Durrës, arrestohet për armëmbajtje pa leje 17-vjeçari
Policia e Durrësit ka arrestuar një 17-vjeçar, i cili akuzohet për armëmbajtje pa leje. Sipas burimeve nga policia, në prangat e uniformave blu ka rënë XH.K., të cilit i është kapur një pistoletë në një lokal në qytet. Uniformat blu kanë marrë një denoncim se në një lokal gjendej një i ri i armatosur, i cili po rrezikonte jetën e klientëve. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar edhe një grup policor, i cili kreu edhe arrestimin e të riut. Adoleshenti ishte nën shoqërinë e shokëve të tij, ku dhe ka nxjerrë pistoletën që e mbante me vete. Me të, ai ka trembur klientët dhe kamerierët. Sipas burimeve nga policia, 17-vjeçarit iu sekuestrua arma e zjarrit, pistoletë speciale, tip “Manjum” me numër F732924, që iu gjet në brez. Ai është shoqëruar për në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës.