E Diel, 1 Nëntor 2026

Bomba sociale në arsimNga TemaPara disa kohësh, në redaksinë e gazetës “TemA” mbërriti një ish-rektor në një ndër universitetet e reja private që mbinë si kërpudha gjatë qeverisjes Berisha. Na përgëzoi për faktin që ishim të vetmit që po shkruanim pë

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Bomba sociale në arsimNga TemaPara disa kohësh, në redaksinë e gazetës “TemA” mbërriti një ish-rektor në një ndër universitetet e reja private që mbinë si kërpudha gjatë qeverisjes Berisha. Na përgëzoi për faktin që ishim të vetmit që po shkruanim për këtë bombë sociale në vend dhe na rrëfeu me pikëllim historinë e tij, duke thënë se ajo nuk mund të provohej përmes gazetës. Ish-rektori tha se ishte detyruar, i kërcënuar madje me armë, që të hidhte firmën e tij mbi dhjetëra diploma, që do të shkonin për njerëz që nuk e kishin parë ndonjëherë derën e shkollës ose e kishin parë tepër rrallë. Na tha me bindje se “nuk mund të bënim gjë për të faktuar këtë rast flagrant, sepse regjistrat ishin kopsitur, pasi qeveria nuk e kishte vënë kurrë ujin në zjarr për t’u marrë me këto bomba në arsim.”
Para disa kohësh, ndoshta pak ditë përpara zgjedhjeve, kryeministri klithte në një studio televizive se në sistemin e drejtësisë nuk mund të depërtonin elementët e shkolluar që vinin nga jashtë. Megjithëse nuk e shprehu për asnjë moment, është e qartë se një ndër pengesat kryesore për të mos depërtuar në sistemin e drejtësisë është dhe numri i madh i atyre që quhen juristët gjashtëmujorësh dhe personave që u shkolluan për drejtësi gjatë qeverisjes së Berishës në fillimet e demokracisë. Është Berisha që mbante vulën në atë kohë si njeriu që po bënte çdo person ndër tre me diplomë juridiku.
Gjërat nuk kanë ndryshuar. Kërpudhat e reja që ofrojnë diploma, mbahen falë Juridikut dhe po shtojnë këtë armatë në mënyrë të frikshme.
Në mars të vitit që shkoi, qeveria shqiptare pagoi për të botuar një suplement në “Financial Times”. Kjo e fundit ftoi analistin Gabriel Partosh për të dhënë mendimin e tij për Shqipërinë. Duke folur për rrezikun që i kanosej integrimit të vendit, ai përmendi dhe faktin që administrata do të shtohej me njerëz që po marrim diploma false dhe që nuk kanë aftësitë e duhura. Ai përmendi dhe universitetet private si një regres.
Presidenti i vendit është ndër të paktët që ka vënë gishtin mbi këtë plagë që po përhapet rrezikshëm. Ai kërkoi që të mos shtohet kaq shumë numri i personave që mbarojnë Juridikun.
Por një përgjigje që vjen prej oligarkëve të rinj, që ofrojnë diploma, është se ajo është dega më e kërkuar. Pjesërisht e vërtetë. Në fakt mjekësia, inxhinieritë, arkitektura etj., janë edhe më të kërkuara, por juridiku është më i shpejti për t’u pasuruar. Të mjafton një licencë universiteti, disa tavolina dhe disa pedagogë, që shëtisin gjithandej dhe që pa u dridhur qerpiku thonë se mund të japin çdo lëndë që mund të ofrohet.
Pak ditë pas zgjedhjeve, qeveria shqiptare u tregua bamirëse me këto universitete, duke i akredituar. Deri më atëherë i kishte mbajtur pezull, për shkak se i duhej mbështetje, sidomos ajo monetare. Doemos, rrëfimi i rektorit për shitjen e diplomave të bën të besosh se është një treg me fitime marramendëse dhe pa mundime.
Nëse Kosova arriti që t’i japë zgjidhje shpejt dhe prerazi këtij problemi, Shqipëria nuk po përballet dot me të. Rëndësi ka për kryeministrin që të shtojë një statistikë, atë të diplomave që jepen, pa u kujdesur se si jepen.
Thonë që një regjim degradon, kur shtohet numri i barsoletave për të. Pa më të voglin dyshim, barsoletat për universitetet private janë në top paradë. Mjafton të shohësh emrat e reklamat e tyre të sinqerta për të kuptuar nivelin mjeran: dikush të ofron një celular, po i dërgove një student, e një tjetër krenohet se është universitet 100 për qind italo-shqiptar!!

Bode kundër Berishës: Nuk mund të heqim TVSH për arsimin privat

Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka kundërshtuar dje qartë heqjen e tatimit mbi vlerën e shtuar për arsimin privat në vend, duke debatuar edhe me kryeministrin, Sali Berisha. Kryeministri Berisha kërkoi në një mbledhje qeverie, të mbajtur dje, që tatimi mbi vlerën e shtuar për arsimin e lartë të hiqet, duke mbajtur edhe kështu një zotim, siç tha ai. Sipas kryeministrit, “ligji për TVSH nuk do të zbardhet pa u bërë disa ndërhyrje dhe pa u hequr TVSH për arsimin privat, në përputhje me premtimin dhe zotimin solemn elektoral të qeverisë”. Kreu i qeverisë u shpreh se “me vendimin për heqjen e TVSH për arsimin privat në Shqipëri synohet të vendoset një drejtësi sociale, e cila, edhe pse nuk mund të arrihet në formën e saj më ideale, sërish është një dhuratë për një kategori qytetarësh”.
Ministri i Financave me ftohtësi e kundërshtoi këtë gjë dhe tha se heqja e TVSH për arsimin privat është pabarazi sociale. Ministri shqiptar i Financave shtoi madje se nuk është koha për të bërë dhurata. Universitetet private në Shqipëri kanë kohë që ushtrojnë presion që të hiqet tatimi mbi vlerën e shtuar për arsimin e lartë, në mënyrë që ato të mund të kenë më shumë pará për të investuar dhe për të fuqizuar universitetet dhe për të rritur cilësinë e mësimdhënies. Në të vërtetë, universitetet janë duke kërkuar një gjë të pakuptimtë, pasi tatimi mbi vlerën e shtuar nuk ka asnjë lidhje me investimet që mund të kryejë një subjekt, në këtë rast një universitet, pasi TVSH është një taksë që paguhet plotësisht nga konsumatori dhe jo nga biznesi. Në rast se do të hiqej tatimi mbi vlerën e shtuar, atëherë menjëherë me këtë vlerë do të duhet të ulej tarifa e regjistrimit të çdo studenti që shkon në këto universitete. Në të vërtetë universitetet private kërkojnë të fitojnë më shumë pará me anë të taksave që paguhen nga konsumatorët, dhe ato, në rast se hiqet kjo taksë, siç është zotuar kryeministri, atëherë atë që deri më tani shkon për buxhetin, do ta marrin vetë. Kjo është sigurisht një sjellje e padrejtë dhe kryeministri nuk mund ta cilësojë si barazi sociale këtë gjë. Për më tepër terma të tillë si barazi sociale nuk kanë asfare lidhje me një qeveri të djathtë. Një qeveri e djathtë flet për shanse të barabarta dhe jo barazi sociale apo drejtësi sociale, pasi nuk ka asfare të bëjë pabarazia sociale me pagimin e një takse që e paguan çdokush në Shqipëri, e që është tatimi mbi vlerën e shtuar. Kjo është një taksë që e paguan konsumatori dhe e paguan për çdo mall apo shërbim që blen. Universitetet private në vend regjistrojnë pjesën më të dobët të nxënësve të shkollave të mesme të vendit, të gjithë ata që nuk fitojnë pikët për të shkuar në një universitet publik, dhe qeveria kërkon që ata të vijojnë të paguajnë të njëjtën tarifë dhe universitetet të mund të mbajnë vetë atë që deri më tani shkon për buxhetin e shtetit. Bëhet fjalë për pará që i takojnë buxhetit, dhe që vijnë nga xhepat e familjeve që regjistrojnë studentët në këto universitete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›