E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Takimi im i parë me Thatcher dhe biseda për Millosheviçin

FRANCE-ALBANIA-SARKOZY-BERISHAKryeministri Berisha e ka cilësuar një humbje të madhe ndarjen nga jeta të ish-kryeministres britanike, Margaret Thatcher. Sipas Berishës, ajo ishte symbol në luftën ndaj komunizmit.

Lajmi i ndarjes nga jeta të ish Kryeministres së Britanisë së Madhe Margaret Thatcher më pikëlloi thellë. Me vdekjen e Lady Thatcher, Britania e Madhe dhe bota perëndimore humbën një nga personalitetet politike udhëheqëse, më të shquara, të të gjitha kohërave. Me ndarjen e saj nga jeta, Mbretëria e Bashkuar humbi Zonjën e hekurt, legjendë e gjallë e vendosmërisë dhe përkushtimit ndaj saj, reformatoren e madhe që ngriti në zenit ekonominë, potencialin e gjithanshëm dhe emrin e madh të vendit të saj. Për kombe të tjera, ish-Kryeministrja Thatcher ishte simboli i pathyeshëm i luftës kundër komunizmit, avokate e pamposhtur e lirisë, vlerave të saj dhe paqes në botë, shprehet Berisha.

Berisha ka kujtuar edhe takimin që ka pasur me Thatcher, duke thënë se ajo ka qenë një mike e madhe e shqiptarëve.

Shqiptarët kanë humbur një mike të madhe të çështjes së tyre të drejtë. Në memorien time mbetet gjithnjë i paharruar dhe i gjallë takimi i parë me ish-Kryeministren Thatcher, në Blackpool. Kisha vetëm 3-4 muaj në politikë dhe në audiencën që më akordoi, pas përshëndetjes e nisi bisedën duke me pyetur me fjalët më të para: Më thuaj si po i masakron vëllezërit tuaj në Kosovë kasapi i Ballkanit, Slobodan Millosheviç.

Duke u përulur me nderimin më të madh, para kujtimit të ndritur të Lady Thatcher, i shpreh në emër të qeverisë shqiptare, familjes, qeverisë dhe popullit të Mbretërisë së Bashkuar, ngushëllimet më të thella dhe lutem së bashku me ta që shpirti i ish-Kryeministres Thatcher të gjejë paqen e merituar, shprehet Berisha. /b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›