Berisha: “Tadiçi mirëpriti ftesën për të vizituar Shqipërinë”
Autori i Lajmit: RedaksiaKryeministri Sali Berisha ka ftuar presidentin serb të vizitojë Shqipërinë. Ftesa e tij është përsëritur gjatë një takimi të zhvilluar dje me anëtarin e kryesisë së Kosovës, Sllobodan Petroviç. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Berisha tha se në çdo samit ka pasur takime me presidentin serb, Tadiç, i cili, sipas Berishës, ka mirëpritur ftesën për të vizituar Shqipërinë. “Në çdo samit takohem me presidentin Tadiç dhe ajo çka vlerësoj shumë është vullneti i përbashkët për të zhvilluar marrëdhëniet midis dy vendeve tona, për të hapur një kapitull të ri në këto marrëdhënie. Presidenti Tadiç është i mirëpritur në Shqipëri dhe unë dua tu them se po punojmë për vizitën e tij të ardhshme. Presidenti e ka mirëpritur ftesën për të ardhur në Shqipëri”, - u shpreh kryeministri Berisha. Edhe vizitën e Petroviçit në vendin tonë, Berisha e ka cilësuar historike, ndërkaq në konferencën për shtyp u bë e ditur se qeveria shqiptare ka akorduar një fond prej 400 mijë eurosh si ndihmë për komunën e Graçanicës. Petroviçi e ka cilësuar këtë ndihmë mjaft të rëndësishme, ndërsa theksoi se ajo nuk shkon vetëm në ndihmë të komunitetit serb. “Ne e vlerësojmë shumë të rëndësishme idenë e qeverisë së Berishës për të qenë një nga vendet që do të ndihmojë komunat e reja të formuara në Kosovë. Ky është një gjest më shumë se simbolik, duke ditur se në vendin tuaj situata ekonomike nuk është më e mira. Edhe në një situatë të tillë ju jeni të gatshëm tu vini në ndihmë atyre që kanë nevojë. Jam i sigurt që në këtë mënyrë ne çojmë një mesazh të qartë që do të jetë në interes të qytetarëve të Kosovës, Shqipërisë dhe rajonit. Miqtë tanë në Bruksel dhe Uashington do ta vlerësojnë shumë këtë projekt. Dëshiroj të besoj se dhe vende të tjera në rajon do ta marrin shembullin e Shqipërisë. Kjo ndihmë nuk shkon vetëm për komunitetin serb, por dhe për atë kosovar dhe për institucionet e Kosovës”, - theksoi Petroviçi.
Ky lajm është publikuar: 24/12/2009