E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Taksat e ulëta, politika që nxit dhe ndihmon biznesin

KAVAJE - Kryeministri Sali Berisha mori sot pjesë në fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës Qerret – Karpen, komuna Golem të rrethit të Kavajës.

Duke falenderuar për mbështetje dhënë Partisë Demokratike në këto 20 vite, shefi i qeverisë garantoi se, "kjo mbështetje përbën detyrim madhor për të bërë gjithçka për të përmirësuar jetën tuaj, shërbimet tuaj dhe çdo gjë tjetër që është e nevojshme për rritjen e mirëqënies tuaj”.

Ai premtoi se krahas ndërtimit të kësaj rruge, shumë shpejt do fillojë edhe ndërtimi i ujësjellësit të ri ndërsa do të asfaltohet çdo rrugë, në çdo skaj të Qerretit, Golemit dhe Kavajës në 4 vitet që vijnë.

”Zotimi ynë është se aty ku ju jetoni, do të keni infrastrukturë të njëjtë me atë të lagjeve të qyteteve. Qytetarët janë dhe do të mbeten ë barabartë para ligjit”, deklaroi lideri i PD-së.

Ai u shpreh më tej se, “këto vite, ne së bashku ia dolëm të anëtarësohemi në NATO, të ndërtojmë një infrastrukturë moderne, të rrisim rrogat dhe pensionet, që turizmi të rritet 13-14 herë, të financojmë 45 mijë projekte në fshatrat e Shqipërisë”.
Ndërsa ripërsëriti angazhimin për krijimin e 250 mijë vende pune, Berisha tha se këtë e bazojmë në politikat tona të drejta ekonomike.

”Ulja e taksave është politika që nxit dhe ndihmon biznesin, investimet e huaja u rritën me 4 miliardë e 200 milionë dollarë 4 vitet që shkuan. Eksportet shqiptare, bujqësore të të gjitha llojeve, u 3-fishuan nga 2006 deri sot”, deklaroi kreu i ekzekutivit, ndërsa u shpreh se, “ne prap vazhdojmë me uljen e taksave”.

Ai bëri të ditur se, gjatë muajit maj, janë me dhjetëra e dhjetëra biznesmenë, që kanë filluar të përfitojnë nga ligji i miratuar në parlament për heqjen e TVSH-së. Subvencionimi me para në dorë të imputeve bujqësore, Berisha tha se, është mbështetja më e plotë që një qeveri mund t'u japë fermerëve të vendit të vet.

Por krahas tyre, kreu i ekzekutivit tha se integrimi i Shqipërisë në BE, bën të mundur që fermerët e Shqipërisë, të përfitojnë qindra milion euro subvencione nga BE. "Kjo është rruga e zhvillimit ndaj dhe ne ju ftojmë, që më 23 qershor, të votoni së bashku 44, votoni PD për interesat tuaja më të rëndësishme, për zhvillimin fermave tuaja dhe zhvillimin e turizmit. Ju jap fjalën, se më këta kandidatë, do të shndërrojmë në realitet çdo projekt për fshatrat dhe komunat tuaja”, përfundoi Kryeministri Berisha.

(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›