E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Taksa marksiste e Ramës do të mbetet brenda selisë

03/11/2011  Kryeministri komenton propozimin e kryesocialistit për sistemin e fiskal

Rama: Ne marksist si Obama. Saliu është me çunat e Bllokut të vet

Kryeministri Sali Berisha e cilësoi të papranueshëm dhe të dëmshëm për ekonominë e vendit projektin e shpallur nga kreu i PS-së Edi Rama për zhbërjen e taksës së sheshtë dhe zëvendësimin e saj me taksën progresive. Duke komentuar projektin e selisë rozë për këtë çështje, kreu i qeverisë i garantoi të gjithë sipërmarrësit punonjësit e tyre, të gjitha ata që sipas tij janë sot lokomotivë e zhvillimit ekonomik të këtij vendi, se taksa marksiste nuk do të kthehet kurrë në këtë vend, ndërsa propozimi i Ramës nuk do të gjejë ndonjëherë zbatim, por do të mbetet një propozim brenda dyerve të selisë rozë. “Ata që mendojnë të begatojnë vendin duke shkatërruar e luftuar të pasurit, ata që mendojnë se do të begatojnë vendin duke bllokuar privatizimet, koncesionet dhe partneritetin publik–privat, nuk bëjnë gjë tjetër veçse shpalosin alternativën e etërve të tyre, e cila nuk kthehet kurrë më në këtë vend. Sistemi marksist fiskal nuk mund të ketë të ardhme. Ai është provuar se është një sistem katastrofal dhe një nga shkaqet e falimentimit të doktrinës ka qenë sistemi i tij fiskal, që bazohet në rrënimin e të pasurve. Ndaj dua t’i garantoj sipërmarrësit dhe investitorët se jo vetëm nuk mund të ketë ndonjë mendim për t’i rritur, përkundrazi, qeveria do të konsiderojë çdo hap tjetër për të lehtësuar veprimtarinë e tyre”, - tha kryeministri Berisha. Më tej shefi i ekzekutivit vijoi se “të dalësh sot me taksën progresive, në një kohë kur bashkinë e falimentove duke rritur taksat dhe e dorëzove si një institucion të falimentuar në rrafshin fiskal, atëherë më thoni se çfarë mund t’i bëjnë Shqipërisë politikat marksiste përveçse rrënimit”. Berisha deklaroi gjithashtu se qeveria në të ardhmen do të ndërmarrë një përpjekje të re të madhe për të zgjeruar lirinë ekonomike të sipërmarrjes.

Reagimi i kreut të PS-së Edi Rama

“Ne jemi me marksistët Obama, Merkel, Sarkozi e Kameron, madje edhe me marksistin Berluskoni, kurse Saliu është me çunat e Bllokut të vet. Doktori paguan më pak taksa se në opozitë, kurse një infermiere paguan 30 herë më shumë taksa se ditën kur doktori u bë i pari i vendit”, - u shpreh kreu socialist lidhur me deklaratën e bërë nga kryeministri Berisha.

Qeveria miraton bazat financiare për nisjen e mandatit të tretë

Berisha: Antikriza, inkurajim i biznesit

Kryeministri Berisha prezantoi në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave dokumentin e kuadrit makroekonomik dhe fiskal për periudhën 2012–2014 dhe projektprogramin buxhetor afatmesëm 2012–2014. Të dyja këto dokumente vendosin bazat financiare për nisjen e mandatit të tretë qeverisë. Shefi i qeverisë nuk dha shumë detaje për to, por bëri një prezantim të përmbledhur të zhvillimit ekonomik të vendit për periudhën 9-mujore të këtij viti. “Eksportet e këtij vendit, të cilat janë dëshmia më autentike e prodhimit, kanë një rritje prej rreth 320 milionë dollarë krahasuar me vitin 2010, vitin e rritjes më të madhe të eksporteve shqiptare. Ajo që është shumë pozitive në këtë rritje qëndron në faktin se vjet dhe këtë vit trendi i rritjes së eksporteve “Made in Albania” dominon mbi trendin e rritjes së eksporteve të bazuara në materiale të importuara, respektivisht 27 dhe 20 për qind”, - tha kryeministri Berisha. Rritja e eksporteve shqiptare, tha ai, në kulmin e krizës së borxheve në Europë shkon paralel me rritjen më të madhe të investimeve të huaja në historinë e vendit, investime që vitin e kaluar, pavarësisht nga kriza europiane dhe botërore, shënuan në Shqipëri rritjen më të madhe në tërë rajonin. Sipas kryeministrit, rol të padiskutueshëm në këtë rritje ka krijimi i kushteve për lëvizjen e lirë të mallrave brenda vendit, rregullave lehtësuese jashtë vendit, si dhe ndërtimi i një infrastrukture moderne, që sipas tij janë arteriet e qarkullimit të energjisë më të fuqishme të kësaj toke, energjisë së tregut. “Dhe pikërisht në këtë faktor qëndron një nga arsyet madhore pse ekonomia e një vendi të vogël, pse monedha e një vendi të vogël, siç është leku, po tregohet lek i vërtetë, po dyfishohet gjithnjë e më shumë respekti e besimi për të, sikundër edhe besimi te Shqipëria. Investime para së gjithash e mbi të gjitha janë banka besimi”, - deklaroi kreu i qeverisë. Numri një i ekzekutivit nënvizoi se mekanizmi më i mirë për t’i rezistuar krizës më të thellë financiare dhe të borxheve në Evropë e në botë është inkurajimi i biznesit. “Qeveria shqiptare do të ndërmarrë çdo ditë e çdo javë reforma. Ne nuk kemi asnjë mburojë tjetër, asnjë mekanizëm tjetër për t’i rezistuar kësaj krize veçse inkurajimit, nxitjes së biznesit. Një politikë kjo që ka funksionuar. Unë përshëndes të gjithë sipërmarrësit dhe i siguroj se jo rrënimi i pasurive të tyre, por konsolidimi dhe garantimi i tyre është në konceptin tonë mekanizëm themelor i rritjes së prosperitetit”, - përfundoi Berisha.

Ekonomia në Shqipëri

Eksportet shqiptare, si dëshmia më e sigurt e rritjes së produktivitetit dhe rritjes së prodhimit, e pësuan këtë rritje paralel me rritjen e lirisë ekonomike. Dokumenti i fundit mbi lirinë ekonomike në botë fakton se ajo ka pasur ndrydhje. Por kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri, madje ka ndodhur e kundërta: liria ekonomike është rritur me 16 për qind.

Ekonomia në Evropë

Kriza, që po shoqërohet me alternativa nga më të rëndat, po shoqërohet me fshirje të detyrimeve, me përgjysmim të pensioneve e rrogave dhe masa të tjera drastike për të përballuar barrën e një borxhi që bëhet gjithnjë e më i rëndë mbi supet e qytetarëve. E vërteta është se kriza ka një histori jo të shkurtër, ndaj nuk kapërcehet dot për një kohë të shkurtër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›