E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjaku i shprishur i BorshitNga TemaKëto ditë në bregun e detit nga Palasa në Nivicë ka ndodhur një fenomen. Në mënyrë të heshtur e pothuajse tinëzare segmente të caktuara, të cilat edhe përgjegjësinë në këtë rast e kanë të shpërndarë e deri diku jeti

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Gjaku i shprishur i BorshitNga Tema

Këto ditë në bregun e detit nga Palasa në Nivicë ka ndodhur një fenomen. Në mënyrë të heshtur e pothuajse tinëzare segmente të caktuara, të cilat edhe përgjegjësinë në këtë rast e kanë të shpërndarë e deri diku jetime, kanë filluar procedurën e hipotekimit të tokave në bazë të shpërndarjes së tokës me Ligjin 7501. Por e veçanta është se këto segmente, të cilat natyrisht që mendohet të kenë edhe një dirigjim nga shtresa të caktuara, që deri diku komandojnë edhe shtetin, po e realizojnë këtë proces vetëm në një fshat të bregut të detit, në Borsh. Dhe natyrisht kjo ka disa shpjegime e arsye. Arsyeja më e fortë është se këto segmente mafioze e kanë të qartë se është i pamundur hipotekimi i pronave në fshatrat e tjera të Bregut, e pamundur që bregasit t’ia fusin njëri-tjetrit për pronat, kompaktësisë që ata kanë shfaqur në drejtim të trashëgimisë së pronës. Në përgjithësi në këto fshatra, pavarësisht disa mosmarrëveshjesh, trashëgimtarët e kanë ruajtur dhe mbajtur me mënyra të ndryshme vëllazërinë dhe trashëgiminë, duke ia bërë të qartë edhe vetë shtetit se problemet tona me pronën brenda vëllazërisë i zgjidhim vetë. Dhe shteti është tërhequr e nuk ka guxuar t’i shtyjë më tepër urët e zjarrit. Për këtë problem shteti nuk ka guxuar të ndërhyjë. Në këto fshatra askush nuk ka kurajë të ndërhyjë për asgjë, le më të guxojë të ndërtojë në pronën e tjetrit. Fshatrat kanë funksionuar pothuajse si hallka të një zinxhiri, derisa kohët e fundit u këput njëra nga hallkat që Bregasit ia kishin frikën, Borshi, i cili edhe në këtë rast luajti rolin e kolonës së pestë dhe ua bëri me të pabesë, jo vetëm bashkëfshatarëve, por edhe krahinës. Personalisht, duke punuar për shumë kohë në sistemin e hipotekës në Sarandë, arrita të njoh psikozën e anëtarëve të komisioneve të Borshit dhe nuk u çudita me këtë që duan të bëjnë. Gjatë gjithë asaj kohe të vetmit persona që vinin në hipotekë dhe kërkonin me ngulm të regjistronin tokat ishin nga Borshi. Nuk kishte javë që të mos vinin e të trokisnin në zyrë, herë veç e veç e herë së bashku, kryepleqtë, kryetarët e komisioneve që ndërroheshin shpesh së bashku me gjeometrin e përhershëm e të famshëm të Borshit, Jakup Xhelili, zullumet e të cilit me pronat e Borshit nuk do të ketë perëndi t’i zgjidhë. Po të arrijnë borshjotët të zbulojnë se çfarë ka punuar ai me pronat e tyre, i punojnë qindin. Vinin e rrinin aty pas derës së hipotekës si lypsarë, si servilë, shumë të neveritshëm. Sidomos për njëfarë Meleq Marku, për të cilin në zyrat tona filluam të vinim edhe baste, nëse do të vinte këtë të hënë apo jo.

Unë e kuptoja se me këtë veprim ata donin të mbulonin edhe maskarallëqet që kishin bërë me pronat e bashkëfshatarëve të tyre, pisllëqe që unë i njoh shumë mirë, i di se si dhe ku janë bërë. Së shpejti do t’i bëj të ditura edhe për opinionin publik, edhe për borshjotët e ndershëm, sidomos ata që fati i largoi nga Borshi gjatë rrjedhës së historisë. Jo se sot në Borsh nuk ka elementë të pastër, me vlerë, por ata janë pak dhe i ka mbuluar ajo pjesë që përbën llumin e borshjotëve. Fiset më të pastra dhe më të dëgjuara të Borshit, më 1914 u larguan dhe nuk u kthyen më dhe i bënë derman vetes kudo ku u ndodhën nëpër Shqipëri e deri në Turqi a Amerikë. Në Borsh u kthyen vetëm shumica e atyre që nuk mbanin dot poturet e tyre. Dhe nga fara e tyre mendoj se janë këta që morën sot në dorë fatet e Borshit. Nga respekti dëshiroj t’u bëj të ditur të gjithë borshjotëve të larguar nëpër Shqipëri, se së shpejti do t’u tregoj për maskarallëqet që janë bërë mbi pronën e tyre, sot mund t’u them se emrat kryesorë që e gatuan këtë katrahurë në Borsh janë bërë të ditur edhe më përpara në shtypin e përditshëm disa herë, por midis tyre unë do të veçoja disa. Strumbullari i kësaj katrahure ka qenë Meleq Marku i cili zotëron edhe dokumente të të gjitha periudhave. Ndihmës kryesor ka pasur Ardian Matin e më pas shumë elementë e fise të tjera të Borshit, disa prej të cilëve e paçin haram trashëgiminë nga rrjedhin. Gisht kanë pasur të gjithë kryepleqtë e këtyre viteve, duke filluar nga Bedri Husi, Novruz Hizmo, Fuat Mati e deri te ky i sotmi. Kryetarët e komisioneve kanë qenë të panumërt, ku përfshihen që nga Llahe Hysi, Genc Husi, Sami Mati, Luan Kodhima, deri tek ai që i ka vënë vulën e fundit kësaj katrahure, Mejdan Memoaliu. Pa harruar ata që vinin rrotull tyre gjatë gjithë kohës, si pjesëtarë të fiseve Çika, Lala në Shkallë, Hizmo etj.

Së shpejti do të shkruaj për shumë nga pisllëqet e tyre, por mbi të gjitha do të dokumentoj me fakte se sa sipërfaqe tokë këta zotërinj kanë lënë të pandarë, të fshehur nëpër dokumente dhe me mendimin që ta përdorin më pas. Është pothuajse 30% e sipërfaqes së vënë në dispozicion, që mbahet e fshehur, fakt që e vërtetoi edhe Kontrolli i Shtetit. Dhe së fundi dua t’u kërkoj ndjesë atyre borshjotëve, për të cilët kam respekt, për titullin në artikull. Nuk e kam me të keq, por dua të shpreh neverinë për këta plehrat që gatuan e gatuajnë akoma këtë katrahurë me pronat e tyre në Borsh, sepse historikisht Borshi ka qenë pjesë e pandarë e bregut të detit gjatë shekujve luftë për mbijetesë dhe nuk është ndarë kurrë. Pothuajse të gjitha fiset tona himarjote kanë pasur vëllamëri me fise të Borshit, miqësi që ruhet akoma në shumë nga familjet tona në Himarë. Fjalën “turk” po e përdor për ata borshjotë që ua futën me të pabesë vëllezërve të tyre. Nëpër familjet tona në Himarë akoma flasin me respekt të veçantë për fiset e Hilajve, Koçiajve, Aliajve, Totajve, Lekajve, Goxhajve, Hoxhajve, Bedajve, Vasilajve, Isufajve etj. Dhe njëkohësisht na vjen edhe keq për pabesinë që po ua bëjnë vëllezërit e tyre në Borsh. Por njëkohësisht besoj se ata e dinë që borxhin për këtë pabesi duhet ta kërkojnë te palaçot që përmenda më sipër. Dua t’i mbyll këto rreshta me fjalët që një burrë i ndershëm në Borsh, Cano Noga, u tha bashkëfshatarëve të tij që më 1991, kur vendosën të ndajnë tokën me Ligjin 7501.

- Mos e zbatoni këtë ligj, se do t’i bëni dëm të madh, jo vetëm Borshit, por edhe fëmijëve tuaj, do t’i lini me sherr për të gjithë jetën. Do ta lini Borshin pa zot dhe do të vijë një kohë që borshjoti do të rrihet vendçe në fshat të tij. Borshin do ta gëzojnë të huajt….

Kjo kohë erdhi, sepse u bënë disa raste që borshjotët tuaj rrihen dhe hanë dru nga të ardhurit dhe asnjë nuk ndihet. Ndërkohë që te ne në Himarë nuk guxon kush të ngrejë zërin dhe jo më dorën kundër himarjotit. Ne nuk pyetëm për dhunën e Enver Hoxhës dhe jo më për këta legenët sot, që e kanë mendjen vetëm si e si të mundin të marrin ndonjë copë nga pronat tona. Por, për sa i përket Borshit, fjalët e bashkëfshatarit të tyre fatkeqësisht u bënë realitet dhe përgjegjësia është dhe do të mbetet e një grushti borshjotësh, e atyre që përmendëm më sipër.

Personalisht ndihma e vetme që mund t’u jap borshjotëve është botimi së shpejti në gazetë i të gjithë materialeve komprometuese që kam grumbulluar për komisionet e Borshit. Dhe jo vetëm për Borshin.

TH. DH.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›