E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Takimi me Atin e Shenjtë, bekim hyjnor për fitoren e 23 qershorit

20-03-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha dhe kryeparlamentarja Topalli kanë marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Papa Françeskut, në sheshin e Shën Pjetrit, si dhe janë takuar me Papa Françeskun. Berisha: “Pata rastin të shtrëngoj dorën shumë miqësisht dhe t’i uroj sukseset më të mëdha, Atit të Shenjtë, por edhe ta ftoj të vijë në Shqipëri si një mik i madh e i shquar i popullit shqiptar”

Kryeministri Sali Berisha e cilësoi ditë historike për Romën dhe mbarë botën inaugurimin e Papa Françeskut në krye të Kishës Katolike. Gjatë një prononcimi për mediat nga Vatikani ku mori pjesë në këtë ceremoni, i shoqëruar edhe nga Kryeparlamentarja Topalli, kryeministri Berisha vlerësoi Papën Françeskun, si papën e dhembshurisë njerëzore dhe të përkujdesjes për ata që janë në nevojë. “Ditë historike për Romën dhe botën. Papa Françesku dha meshën e tij madhështore, e ndjekur mbi 1 milionë besimtarë të ardhur nga mbarë bota dhe shumë prej tyre nga Shqipëria, në prani të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të 130 vendeve. Ishte vërtet një ceremoni shumë madhështore e mbresëlënëse. Papa Françesku ka zgjedhur të jetë papa i dhembshurisë njerëzore, i përkujdesjes për ata që janë në nevojë e të varfër. Pata rastin të shtrëngoj dorën shumë miqësisht dhe t’i uroj sukseset më të mëdha, në misionin e tij hyjnor në udhëheqje të Kishës Katolike botërore, por edhe ta ftoj të vijë në Shqipëri si një mik i madh e i shquar i popullit shqiptar” theksoi Berisha. Papa Françesku ka zgjedhur të jetë papa i dhembshurisë njerëzore, i përkujdesjes për ata që janë në nevojë e të varfër. Ndërkaq, duke iu referuar momentit në të cilin ndodhi takimi me Papën, Kryeministri e ka cilësuar këtë si një koincidencë fatlume në karrierën e tij. “Nuk mund të mos theksoj një koincidencë fatlume në karrierën time politike. Që nga viti ’92 e gjer më sot, para çdo fitoreje elektorale, unë kam pasur fatin e madh të jem në Vatikan e të takohem me Atin e Shenjtë, nga Papa Gjon Pali II tek Papa Françesku, çka është në mënyrë të pamohueshme një bekim hyjnor për fitoren e ardhshme, për të mos thënë që edhe qielli vegoi”. Duke paralajmëruar fitoren në zgjedhjet e pritshme, Berisha  bëri thirrje; “të ecim të sigurt drejt 23 Qershorit, drejt fitores së bekuar nga Ati i Shenjtë”. Po, kështu, Kryeministri Berisha pati një takim edhe me Kryeministrin e Kosovës HashimThaçi, i cili kryesonte delegacionin e Kosovës në ceremoninë e inaugurimit papal.
Para dhe pas meshës, kryeministri Berisha u përshëndet dhe bisedoi shkurtimisht me zv/presidentin e SHBA-ve, Xhozef Bajden, presidentin e Italisë, Xhorxhio Napolitano, presidentin e Austrisë, Fischer, kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, me kryeministrat e Francës dhe të Spanjës, si dhe me presidentë e kryeministra të vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të rajonit.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›