerimin në maksimum të lirive të biznesit dhe iniciativës së lirë, për të shfrytëzuar çdo potencial që nxit prodhimin dhe punësimin.
Duke sjellë një shembull konkret, të mënyrës së nxitjes së punësimit nga një prej komunave në rrethin e Elbasanit, e cila në përputhje me ligjet e miratuar ka dhënë për përdorim, rreth 800 hektarë tokë që rrinte djerr, Kryeministri Berisha u ka bërë thirrje gjithë qeveritarëve vendore, që të bëjnë gjithçka në përputhje me ligjet e këtij vendi, për nxitjen e biznesit dhe krijimin e vendeve të punës në sektorin privat. “Zgjerimin në maksimumin e mundshëm të lirive, të biznesit dhe iniciativës së lirë dhe të bëni gjithçka për të shfrytëzuar çdo potencial për të nxitur prodhimin dhe nxitur punësimin. Ne kemi vendosur gjatë këtyre javëve për masa fiskale të cilat e bëjnë Shqipërinë një vend unik dhe natyrisht këto masa kanë koston e tyre në buxhet, por ne kemi potenciale të mëdha të jashtëzakonshme të tjera për të nxitur prodhimin dhe punësimin. Dy ditë më parë, ministri Imami më informon se në një nga komunat e rrethit të Elbasanit, kryetari i Komunës kishte arritur bashku me Këshillin e Komunës të japim në përputhje me ligjet që kemi miratuar, rreth 800 hektarë tokë që rrinte djerr. Unë nga kjo mbledhje dhe në emër të qeverisë dua ta falenderoj kryetarin dhe këshillin për këtë akt të përgjegjshëm, për dua t’ju bëj thirrje të gjithë qeveritarëve vendore, që të bëjnë gjithçka në përputhje me ligjet e këtij vendi, për nxitjen e biznesit dhe krijimin e vendeve të punës në sektorin privat. Zoti Ministër i Bujqësisë në rast se ekziston ky shembull i shkëlqyer pozitiv, që ju sigurisht e njihni, ju siguroj se ka komuna që kanë shembuj negativ dhe mua më vijnë ankesa nga qytetarët, prandaj ju lutem që Ministria e Bujqësisë të shfrytëzojë të gjithë autoritetin ligjor, për t’u hequr barrierat burokratike nga këshilltarët apo kryetarët të vëna në rrugë bizneseve. Ne duhet të bëjmë gjithçka të krijojmë vend pune kudo që ato mund të krijohen. Janë mundësi shumë të mëdha, por nga mundësitë më të mëdha dhe të pa shfrytëzuara ekzistojnë në bujqësi, eksitojnë në projektet e mëdha të ullirit, arrorëve, drurëve frutorë, ekzistojnë në projektet e bimëve medicinale. Cili mund të imagjinojë se vetëm nga gjethet e ferrës, një biznesmen, një djalë i ri në Delvinë arrin të fitojë në vit 100 mijë euro. Absolutisht, në një kohë kur mijëra e mijëra tonelata shndërrohen në pleh, se bien vetvetiu. Nuk po them për manat që bëhet reçeli dhe rakia e cilësisë më të mirë, por gjethja. Mora ferrën, e cila është pantotenike, është e kudo gjendur. Nuk po flas për boronicat, filloi media. Çfarë janë ato?! Se nuk i njohin, ferrat i njohin. Pra vërtet duhet të përpiqemi në të gjitha mënyrat për të nxitur punësimin. Meqë morëm këto masa kaq të mëdha dhe kaq të guximshme, ne duhet të shohim me lupë dhe të pastrojmë çdo ferrë nëpër këmbët e biznesit, në mënyrë që ti kontribuojmë suksesit të tij, rritjes ekonomike, rritjes së punësimit”, u shpreh kreu i qeverisë.
Gjithashtu, kryeministri Berisha ka kërkuar nga ministritë që të bëhet gjithçka për krijimin e vendeve të punës kudo që ato mund të krijohen.
“Unë pres me padurim propozimet tuaja, të cilat bazohen jo vetëm në stafet tuaja, por edhe në kontaktet që ju po merrni në mënyrë të vazhdueshme me grupet e interesit, me bizneset e fushës dhe i shndërrojmë ato në akte ligjore, nënligjore, sepse në fakt rrugë të suksesshme kemi bërë, por suksesin duhet më çdo kusht ta konsolidojmë, ta fuqizojmë, ta rrisim gjithnjë e më shumë. Shqipëria pret me padurim mandatin e saj të ardhshëm, pasi dëshmoi se e përballoi me sukses krizën, nuk është se nuk e ndjeu, se të kesh dy partner të shkëlqyer në të dy anët që të kenë probleme, natyrisht nuk ka sesi të mos pasqyrohet në ekonomiken tënde duke pasur parasysh edhe peshën e rëndësishme në ekonominë Europiane. Por e vërteta është se ekonomia shqiptare nuk ra në recension dhe ky është një afirmim që bëhet nga të gjitha institucionet ekonomike financiare botërore, të cilët e kanë shqyrtuar dhe e shqyrtojnë me hollësi dosjen e kësaj ekonomie që po reziston. Dhe pse po reziston, cilat janë shkaqet dhe vijnë në unison reformat e ndërmarra para fillimit të krizës”, tha ai.