Ftesa e Kryeministrit Berisha: “Opozita të hyjë në Kuvend”
Autori i Lajmit: RedaksiaKryeministri Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit i ka bërë sërish thirrje opozitës të hyjë në Kuvend, duke iu drejtuar edhe kreut të opozitës që të lërë mënjanë barsaletat që ai nuk ka lidhje me lejet e ndërtimit dhe me përcaktimin e trojeve. Sipas tij, opozita është një vlerë e padiskutueshme në Kuvend duke theksuar se ajo ka bërë hapa të mëdha në riformimin e saj, por sipas tij, deklarata e kreut socialist, Rama, që e njeh rezultatin, por opozita nuk vjen në Kuvend është qëndrimi më absurd. “I bëj thirrje zotit Rama të mos pengojë partinë e tij të kthehet në Parlament. Opozita është e domosdoshme, ajo ka bërë hapa të mëdha në ecurinë e saj. Por të deklarosh se njoh rezultatin e zgjedhjeve, por nuk kthehem në Parlament, kjo është diçka absurde. Shpresoj që vitin e ardhshëm opozita të zërë vendin e saj në Parlament. Ajo do të ketë hapësirën e nevojshme për reformat, në mënyrë që të luajë rolin e vet në procesin e integrimit”, - tha dje në Kuvend, kryeministri Berisha. Gjithashtu, Berisha theksoi se do të plotësojë çdo kërkesë të opozitës e cila është legjitime, por që nuk bie ndesh me Kushtetutën dhe me ligjet. “E garantoj opozitën se do të ketë hapësirë të plotë dhe se do të procedoj me reformat që të ndihet si një bashkëpunëtore e vërtetë”, - theksoi Berisha duke shtuar se shpreson se për vitin 2010 opozita të jetë në Kuvend. Ndërkohë, gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë i qëndroi stoik vendimit për të mos hapur kutitë, pasi, sipas tij, është e pamundur të dalë mbi gjykatat dhe ligjin. “Të bllokosh hyrjen e opozitës në Parlament duke kërkuar që ky tempull të dalë mbi një vendim gjykate është e pamundur. Kutitë do ti kishim hapur 100 herë për opozitën, por procedurat juridike dhe ligjet nuk lejojnë që ky tempull të marrë pushtetin gjyqësor”,- shtoi më tej Berisha, duke thënë se mazhoranca është e gatshme të plotësojë çdo kërkesë të opozitës, nëse ato nuk bien në kundërshtim me ligjet që ka miratuar Kuvendi.
Ky lajm është publikuar: 24/12/2009